EKSKLUZIVE/ “Një i arratisur na tregoi dyqanet në Paris”, rrëfimi special i Genc Tomorit: Benfika një katastrofë për Partizanin, i shpëtova dënimit se luajta portier (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 23:35

EKSKLUZIVE/ “Një i arratisur na tregoi dyqanet në Paris”, rrëfimi special i Genc Tomorit: Benfika një katastrofë për Partizanin, i shpëtova dënimit se luajta portier (E PLOTË)

JETMIR HALILAJ

Benfika-Partizani 4-0 në Kupën e Kampioneve në vitin 1987, ku katër lojtarë shqiptarë u ndëshkuan me të kuq, mbetet edhe sot një mister i vërtetë. Shumë prej protagonistëve kanë folur në të kaluarën dhe vazhdojnë ta komentojnë edhe sot, por pothuajse të gjithë thonë se fajin e pati arbitri.

Genc Tomori magnetofoni portier

Megjithatë, ka edhe nga ata si Genc Tomori që e pranon se eksperienca, pamundësia për të njohur një tjetër nivel arbitrimi (luanin shumë pak në arenën eurpiane), natyrisht që e penalizoi Partizanin.

Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi tregon me detaje se si përfundoi në portë, si e shmangu një goleadë turpëruese duke luajtur i dëmtuar dhe me pak krenari thotë se “trofeun” e vetëm të atij udhëtimi problematik e ka ende edhe sot.

Bëhet fjalë për një magnetofon që e bleu në Paris, ia bllokuan në doganë pas ndeshjes dhe pagoi lekë shtesë për ta marrë sërish. Po, është pikërisht magnetofoni në foto, që Tomori e ruan edhe sot me fanatizëm.

Çfarë mbani mend ju nga ajo ndeshje?

Mbaj mend që gjyqtari i asaj ndeshjeje ishte më shumë kurajoz se arbitrat këtu në Shqipëri.

Në ç’kuptim më kurajoz?

Shikoni, ne atëherë vetëm në Shqipëri luanim. Kishim një standard arbitrimi tjetër me atë që hasëm në Kupat e Europës. Por gjithsesi veprimet e gjyqtarit na u dukën një çudi e madhe.

Pse?

Sepse veprimi i Mustës këtu në Shqipëri ishte i zakonshëm. Pra, portieri kapte topin dhe ndeshja vazhdonte edhe nëse vinte lojtari e rrëzohej në përplasjen me portierin. Jepej faull në favor të portierit. Dhe, në fakt faullin e dha për ne. Por mendoj se ramë në “grackën” e Kupave të Europës. Duhet ta pranojmë se Shqipëria në atë kohë nuk njihej si sot. Duhet të keni parasysh se nuk luanim shumë nëpër Kupa europiane si sot. Megjithatë, nga ajo që kam parë edhe në ripërsëritje, por edhe se çfarë ka ndodhur më pas ndër vite me arbitrimin në Europë, vazhdoj të mendoj se ishte e pabesueshme ajo që ndodhi.

Edhe ju mendoni që arbitri ishte tendencioz?

Po, patjetër. Pastaj, shikoni pak se çfarë ka ndodhur me atë arbitër (Hoze Donato Pes Peres)… Pas asaj ndeshjeje ai nuk ka arbitruar më kurrë në Europë.

Pse mendoni se ky arbitër donte patjetër që t’i bënte keq Partizanit?

Nuk ishte punë Partizani, por ishim thjesht një ekip i vogël kundrejt një ekipi shumë të madh për kohën. Ne bëmë një pjesë të parë të mirë. Madje, pa shënuar golin portugezët, unë pata një rast të pastër për të shënuar. Por, pas kësaj nuk motivoheshe dot me atë që po bënte arbitri. Bënte ca veprime që dhe nuk mund protestoje dot.

Çfarë veprimesh?

Po ja, po ju marr shembull daljen e Mustës me të kuq, apo daljen e Nikos (Frashërit) dhe të Ilir Lames. Mua më janë dukur shumë të çuditshme. As nuk flisnim dot, për çdo fjalë kishe karton…

 

Po i kuqi i Ahmetajt?

Ishte rast ndryshe. Ai i hodhi akullin arbitrit, por duhet të kuptoni se na shkatërroi nervat tërë ndeshjen. Aq keq u bë situata, saqë unë luajta si portier. Nuk mbaj mend që të ketë luajtur ndonjë skuadër me 7 lojtarë një ndeshje në Europë. Ishte rast unik.

