EKSKLUZIVE/ “Basti” i Torasës: Tirana merr kreun! Me Skënderbeun shënuam dy gola, por njëri gjyqtar nuk e pa (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 22:50

EKSKLUZIVE/ “Basti” i Torasës: Tirana merr kreun! Me Skënderbeun shënuam dy gola, por njëri gjyqtar nuk e pa (E PLOTË)

Agustin Torasa është i qartë. Kukësi është më i fortë, sepse ka një pikë më shumë, por pas të premtes do të shihet se cili është ekipi më i fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, argjentinasi i bardhebluve tregoi se për derbin nuk ka kohë, ndërsa sfidën me Skënderbeun e quajti shumë të fortë, por të barazuar për një gabim të gjyqtarit. Argjentinasi analizoi Kukësin si dhe është i bindur se Tirana e tij do të reagojë shumë mirë.

agustin-torasa1-232141a5fe5aecae54802f62990882d0_1920x1080

Torasa, keni kaluar një ndeshje shumë të vështirë. Barazuat me Skënderbeun, në momentin që duhej fitorja?

Ishte një ndeshje e vështirë, e pranoj. E dinim gjithashtu që ata kanë lojtarë shumë të fortë individualisht dhe kjo u pa në fushë. Për mendimin tim, ne luajtëm një ndeshje të madhe. Pothuajse e gjithë sfida u zhvillua në mesfushën e tyre, për të mos folur që ishim superiorë. Shënuam dy herë gol, por njërin gjyqtari nuk e pa. Ç’të themi, nuk bëjmë polemikë, barazuam. Gjithsesi, i rëndësishëm mbetet fakti që nuk humbëm me Skënderbeun dhe mbajtëm ritmin me ekipin e kreut.

Ju thoni që Skënderbeu  ishte ndeshje e vështirë, por do të luani me Kukësin, skuadrën që ju ka mundur dy herë këtë sezon

Fatkeqësisht është e vërtetë. E di shumë mirë që ata kanë një ekip shumë të fortë. Kemi respekt për Kukësin si çdo skuadër tjetër që luajmë në kampionat, duke filluar nga e para deri tek e fundit në kampionatin shqiptar. Ata kanë pikat e forta dhe të dobëta. Këtë e dimë shumë mirë dhe i kemi studiuar. Kuptohet se edhe ata na kanë analizuar dhe i dinë pikat tona të dobëta. Në këtë plan, ai që gabon më pak, arrin të fitojë ndeshjen në kampionat dhe thellon avantazhin në renditje.

agustin torasa

Cila skuadër është më e forta sipas mendimit tuaj. Kukësi apo Tirana, duke llogaritur sigurisht lojtarët që janë në fushë?

(qesh) Mes nesh ka vetëm një pikë diferencë. Në letër ata janë më të fortë se ne, pasi kanë një pikë më shumë. Pas të premtes do të shohim. Ne duam që t’i kalojmë dhe të jemi ne më të fortët. Shpresoj që të ndodhë kështu, por si fillim duhet të djersitim shumë. Kam besim në këtë ekip dhe ndoshta do ta fitojmë ndeshjen dhe të kthehemi në vendin e parë pas shumë javësh.

Është takimi që vendos titullin, sepse cila skuadër mund tjetrën, mund të jetë më komode në renditje?

Është një ndeshje e rëndësishme, sepse në lojë janë tri pikë, por mungon shumë për të qenë në fund të kampionatit. Vendoset një tullë sigurisht. Ne duhet të luajmë deri në fund të kampionatit për të fituar titullin dhe besoj se këtë mundësi e duam dhe medoemos do ta shfrytëzojmë.

 Pas Kukësit është edhe takimi derbi. Keni fituar, keni humbur, keni luajtur me dy ekipet e kryeqytetit?

Derbin e dimë të gjithë se çfarë ndeshjeje është këtu në Shqipëri dhe në çdo vend të botës. Ka një kuptim të madh për të gjithë. Është përballja ndoshta më e rëndësishme e dy skuadrave. Ama, tani duhet të mendojmë vetëm për Kukësin. Nuk mund të them dot gjë më shumë, sepse mendjen duhet ta kemi te Kukësi.

Si fillim duhet të fitojmë me kuksianët dhe shpresoj që ta fitojmë sërish derbin. Por, e përsëris, si fillim duhet të luajmë me kuksianët dhe më pas të mendojmë për derbin me Partizanin. Nëse bëjmë kështu, humbasim përqendrimin për takimin e radhës në kampionat

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"