EKSKLUZIVE/ “Nise nga e para”, legjenda korçare apel Takajt: Të krijohet një ekip i ri me emrin… Korça (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 16, 2020 | 23:40


EKSKLUZIVE/ “Nise nga e para”, legjenda korçare apel Takajt: Të krijohet një ekip i ri me emrin… Korça (E PLOTË)

Dënimi i lënë në fuqi edhe nga Gjykata Federale si e vetmja shpresë për të fituar pafajësi, erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Të ndodhur para një fakti, në Korçë nuk shohin rrugë tjetër alternative veç dy mundësive: qëndrimin në Superiore me këtë ekip, por të ideuar ndryshe. Ose së dyti, ndërtimin e një ekipi të ri, i cili pas disa vitesh endjeje në kategoritë e ulëta, do të kthehet si faktor i rëndësishëm në vijim.

Dita Skenderbeu 

VENDIMI – Në lidhje me çështjen më të nxehtë të momentit, i pyetur nga “Panorama Sport”, mjeshtri i madh Teodor Vaso, tregon impaktin që do të ketë mbi ekipin një vendim i tillë. “Jemi në një moment historik, të jashtëzakonshëm për futbollin korçar. Detyrat që dalin përpara janë përgjegjësi e dy institucioneve: e klubit të futbollit dhe e Bashkisë Korçë si institucion i ekipit të Skënderbeut me të drejtat dhe përkatësitë e tyre ligjore. Sportdashësit korçarë e më gjerë kanë respektin dhe vlerësimin për lavdinë dhe krenarinë që ju falën këto vite.

Por tani jemi të ndodhur para faktit. Ekipi aktual në 7 vjet nuk ka asnjë motiv frymëzimi për të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Në këtë mënyrë, lojtarët cilësorë do ta interpretojnë si mangësi në perspektivën e tyre. Së dyti, për të bërë një ekip që të jetë pretendent dhe konkurrent në Superiore, duhen jo vetëm lojtarët e rinj të Skënderbeut, por edhe të tjerë cilësorë të marrë nga ekipe të tjera brenda dhe jashtë vendit. Por këtu lind pyetja: në këto kushte, a do të mundemi financiarisht t’i përballojmë?”, tha fillimisht Vaso.

Vaso2

EKIPI I RI – Më tej ish-legjenda e Kombëtares dhe Skënderbeut flet edhe për mundësinë e ndërtimit të një ekipi të ri duke ruajtur identitetin e futbollit korçar. Ai e shikon si të vetmen rrugë për t’i dhënë futbollit në Juglindje identitetin e duhur. “Formimi dhe rezultatet e ekipit të Skënderbeut 10 vjet përpara erdhën për të ndryshuar një klub që nuk ishte në elitën e Kategorisë Superiore. Atëherë u konceptua që masat e marra të krijojnë një stad të ri vlerash.

Shumë shpejt me financim të ri, trajnerë të rinj, me lojtarë të tjerë dhe me kushte të tjera stërvitore, erdhën rezultatet e një futbolli modern kombëtar dhe përfaqësi famoze në kompeticionet europiane. Unë gjykoj se tashmë ndodhemi përpara dy alternativash. Pas atij vendimi, në futboll me emrin Skënderbeu nuk marrim pjesë në kompeticionet europiane nëse nuk shlyejmë dhe 7 vite kualifikimi në Europë. Ky status detyron që në forma të tjera edhe kërkesa të reja, Skënderbeu të përfaqësohet me një vlerë tjetër gare. Ndërtimi i një ekipi të ri, për shembull Korça apo…, nëse do të ecim në rrugën sikurse u ndërtua ekipi kampion i Skënderbeut para 10 vjetësh, do të na duheshin teorikisht vetëm 3 vjet”, ka vijuar legjenda korçare.

Takaj Skenderbeu

MBËSHTETJA – Në fund ai tregon edhe se për çfarë do të kishte nevojë kjo “krijesë e re” për të pasur sukses: “Me të gjithë potencialet që ka klubi i Skënderbeut, akademinë e futbollit, kontingjentin e trajnerëve me mbështetjen e bashkisë, me përkrahjen e qytetarisë dhe sportdashësve korçarë, do ta kalojmë këtë situatë. Patjetër në një situatë të tillë problematike, për të ecur në rrugën e suksesshme të futbollit, kemi të bëjmë dhe me interpretime të tjera”, lë të hapur mundësinë e zgjidhjes legjenda e Kombëtares dhe e futbollit korçar, Teodor Vaso.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com