EKSKLUZIVE/ Një talent i madh po lind, e ardhmja e peshëngritjes shqiptare: Synoj tituj botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2022 | 17:40

EKSKLUZIVE/ Një talent i madh po lind, e ardhmja e peshëngritjes shqiptare: Synoj tituj botëror

Ende nuk ka mbush ur 17 vjeç, por Ertjan Kofsha konsiderohet absolutisht si një prej peshëngritësve më premtues të Shqipërisë. Ai është talenti i radhës shtërmenas që del nga duart e trajnerit Leonard Toska. Një shtangist që ka përpara një të ardhme të madhe, i cili prej 3 apo 4 garash është kampion absolut në vendin tonë. Vetëm një javë më parë, Kofsha shkëlqeu në kampionatin e të rinjve, duke u dhënë leksion kundërshtarëve që ishin 2 apo 3 vite më të mëdhenj në moshë se ai.

ertjan kofsha

Pas suksesit në kampionat, ku u shpall sportisti më i mirë, si dhe në prag të disa eventeve madhore ndërkombëtare që e presin, në një intervistë për “Panorama Sport”, Ertjan Kofsha flet për lidhjen e tij me shtangën. Ndonëse në moshë shumë të re, Ertjani është shumë i qartë në ato që thotë, teksa objektivat e tij janë kapja e majave në arenën ndërkombëtare. Kofsha gjithashtu zbulon edhe sekretin e Shtërmenit në peshëngritje, teksa thotë se gjithçka është falë trajnerit Leonard Toska.

Ertjan, si ju ka lindur pasioni për peshëngritjen?

Gjithçka ka nisur pasi kam parë Briken Caljen duke bërë peshëngritje. Më pas fillova edhe unë të merrem me shtangë që i vogël. Kam qenë vetëm 11 vjeç dhe që atëherë jam dashuruar me peshëngritjen. E kam nisur vetë, por sigurisht që më pas kam pasur edhe mbështetjen e familjes.

Vini nga një zonë që shquhet për peshëngritje, çfarë i bën shtërmenasit që të janë kaq të suksesshëm në këtë sport?

E them me plot bindje se çelësi i suksesit në peshëngritje për Shtërmenin është trajneri Leonard Toska, i cili ka shumë vite që punon duke nxjerrë në vazhdimësi sportistë kampionë.

Si është të punoni me trajnerin Toska?

Të punosh me profesor Nardin mund të arrish çdo gjë. Sigurisht që është kërkues, por gjithçka e bën për të mirën tonë.

Pak ditë më parë u shpallët edhe sportisti më i mirë në kampionatin e të rinjve…

Ishte kurorëzimi i të gjithë mundit dhe stërvitjes që kisha bërë. Edhe pse nuk i kam mbushur akoma 17 vjeç kam garuar me sportistë më të mëdhenj, 19-vjeçarë apo 20- vjeçarë, dhe arrita që të shpallem kampion. Kjo për mua ishte gara më e mirë që kam pasur ndonjëherë deri më tani, pasi kam shënuar rezultatet më të larta.

Cilët janë sportistët që i shikoni si pikë referimi apo idhujt tuaj?

Më pëlqen shumë kinezi Tian Tao, ndërsa në Shqipëri sigurisht Briken Calja.

Peshëngritja, siç dihet, është një sport që kërkon stërvitje të fortë, regjim, por gjithashtu ka edhe kosto për sa i përket ushqimit. Si ia bëni për t’i përballuar?

Mundohemi të gjithë nga pak. Familja ka bërë shumë sakrifica që unë të vazhdoj dhe të merrem me peshëngritjen. Gjithashtu kam pasur edhe mbështetjen e bashkisë Cërrik dhe më këtë rast dua që t’i falënderoj.

Si e ka pritur familja juaj aktivizimin në këtë sport?

E ka pritur shumë mirë dhe siç e thashë më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe.

Cilat janë ëndrrat e Ertjan Kofshës?

Ëndrrat e mia janë që të shpallem kampion Europe, bote dhe medalist Olimpik.

Shqipëria i është afruar shumë medaljes olimpike me Caljen, e shikoni veten një ditë në këto gara kaq të rëndësishme?

Sigurisht që ky është edhe objektivi im, ndërsa synoj që të arrij rezultate akoma më të larta.

Në maj do të mbahet Kampionati Botëror i të rinjve në Kretë të Greqisë. Me çfarë objektivash shkoni në këtë kompeticion?

Në këtë garë shkoj me objektiva të qartë, të cilët janë renditja nga vendi i parë tek i treti. Pra, dua që të kthehem në Shqipëri me medalje.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"