Ju përmendët karrierën e gjyqtarit Hoze Donato Pes Peres. Është e vërtetë që nuk ka arbitruar pas asaj ndeshjeje në Europë, por ju keni ndonjë informacion pse ka ndodhur kjo?

Mbaj mend që dhe atëherë në shtyp u quajt ndeshje e çmendur. Mbaj mend që arbitri iu vu dhe Ocellit për ta nxjerrë me të kuq, por anësori i tha “mos e nxirr” sepse bëheshim pesë dhe ndërpritej ndeshja sipas rregullores. Kam vuajtur shumë ato minuta që isha në portë, sepse në një tentativë për të larguar topin, pësova edhe një tërheqje, por nuk kishte kush të më zëvendësonte. Ishte tmerr, unë sapo largoja topin nga zona, për pak sekonda më vinin si furi kundërshtarët në zonë. Mund të kishte përfunduar edhe me ndonjë rezultat katastrofik, sepse mund të pësonim edhe 20 gola. Luajtëm 20 e ca minuta me 7 lojtarë…

Si komunikonit ju me arbitrin Peres?

Nuk komunikoje dot fare me arbitrin. Vetëm dorën lëvizte. Asnjë mimikë në fytyrë, vetëm ngrinte dorën për të thënë “largohu” dhe kaq. Atëherë nuk ishin të ndarë strikt anësorët me kryesorët dhe Peres ka qenë anësor dhe me Belgjikën këtu në 1984-ën. Shqipëria në atë ndeshje ka fituar 2-0 dhe pikërisht ky arbitër u ka anuluar një gol belgëve. Dhe me sa di unë ishte gol i rregullt.

Kemi dëgjuar dhe “histori” të tipit që, arbitrave në 1984- ën u dhanë nga një qilim nga ata të punuarit në Krujë, ndërsa Peresit harruan t’ia jepnin dhe ky gjyqtar mbajti inat me shqiptarët… Ju keni dëgjuar për kësi gjërash?

Nuk e di, nuk mund të paragjykoj për gjëra që nuk i kam parë me sytë e mi. Nuk e di se çfarë bënin me qilimat, apo dhuratat që u jepnin arbitrave të huaj kur vinin këtu, por nuk besoj se është kjo. Për mua ishte thjesht katastrofë ajo që ndodhi. Kur kemi luajtur jashtë ato pak herë me Shpresat apo me Kombëtaren, kemi parë dhe arbitra që kur ka pasur diçka fillimisht, edhe të këshillonin. Por ajo që ndodhi atje ishte katastrofë. Plus pas ndeshjes pastaj ishte një torturë e vërtetë.

Për çfarë bëhet fjalë?

Deri në mesnatë u përpoqëm të bënim një relacion si formë proteste. Nuk dinim asnjë gjuhë të huaj dhe e sajuam diçka në frëngjisht. Prej kësaj në mëngjes shkuam vonë edhe në aeroport.

Bajko thotë se edhe ky relacion nuk mbërriti në dorën e komisarit të ndeshjes, që ishte një italian…

Njerëzit që kishim me vete nuk dinin asnjë gjuhë në atë kohë, përveç doktorit të ekipit, që dinte frëngjisht. Ata nuk ishin marrë ndonjë herë me atë punë. S’kishim njeri që të na drejtonte. Komisarët e UEFA-s rrinin në një hotel, ne në një hotel tjetër. Neptuni u mor shumë me sa mbaj mend. Natën nuk fjeti gjithë ekipi nga sikleti.

Genci portier pas golit te trete logo

Genc Tomori në portë, momenti pas golit të tretë të pësuar nga Benfika

Po kur erdhët këtu, pse ju dënuan?

Këtu u bë bujë e madhe. Filluan që në kufi problemet.

Pse?

Ne kishim blerë disa gjëra atje. Ndonjë magnetofon, apo edhe orët që morëm dhuratë nga portugezët. Kush jua dha orët? Klubi i Benfikës.

Edhe sa të shtrenjta ishin?

Ajo orë këtu mund të mos bënte as 20 dollarë, por ne këtu na dukej gjë e madhe.

Edhe orët jua mbajtën?

