EKSKLUZIVE/ Një kapiten serb te Laçi, Ignjatoviç: Nëse kampionati nuk nis deri më 1 qershor, atëherë duhet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 15:14

EKSKLUZIVE/ Një kapiten serb te Laçi, Ignjatoviç: Nëse kampionati nuk nis deri më 1 qershor, atëherë duhet…

Aleksandar Ignjatoviç ndien mall për futbollin. Shëndeti realisht ka rëndësi, e megjithatë mendon se ka ardhur koha që t’u rikthehen fushave. Kapiteni i Laçit në tri ndeshjet e fundit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” rrëfen se karantinën po e kalon në Tiranë dhe se stërvitjen nuk e ka lënë asnjë ditë pas dore, ndonëse në kushtet e shtëpisë është e vështirë.
ignjatovic laci
Kur mendoni se do të rinisë kampionati?
Të gjithë e dimë se shëndeti është parësor, por në momentin që situata ka nisur të përmirësohet, pse jo të mos kthehemi edhe ne në fushë. Besoj se rreth datës 1 qershor do mund të rikthehemi të luajmë.

Nëse në rastin më të keq, kjo pauzë do të zgjasë akoma më shumë, sipas jush çfarë duhet të ndodhë me kampionatin?
Atëherë duhet të pezullohet. Sa më shumë të shtyhet, më e pamundur bëhet. Por deri në këtë datë, uroj që të kemi nisur stërvitjet dhe lojën.

Sa kohë do t’u duhet ekipeve, ju lojtarëve për t’u stërvitur para se të rinisë futbolli?
Sa më shumë kohë që të kemi në dispozicion, aq më mirë është. Sipas meje, të paktën dy javë janë shumë të domosdoshme.

Ignjatovic7
Si është për një lojtar serb që të jetë kapiten në Shqipëri?
Deri tani, gjithçka ka qenë në rregull dhe nuk kam pasur asnjë problem. Jam kapiten, jam profesionist dhe kam luajtur njësoj si në çdo skuadër tjetër. Jap gjithçka në fushë dhe prandaj presidenti e trajneri më zgjodhën të jem kapiten. Besoj për këtë ka ndikuar edhe eksperienca ime.

Çfarë ju thonë njerëzit kur ju dëgjojnë që jeni nga Serbia?
Me çdo njeri që kam folur deri më tani, kanë qenë pozitivë dhe kanë folur mirë për mua. Mendoj se nuk ka shumë rëndësi vendi nga je, por personaliteti që ke.

Ku po e kaloni karantinën?
Jam në Tiranë. Jetoj në apartamentin tim ku edhe jam mundur çdo ditë që të kryej ushtrime dhe stërvitje sa mund të bëhen në ambientet e shtëpisë. Situatë e vështirë, por duhet ta kalojmë të gjithë bashkë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"