EKSKLUZIVE/ Një gjerman për Skënderbeun, mesfushori mund të luajë në tre pozicione për korçarët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2018 | 22:56

EKSKLUZIVE/ Një gjerman për Skënderbeun, mesfushori mund të luajë në tre pozicione për korçarët (E PLOTË)

Stefan Vujçiç, 32- vjeçari kroat me pasaportë gjermane, mund të jetë goditja e fundit e Skënderbeut në merkato. Mesfushori që luan në disa role ka arritur një akord paraprak me klubin e Shkupit, por së fundmi mësohet se është futur edhe Takaj në lojë dhe mund të përfundojë në Korçë gjatë orëve të ardhshme. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se 32-vjeçari është në preferencat e kampionëve të Shqipërisë, të cilët prej kohësh janë në kërkim të një mesfushori, pasi pothuajse kanë siguruar edhe shërbimet e Eskerdinjës.

stefan vujcic

Vujçiç, dy sezonet e fundit ka luajtur me Shkëndijën, ku është aktivizuar në 62 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Ai mund të luajë në tri pozicione: atë të mesfushorit para mbrojtjes, të shkatërruesit në mesin e fushës, ose edhe pas sulmuesit kryesor. Mund të jetë pasuesi i Sabjen Lilajt dhe kjo është një nga arsyet se përse Skënderbeu po punon intensivisht për këtë futbollist.

ESKERDINJA

Eskerdinja mund të quhet me plot gojën tashmë lojtari më i ri i Skënderbeut dhe lëvizja është thjesht çështje zyrtarizimi dokumentacionesh. Paraditen e djeshme, mesfushori i ka kthyer përgjigjen e vet trajnerit të Skënderbeut Orges Shehi, duke i thënë se brenda pak ditësh do të jetë në Korçë, pasi ka marrë edhe lejen e kalimit nga ana e klubit brazilian të Ferroviarios. Eskerdinja, pasi ka mbyllur gjithë sezonin me ekipin brazilian, është pritur edhe nga kreu i bashkisë së qytetit për t’u falënderuar për ngjitjen një kategori më sipër. Dhe duket se këtu mbaron e gjithë aventura e tij me Ferroviaron, ndërsa kalimi te Skënderbeu është e ardhmja e tij.

Leja e kalimit nga klubi brazilian është gati dhe pritet që dita-ditës Eskerdinja të niset drejt Shqipërisë për të firmosur kontratën e re me kampionët. Me ardhjen e tij, Shehi duket se kompleton mesfushën që ka pasur shumë boshllëqe. Ardhja e Eskerdinjës pritet që të rrisë konkurrencën në ekip dhe më pas vendi i titullarit do të zihet nga lojtari brazilian, që ka qenë një pikë e fortë e Skënderbeut në sezonin 2015-2016, sidomos në Europa Ligë, ku bëri paraqitje mjaft të mira.

MERKATO E MBYLLUR?

Afrimi i Eskerdinjës dhe blerja e mundshme e Stefan Vujçiç, duket se do të mbyllë përfundimisht afrimet në kampin bardhekuq dhe kjo pritet që të bëhet zyrtare pas ardhjes së brazilianit në Korçë. Kjo edhe për faktin se trajneri Shehi e ka shprehur që në fillim kur mori në dorë drejtimin e ekipit se, pavarësisht largimeve, do të bënte një ekip kompetitiv dhe nuk do të merrte lojtarë që të mbushte ekipin.

Një deklarate të tillë Shehi vijon t’i qëndrojë sërish strikt dhe për këtë arsye ka mbyllur merkaton. Shumë lojtarë kanë ardhur në provë në Korçë, por pakkush ka bindur dhe në këtë drejtim trajneri bardhekuq ka bërë përzgjedhjen e duhur.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"