Po, edhe orët na i mbajtën. Të gjithëve… Pastaj, patëm edhe probleme të tjera me futbollistët që u dënuan. Kur erdhëm këtu u persekutuam në një mënyrë që nuk di ta tregoj. “Na turpëruat. Kjo ishte njollë e zezë për futbollin”, na thanë. Dëgjonim lloj-lloj gjërash.

Partizani është dënuar si klub nga UEFA. Pse?

Po, është dënuar. Ne nuk shkuam as në arbitrazh. Ndeshja e kthimit nuk u bë, sepse tek ajo ndeshje ne u dënuam të mos luanim dy vite në Europë.

Duket dënim shumë i rëndë. Dakord, u morën 4 kartonë të kuq, por klubi pse u dënua? Çfarë shpjegimi morët ju për dënimin e klubit?

Nuk morëm asnjë lloj shpjegimi, sepse edhe këtu nuk kishte njeri që ta kërkonte, apo ta ndiqte si çështje. Për shembull, askush nuk u interesua se përse nuk u luajt ndeshja e dytë… Edhe drejtuesit me sa mbaj mend unë u masakruan, përpos lojtarëve. Edhe shefi i klubit u dënua. U pritëm në atë mënyrë që ç’të të them…

Për një moment po e quajmë të drejtë që u dënuan lojtarët për sjellje antisportive etj. Por pse të dënohet klubi dy vjet të mos luajë më në Europë?

Nuk e di.

Në tunel pati ndonjë incident? A e provokuat në ndonjë moment gjyqtarin?

Jo, jo asnjë incident. Dolën videot më pas dhe i kemi parë të gjithë se çfarë ka ndodhur.

Po tentativë për të prishur ndeshjen, pra që të kërkonit kartonin e pestë me ngulm a pati?

 

bë gati të nxirrte Ocellin me të kuq, por e pa anësori dhe i tha që të vazhdonte lojën, sepse ndryshe ndërpritej ndeshja me të pestin e kuq. Kjo ishte. Ne kemi luajtur edhe 15 minuta më tepër nga 90-minutëshi. Edhe 15 minuta të tjera për vonesat që u shkaktuan, sepse ai filloi që në minutën e 50-të të na nxinte jetën. Që në minutën e 50-të filluan ndalesat.

Tomori, pse u zgjodhët ju portier?

As unë nuk e di. Ndoshta sepse një vit më parë, në një ndeshje derbi me Tiranën kisha ndenjur 45 minuta në portë. Nuk mbaj mend nëse ishte rregulli i tillë, pra që nuk zëvendësohej portieri, apo Neptuni nuk i besonte portierit rezervë dhe më besoi mua… (qesh).

Kush ka qenë portier i dytë?

Mbaj mend ka qenë një portier me mbiemrin Muçaj. Nuk e di as rregulloren si ka qenë atëherë, ndoshta po të dilte portieri duhej ta zëvendësoje me lojtar, nuk e di.

Në deklaratat e tij, Neptun Bajko ka artikuluar edhe mundësinë që ky dënim mund të ketë pasur efekt edhe për më pas, pra për titullin e vitit 1989. Ai hodhi hipotezën se prej pamundësisë së Partizanit për të luajtur në Europë, u shpikën edhe normat e reja…

Nuk mund të flas për këtë sepse nuk e di. Normat u shtuan, sepse ne i bënim dy herë. Atë vit u bënë tre. Unë nuk kam pasur probleme me normat se kam qenë një nga më të mirët për normat.

Ndoshta për të gjetur një sebep për Benfikën, ngaqë nuk e nxirrnin dot në Europë Partizanin…?

Shikoni, nuk ishte ky raport që kemi ne tani me Federatën. Të them të drejtën, përveç kryetarit të Federatës që ishte atëherë, ne nuk njihnim asnjë, sepse ne lojtarët nuk kishin komunikim fare me Federatën sikurse kanë sot. Unë nuk mbaj mend asnjë përveç Mehdi Bushatit që ishte i pari i futbollit.genc tomori

Edhe në 1987-ën Mehdiu ishte?

Nuk e mbaj mend. Por, e njihnim si figurë futbolli sepse Mehdiu ka qenë edhe futbollist. Por zyrtarët e FSHF-së me ne futbollistët atëherë nuk kishin asnjë afrimitet. Nuk bëhej fjalë të njihnim arbitrat si sot, apo të merrnim vesh se në këtë ndeshje është filani dhe në atë filani. Ne nuk merreshim me këto gjëra, ishim larg tyre.

