EKSKLUZIVE/ Një aksioner i ri për Dinamon, flet presidenti Bardhi: Vetëm ata që kanë karakter do të veshin fanellën blu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 17:39

EKSKLUZIVE/ Një aksioner i ri për Dinamon, flet presidenti Bardhi: Vetëm ata që kanë karakter do të veshin fanellën blu

Një aksioner i ri i bashkohet Dinamos. Ai është biznesmeni lezhjan Kristian Gjidodaj, i cili ka qenë në krye të Shënkollit. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se presidenti Adrian Bardhi dhe Gjidodaj kanë arritur marrëveshjen për të investuar së bashku për Dinamon në të ardhmen. Prezantimi i aksionerit të ri, i cili do të marrë 49% të aksioneve të klubit kryeqytetas, është parashikuar të bëhet ditën e enjte. Sezonin e ri blutë do të luajnë në Kategorinë e Parë, ku objektivi do të jetë pa dyshim rikthimi në elitë, por me një skuadër që ta ketë bazën e saj.

Kristian Gjidodaj

Kristian Gjidodaj

BARDHI – I kontaktuar nga gazeta, presidenti Bardhi ka konfirmuar lajmin: “Po, kemi biseduar dhe jemi duke mbyllur marrëveshjen, që Kristian Gjidodaj të bëhet aksioner te Dinamoja. Unë do të mbaj 51%, por dua të theksoj se do ta drejtojmë Dinamon bashkërisht, do të vendosim të dy bashkë për të mirën e skuadrës. Kam shumë besim se do të bëjmë diçka të mirë, për këtë tifozët e Dinamos të jenë të bindur. Mendoj se do të jetë më mirë që të jemi dy drejtues dhe aq më tepër që Kristiani ka eksperiencë në futbollin shqiptar”, ka thënë fillimisht presidenti Bardhi.

SKUADRA E ARDHSHME – Më tej, presidenti i bluve ka pohuar për gazetën se skuadra e re do të ndërtohet shumë e fortë, me lojtarë që do t’i kenë zili të tjerët. “Projekti ynë mbetet po ai që kemi thënë: të ndërtojmë një Dinamo që të kënaqë të gjithë dinamovitët. Një skuadër premtuese për të ardhmen, të fortë dhe që të ketë një bazë të shëndoshë edhe për Superioren. Mbi të gjitha, duam një skuadër me karakter.

ARDIAN BARDHI AGIM IBRAIMI

Dhe mund të them se vetëm ata që kanë karakter do të veshin fanellën e Dinamos. Do të mbajmë disa lojtarë nga grupi aktual dhe do të bëjmë merkato. Do ta kompletojmë Dinamon, patjetër, do të marrim lojtarë me kualitet”, ka theksuar presidenti Bardhi. Ky fund kampionati sjell zhvillime të reja në kampin dinamovit, saktësisht në strukturën drejtuese të skuadrës. Sigurisht, zhvillime do të ketë edhe në grupin e futbollistëve. Pas ndeshjes me Egnatian, pritet të fillojnë edhe lëvizja e futbollistëve nga grupi aktual.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"