EKSKLUZIVE/ “Ngeca në Spanjë për afro 6 muaj gjatë Luftës Civile”, Osja rrëfen të pathëna nga viti 1997

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 22:34

EKSKLUZIVE/ “Ngeca në Spanjë për afro 6 muaj gjatë Luftës Civile”, Osja rrëfen të pathëna nga viti 1997

Safet Osja po pret me ankth ditën kur do të rinisë futbolli. Edhe pse Vllaznia nuk është në pozita fort komode, zv.trajneri është i bindur se skuadra do të rimëkëmbet në 10 javët e mbetura. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, krahu i dajthtë i Mirsad Jonuz nuk na rrëfen vetëm karantinën 67-ditore, por zbulon edhe të pathëna të kohës kur luante vetë futboll. Ish-mesfushori e ka provuar vetë në kurriz kohën kur i është dashur që të bllokohet për 6 muaj në Spanjë prej mbylljes së kufijve, por në 1997-ën shkaku nuk ishte pandemia.
safet osja

Safet, u bëmë zyrtarisht 67 ditë pa futboll. Kujtoni ndonjë ndërprerje kaq të gjatë gjatë karierës suaj?
Po, në fakt. Është ndërprerë në mars 1997. Dhe jo si pasojë e ndonjë pandemie, por për shkak të trazirave. Ai kampionat rinisi, pavarësisht problemeve të kohës.

Në ’97-ën, në fakt, nuk ra asnjë skuadër nga kategoria edhe pse rinisi sezoni. Çfarë kujtoni nga ai kampionat?
Në atë periudhë kam qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Kemi luajtur dy ndeshje me Shqipërinë në Spanjë dhe pas këtyre ndeshjeve kam qëndruar rreth 6 muaj atje. Jam rikthyer në shtator të vitit 1997 në Shqipëri për t’u bashkuar me Vllazninë dhe për të startuar një tjetër kampionat të vështirë.

Si mendoni se duhet të veprojë FSHF për këtë sezon, gjithnjë nëse futbolli nuk rinis? Mos duhet t’u japë edhe një shans të gjitha ekipeve dhe të mos merren vendime në bazë të renditjes?
Unë mendoj se do ishte më mirë që të zhvillohet sërish kampionati. Nëse nuk starton, do të ishte një humbje në të gjitha aspektet. Unë jam “pro” rifillimit të futbollit.
Vllaznia-Bylis
Si e keni parë Vllazninë këtë sezon?
Vllaznia në përgjithësi ka bërë ndeshje të mira, por në shtëpi kemi lënë shumë pikë. Kjo është gjëja që më ka zhgënjyer më shumë. Ajo që më pëlqen është se grupi funksionon mirë dhe është harmonik.

E mendoni ekipin në një pozicion më lart se ai aktuali?
Pa dyshim. E thashë edhe më sipër, kemi lënë pikë brenda në shtëpi. Por, nëse rifillon kampionati, në ndeshjet e mbetura do të
bëjmë shumë për të mos e mbyllur në pozicionin aktual.

Ju keni komunikim të vazhdueshëm me teknikun Jonuz, cili është shqetësimi që ai ka në këto momente?
Po, kemi kontakte çdo ditë. Ai na udhëzon si ne edhe lojtarët për të zhvilluar stërvitje individuale. Interesohet për çfarë po ndodh dhe është në korrent të gjithçkaje.

Jemi në kohë karantine dhe njerëzit bëhen nostalgjikë. Cili mendoni se është pengu më i madh juaji dhe kujtimi më i bukur që keni nga futbolli?                                                                                                                                             Mund të kisha arkivuar më shumë tituj kampionë me Vllazninë, por edhe ekipin e Elbasanit për të cilin kam kontribuuar. Ky është pengu im më i madh. I kemi shkuar shumë pranë titullit, por kam mundur ta fitoj vetëm një herë me Vllazninë dhe një herë me Elbasanin. Ndërsa kujtimi më i bukur në karrierën time, janë titujt kampion që kam marrë me të dyja ekipet, e po ashtu edhe Kupa e Shqipërisë në 2008-ën me Vllazninë pikërisht në Elbasan.

A mbani mend ndonjë grimcë humoristike nga periudha kur keni qenë pjesë aktive e futbollit?                            Në ekip ka patur përherë batuta, sidomos te Vllaznia. Unë nuk dua të harroj humorin e hollë të trajnerit Hysen Dedja, apo Ferit Borshi e Sait Çanga, por edhe mjeshtrit të madh Zan Rragami, pa lënë mënjanë kurrsesi doktorin Zyhdi Çoba. Ata e kanë mbajtur gjithmonë atmosferën ndezur. Ata e kanë patur batutën në majë të gjuhës, siç themi ne shkodranët. Ndërsa nga futbollistët janë shquar për humor fin Gjergj Shllaku e s’ka lënë gjë pas edhe Elvis Plori, miq shumë të mirë për mua. Më kujtohet në vitin 1997-1998 në një ndeshje pata thyer shpatullën duke bërë një roveshatë.

Ulem në pankinë dhe aty vjen një fotograf dhe më thotë: “Sa foto e bukur që ka dalë”. Gjergj Shllaku ndërhyn: “Safet s’paske nevojë më për grafi”. Po ashtu nuk harroj edhe humorin e Plorit në kohën kur ekipi drejtohej nga profesor Zan Rragami. Ky i fundit na thotë: “Të gjithë në pozicionet tuaja”. Kur papritmas sheh se në fushë janë vetëm 10 lojtarë. Visi (Plori) ishte ulur në stol dhe trajneri i kthehet: “Po ti, çfarë je duke ba”. Dhe përgjigjja e Visit ishte epike: “Në pozicionin tem profesor”.

ADMIR URUÇI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"