EKSKLUZIVE/ Nga Xherard te Reja, rrëfehet Grezda: Nuk ika pa shkak nga Kombëtarja! Ju tregoj provokimin e sherrit në Skoci (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 23:31

EKSKLUZIVE/ Nga Xherard te Reja, rrëfehet Grezda: Nuk ika pa shkak nga Kombëtarja! Ju tregoj provokimin e sherrit në Skoci (E PLOTË)

Eros Grezda po kalon momentin më të sikletshëm në karrierën e tij. Djaloshi i Kombëtares pa në merka ton e verës që t’i mbylleshin dyert e skuadrës së parë të Rejnxhërsit, por kurrsesi nuk pranon të jetë bërë pishman që e zgjodhi.

Grezda

Si të mos mjaftonte kjo, në Kombëtare një bisedë nuk shkoi mirë me trajnerin Edi Reja dhe 24-vjeçari u largua nga grumbullimi. Më tej, një sherr i raportuar bëri bujë në Skoci, ku shqiptari vihej në qendër të debatit si personazhi negativ.

Djaloshi nga Gjakova, ekskluzivisht për “Panorama Sport“, rrëfehet “pa doreza”. Sulmuesi anësor tregon raportin me Xherrardin, dëshirën e tij për janarin, Kombëtaren dhe mbi të gjitha arsyet pse iku nga ai grumbullim. “Skema? Unë kam luajtur me 3-5-2 te Lokomotiva e Zagrebit”, tregon ndër të tjera Grezda, duke zbuluar edhe prapaskenën e atij sherri të raportuar. “U fry gjithë ai lajm në media nga asgjëja”, sqaron futbollisti i Kombëtares për gazetën.

eros grezda

Grezda, 3 gola në ndeshjen e fundit të Kupës, duke i dhënë kualifikimin ekipit U-21. Si u ndiet me atë shpërthim?

Nuk është se po kaloj një moment të mirë, siç e dini të gjithë, sepse kam pasur një periudhë shumë të vështirë, duke mos u aktivizuar në ekipin e parë, por vetëm me atë të dytë. Mirëpo, nga e gjithë kjo gjë e keqe kam nxjerrë diçka të mirë. Jam duke punuar shumë fort për veten time. Edhe në ndeshjet që po zhvilloj me ekipin e dytë, po bëj maksimumin që të mbaj formën dhe të zhvilloj ndeshje sa më të mira.

Ku e gjeni forcën për të reaguar në këtë mënyrë, pas gjithë situatës që kaluat?

Është një pyetje që realisht ma kanë bërë shumë veta, sepse të motivosh veten dhe të bësh lojëra të mira në ekipin e dytë apo të tregosh gjithmonë formë në ekipin e dytë nganjëherë është shumë e vështirë. Por, nga të gjitha momentet e këqija, nga të gjitha episodet negative, kam marrë forcën dhe e kam shtyrë veten çdo ditë, duke besuar fort se do të vijë momenti që të më shpaguhet e gjithë kjo që po bëj. Këtu e marr forcën dhe motivimin që t’i luaj ndeshjet me ekipin e dytë sikur të ishin ndeshje Champions Lige.

Çfarë mesazhi ju tha trajneri i U-21 pas tripletës në Kupë?

Ky tregolësh erdhi pas një tjetër goli që realizova në ndeshjen paraardhëse, pra kam shënuar 4 herë në 2 takime radhazi. Trajneri ishte shumë, shumë i lumtur, sepse ekipi i dytë i Rejnxhërs nuk e kishte kaluar asnjëherë fazën e parë të grupit. Fakti që jemi në çerekfinale, ishte moment shumë i gëzueshëm dhe i lumtur për ta. Kanë marrë përgëzime nga të gjithë, nga drejtuesit e skuadrës si dhe nga trajneri Stiven Xherrard.

Si është ekipi i U-21 i Rejnxhërsit?

Një skuadër e mirë, sepse në të ka shumë çuna të talentuar dhe lojtarë shumë të mirë. Më bëhet vërtet qejfi që kanë arritur një sukses të tillë.

Pak javë më parë, është raportuar një zënkë juaja në fushë dhe një e pështyrë kundrejt një kundërshtari tuaj. Si është e vërteta?

Kur luan në këto nivele, do të marrësh provokime nga shumë futbollistë që janë edhe në nivele më të ulëta, sepse janë më tepër të motivuar kur ata gjejnë përballë futbollistë të ekipit të parë të Rejnxhërsit. Kështu që, isha provokuar gjatë gjithë ndeshjes.

eros grezda

Në çfarë mënyre, sepse futbolli ka edhe lojë nervash?

