EKSKLUZIVE/ Ngo vjen në Tiranë, gati negociatat me kampionët e Shqipërisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Ngo vjen në Tiranë, gati negociatat me kampionët e Shqipërisë (E PLOTË)

Refik Halili tha se Majkëll Ngo nuk do të luante më futboll, pasi ishte larguar nga Tirana. Presidenti i bardhebluve i referohej më së shumti disiplinës së lojtarit dhe kapriçove të tij të vazhdueshme. Pak muaj më vonë sulmuesi anglez iu përvesh mirë klubit kampion dhe presidentit, duke thënë ndër të tjera se nuk e kishin paguar në kohë dhe se ende nuk është shlyer për periudhën kur ka qenë futbollist i Tiranës. Po të shohësh deklaratat e fundit të dy palëve, duket sikur është e pamundur që ata të bashkëpunojnë sërish.
Ngo dhe Halili
Mirëpo, në futboll kurrë mos thuaj kurrë… Arsyeja? Majkëll Ngo pritet të zbarkojë në Tiranë gjatë fundjavës, madje mund të jetë i pranishëm në kryeqytet ditën e premte, që përkon edhe me derbin e Shqipërisë.

SHANSET PËR NJË KOMPROMIS...
Tirana është në kërkim të një sulmuesi goli. Halili është penduar për zgjedhjen e Avdijajt, madje ai ka përfunduar te skuadra e të rinjve. Sasraku deri tani ka treguar cilësi mesatare, ndërsa Muçi me Grent Halilin e kanë të pamundur të mbajnë mbi shpinë gjithë sezonin sulmin e kampionëve. Prandaj, Tirana prej kohësh është vënë në kërkim të një bomberi, por a mund të gjendet kaq lehtë një i tillë, sidomos kur vjen puna për në merkaton e janarit? Vështirë… Nga ana tjetër edhe Majkëll Ngo është pa ekip ndërkohë dhe thotë se po stërvitet individualisht në Angli.

Mbetet për t’u parë forma e tij, sepse dihet që regjimi dhe disiplina nuk janë armët më të forta të anglezit. Por, ajo që e bën më të mundur hipotezën që të dyja palët të mund të nisin negociatat është fakti se sulmuesi pritet të zbarkojë në kryeqytet ditën e derbit. A mund të nisesh nga Anglia për të marrë paratë e prapambetura nga Tirana, ndërkohë që ekzistojnë transaksionet bankare? Duket shumë naive ta mendosh…

Burime pranë klubit bardheblu bëjnë me dije se do t’ia parashtrojnë një ofertë, sigurisht shumë larg 10 mijë eurove që ai kërkonte para se të niste sezoni. Nëse Majkëll Ngo bindet nga oferta, por edhe nëse do të jetë në gjendje të mirë fizike, ka shumë të ngjarë që pas një “urrejtjeje” të rilindë “dashuria”. Fundja, vetë Ngo thotë se është “çun Tirone”…

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"