EKSKLUZIVE/ Një nga befasitë e merkatos së janarit, sulmuesi shqiptar e mbyll me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2023 | 14:45

EKSKLUZIVE/ Një nga befasitë e merkatos së janarit, sulmuesi shqiptar e mbyll me Egnatian

Ilir Camaj nuk do të jetë më pjesë e Egnatias për pjesën e mbetur të këtij sezoni. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se qendërsulmuesi shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi, ka zgjidhur me mirëkuptim kontratën me Egnatian. Ka qenë vetë lojtari, që e ka kërkuar largimin, me drejtuesit, që janë befasuar nga ky vendim i tij, por kanë vendosur të mos e pengojnë në rrugën që ai ka zgjedhur të ndjekë. Në vijim pritet që të dyja palët të komunikojnë ndarjen e tyre.

camaj

STATISTIKAT – Dy gola në 15 javët e luajtura në kampionat, tre gola në dy turet e para të Kupës së Shqipërisë si dhe 4 në ndeshjet miqësore ishte bilanci, që fiksoi qendërsulmuesi Ilir Camaj në takimet e luajtura me Egnatian nga vera e kaluar, kur u bë pjesë e skuadrës.

Në fushë 26-vjeçari u aktivizua në 12 prej 15 ndeshjeve të luajtura në kampionat. Ai regjistroi në total 801 minuta të luajtura.

Me largimin e Camajt bëhet fjalë për një “firo”, që ndikon padyshim në forcën e skuadrës së Shpëtim Duros. Gjithsesi, ai së fundmi ka vuajtur nga një dëmtim dhe po stërvitej veçmas në rrugën drejt rikuperimit të plotë.

Gjithsesi, duhet të theksojmë se merkatoja është e hapur dhe nuk përjashtohet një zëvendësim i sulmuesit. Edhe në rast se kjo nuk ndodh, organika e Egnatias është një nga më të gjerat në Superiore dhe Duro mund të gjejë në të një pasues të denjë për Camajn. Duamene, i ardhur së fundmi, mund të jetë një nga zëvendësuesit direkt për Camajn. Sakaq, nuk dihet ende e ardhmja e sulmuesit, që mund të vazhdojë ende në Shqipëri.

PLANI – Nga të larguarit, i pari ishte Klaudivan, që e thërrisnin të gjithë me epitetin “Bam-bam”.

Ky i fundit në kampionat nuk shënoi asnjë gol. Tashmë duket se largimi i Ilir Camajt shtron idenë e ndërhyrjes në merkaton e këtij muaji për të gjetur një “eksponent” tjetër për sulmin.

Veçmas blerjes së parë që është sulmuesi nga Gana, Rafael Duamena, në sulm të deklaruar janë Dzon Delarzhe dhe lojtarët e tjerë mbështetës për këtë repart si dyshja braziliane me kapitenin Santos Xhekson dhe Fernando apo edhe Arbin Zejnullai.

Ndërsa nisur nga golat e shënuar edhe te skuadra U-21, mund të llogariten si alternativa për sulmin lojtari nga Bregu i Fildishtë, Dukoko (5 gola me U21), kavajasi Flavio Mecja apo dhe nigeriani Ainde.

Në të shkuarën trajneri shpëtim Duro është shprehur se skuadra ka një organikë shumë të pasur dhe pritet që ai të miratojë në skuadër vetëm afrimin e ndonjë lojtari që bën dukshëm diferencën, pasi siç duket alternativat në sulm nuk mungojnë.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"