Ju jeni marrë një jetë me futbollin, madje edhe sot jeni aktiv. A qëndrojnë pretendimet në lidhje me diferencimet që ka pasur Partizani si ekipi i ushtarakëve, apo Tirana si ekip i Komitetit Ekzekutiv?

Unë kam qenë që në moshën 10 vjeç te Partizani. Jam ndër të paktët nga Tirana që kanë qëndruar gjithë jetën në klubin e Partizanit. Nuk kam parë asnjë lloj diferencimi. Këto gjëra të tipit “ne ishim të persekutuar”, ose “ata ishin ekip ushtarakësh” nuk qëndrojnë. Mos more… Unë kam qenë në një lagje me Agustin Kolën, Skënder Hotin, Ben Mingën dhe luanim çdo javë. Nuk kishte asnjë lloj diference te ne nga njëri-tjetri. As në kuptimin dikush ishte i varur nga Komiteti i Partisë dhe ishte më i fortë, apo më i dobët… Por ama sa për dijeni, duhet t’ju them se realisht Komiteti i Partisë ishte më i fortë atëherë, jo Ushtria.

Pse nuk kishte forcë Ushtria?

Ushtria s’kishte asnjë lloj lidhjeje. Në kohën kur kam qenë unë, nga 1978-ta deri te 1990 nuk kishte ndasi të tilla. Në atë 10-vjeçar që kam luajtur unë me Partizanin, kanë dalë kampionë Vllaznia, Flamurtari, Elbasani. Por kanë dalë edhe Tirana, Dinamo e pastaj kemi dalë ne. Pra, në 10 vjet kanë dalë 7 ekipe kampione. Unë kam respekt edhe për Durrësin, Beratin, Kavajën, Lushnjën e asaj kohe, por nuk them që dikujt i është ngrënë haku. Për arbitrat ka dhe sot kontestime, në kuptimin që ndonjëherë anonin nga Dinamo apo nga Partizani, por ama në përgjithësi ka qenë një kampionat i drejtë. E sigurt është që ekipet më të mira e kanë marrë kampionatin. Mos harroni që edhe ne e kemi humbur kampionatin kur u dënova unë me Hasan Likën në ndeshjen me Tomorin.

Çfarë ndodhi atëherë me beratasit, sepse këtë temë e ka përmendur edhe Hasan Lika?

Luanim kundër Tomorit dhe në minutat e fundit më jep një top Shpëtim Duro. Rezultati deri në atë moment ishte 0-0, por ishte një lojë shumë e fortë dhe deri diku e rëndë. Në atë kohë Tomori kishte një grup lojtarësh shumë të mirë, me Milen në krye. Ne nga ana tjetër mezi bënim gol. Në minutën e fundit më jep një top Shpëtim Duro dhe unë shënoj. 1-0 për ne dhe unë festoj, e bëj me dorë nga tribuna. Në atë moment, një nga ata të Tomorit më kishte ndjekur nga mbrapa dhe erdhi e më shtyu kur unë po festoja. Isha mu përballë tribunës qendrore. Po kështu edhe Hasani pati një problem, sepse e sulmuan edhe atë kur ai po festonte në krahun e kundërt, pra te karshia. Më pas situata u tensionua dhe ngjarja bëri bujë.

Çfarë ndodhi më pas?

Në stadium ka qenë kryeministri i kohës, Adil Çarçani. Pasi fituam 1-0, na bënë mbledhje në klub. Erdhi edhe Ali Vukatana nga Komiteti Qendror dhe që aty e kemi marrë dënimin. “Ju të dy jeni të dënuar, – tha. – Hajt mirupafshim”.

Çfarë i thatë ju?

“Ore çfarë bëmë ne, – i thashë unë. – Ne fituam, dolëm dhe të parët me atë gol”. Ishte e kotë sepse nuk morën parasysh asgjë. Unë u dënova deri në fund të sezonit. Bashkë me Hasan Likën humbëm edhe Kombëtaren pas asaj zënke. Në fakt, dua të bëj një korrigjim, sepse Hasani e humbi Kombëtaren kundër Tomorit, ndërsa unë isha dënuar përpara që me Gjermaninë. Isha dënuar 5 vjet, që kur dola jashtë dhe patëm luajtur me Gjermaninë.

Pse u dënuat?

Po mora karton të kuq dhe më dënuan 5 vjet. As që e dija hiç që isha pezulluar 5 vite. E mora vesh kur vajta në Greqi. Kisha dy mundësi, të paktën kështu mendoja unë, që të luaja me Kombëtaren e madhe, ose me Shpresat. Nuk luajta me asnjë, sepse aty mora vesh që isha i dënuar.

Ç’ishte ky dënim i UEFA-s me 5 vite për lojtarët? Çfarë bënit ju, që ju dënonin kaq shumë?

Asgjë nuk bënim, por nuk e di, kishim pak informacion. Më vonë e mora vesh që isha dënuar. Më pas Federata dënoi dhe Hasanin që të mos shkonim me ekipet kombëtare.

Si është historia që ju vonuan në Portugali kur shkuat në aeroport?

Po, pati shumë probleme. Në aeroportin e Lisbonës ndenjëm mbi 5 orë. Kemi shkuar shumë vonë. Shkuam në një hotel, pastaj ndërruam hotelin na çuan në një hotel tjetër.

Më thatë që bletë një magnetofon. Ta mbajtën magnetofonin, përveç orës?

Po. Ma mbajtën. Doli që kisha kaluar kuotën e caktuar me 10 mijë lekë të vjetër dhe ma mbajtën.

Magnetofoni i Genc Tomorit logo

Magnetofoni i blerë nga Tomori në Paris

Po në Paris kur dolët për Pazar, çfarë bletë?

Aty e bleva magnetofonin unë. Takuam rastësisht aty një shqiptar që ishte arratisur. Nuk e di për çfarë kishte ikur. Ai drejtoi nja 4-5 vetë nga ne. Morëm vesh prej tij dyqanet që ishin më lirë dhe ikëm, sepse me thënë të drejtën kishim frikë të rrinim më shumë me të. Shkuam të gjithë për të blerë magnetofona. Ishin nga më të ndryshmit, nga më i vogli deri te më i madhi. Kur erdhëm këtu na i morën të gjithë. Madje mbaj mend që kur erdhëm këtu doli që unë kisha kaluar kuotën me 10 mijë lekë, sepse edhe orën që na dhanë dhuratë, na e futën në çmim. 6 mijë lekë me sa më kujtohet. Pastaj unë pagova 15 mijë lekë dhe i mora përsëri edhe orën edhe magnetofonin.

E keni ruajtur magnetofonin?

Po. Magnetofonin e kam ruajtur. E kam në shtëpi, por edhe orën mund ta kem. Më duket se 24 ose 25$ ka qenë dieta që merrnim kur shkonim jashtë dhe unë bleva këto pak gjëra.

Bajko na tha se kur erdhët këtu Mustën e çuan kapter, Nikon dhe Arianin i përjashtuan. Po për ju pati ndonjë dënim?

Jo. Unë shpëtova sepse u konsiderova si shpëtimtari, ngaqë mbrojta portën, pasi ne mund të humbnim dhe 20 ose 30 me 0. Madje, të them të drejtën nja 4-5 topa i kam pritur disi edhe me fat. Tifozët vërshëllenin kundër skuadrës së tyre dhe portugezët u frikësuan disi e nuk po gjuanin si duhet në drejtim të portës. Dy golat e fundit i bënë kur luanim me 7 vetë në fushë.

Po njerëzit këtu çfarë thoshin? Si e përjetuat atë pjesë kur dilnit në rrugët e Tiranës?

Të gjithë thoshin si ka mundësi. Më vonë unë gjeta këtë videon e golave të asaj ndeshjeje. Ma solli Eduard Abazaj që ka luajtur në Portugali.

Arbitrit nuk i thatë më gjë kur u futët brenda?

Jo, jo asgjë fare. Hymë në tunel, por nuk ndodhi asgjë.

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Na e drodhi një italian natën”, rrëfimi i Bajkos: Perlat Musta çuditi Europën, ja e vërteta e çmendurisë me Benfikën (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ Replika për titullin e vitit 1989, Kola: Partizani ishte më i privilegjuari, Perlat Musta e pësoi prej… Benfikës

EKSKLUZIVE/ “Tirana hiqet si e persekutuar në komunizëm”, Lame: Ja e vërteta e ndeshjes me Benfikën (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"