Më bënin faulle pa pasur topin në zotërim. Më flisnin edhe gjëra të këqija. Mirëpo, e rëndësishme është që në asnjë moment unë nuk e kam pështyrë atë. OK, normale që pati një reagim nga unë gjatë një momenti, por kurrsesi një të pështyrë.

Po në media u tha se ju e bëtë një gjest të tillë…

Ai lojtari ishte pikërisht personi që e futi nëpër gazetat lokale e më pas u shpërnda gjithandej lajmi. Ishte po ai që erdhi pas ndeshjes të më japë dorën, por nuk ia kam dhënë. Nuk pranova ta takoja, sepse ishte i pisët gjatë gjithë ndeshjes. Për këtë, bëri atë që bëri në media, duke folur keq për mua.

Pati edhe një kërcënim që do të largoheshit fare nga klubi për këtë gjest…

Kam folur me klubin për këtë dhe u kam kërkuar atyre video apo një fakt çfarëdo që të provonte këtë lajm që u shpërnda. Prova që asnjëherë nuk u gjetën dhe mbetën vetëm fjalë dhe gjëra kot. Në Angli apo Skoci, është një sistem ndryshe, pasi në një incident, sado i vogël të jetë, i fryjnë shumë gjërat. Kështu ndodhi edhe me mua, sepse nga asgjëja u fry në diçka shumë të madhe për disa ditë në media.

Edhe Xherrard deklaroi se s’do të kishte vend për ju pas këtij incidenti në rast vërtetësie. Si është raporti me trajnerin e Rejnxhërsit?

Po, kam folur. Kam biseduar për këtë rast, ia kam treguar gjithçka ka ndodhur dhe është OK. Ai e di të gjithë rastin se çfarë ndodhi në atë ndeshje.

Çfarë ju ka thënë ai për të ardhmen tuaj, pasi në merkaton e verës nuk ju mori në ekip. I keni dyert e hapura për një shans të dytë apo duhet të gjeni ekip tjetër?

Për këtë, kemi folur me Xherrardin në muajin gusht, për çështjen time. Për këtë temë, nuk kemi folur më pas asaj periudhe. Mua më intereson vetëm që të luaj, nuk ka më rëndësi nëse ekipi do të jetë Rejnxhërs apo cilido tjetër. Për momentin, dua vetëm të rikthehem edhe një herë në formën time, në nivelin ku kam qenë. Ky është synimi i vetëm i momentit.

Çfarë prisni nga merkatoja e janarit?

Jam shumë gati për t’u kthyer në nivelin më të mirë ku kam qenë. Prandaj, do të bëj të pamundurën që të rikthehem te Rejnxhërs. E nëse aty nuk ka vend, atëherë do të lëviz dhe do të shkoj aty ku do të më garantohet që do të luaj dhe të kem mundësinë që të rigjej formën time më të mirë që kam pasur.

grezdaa

A ju ka munguar Kombëtarja?

Normale që po. Kombëtarja është gjëja që më mungon më së shumti në futboll, por rrethanat e kanë bërë të vetën që të mos jem me grupin.

Pas kaq kohësh, keni peng për çfarë ndodhi në grumbullimin e fundit në Kombëtare? A jeni penduar?

Nuk kam bërë ndonjë gjë të keqe unë që të më mbesë peng. Ishte vendimi i trajnerit që nuk më kishte mua në plane. Kaq…

Si e keni parë Kombëtaren nga jashtë dhe çfarë ju ka pëlqyer më së shumti?

Ekipi ka bërë shumë mirë. Të them të drejtën, më ka pëlqyer loja sulmuese. Disa lojtarë të rinj që kanë ardhur në skuadër kanë sjellë shumë volum në lojën e Kombëtares.

Keni qenë disa herë me atë grup që na çoi në Europian. Mendoni se ka mundësi Kombëtarja të jetë më e fortë se në atë kohë?

Normale që ka mundësi, por duhet thënë se grupi i Europianit ka qenë shumë i fortë. Unë kujtoj, kur u afrova në Kombëtare, menjëherë pas Europianit, ishte supergrup në çdo aspekt… Ama, për aktualitetin mendoj se diçka e mirë te ne shihet në faktin që kemi potencial. Mendoj se duhet të punohet shumë dhe le të shpresojmë që edhe rezultatet do të na vijnë, siç të gjithë i duam.

Grezda, sa mendoni se ju penalizon skema 3-5-2 në Kombëtare?

Në fakt, unë kam luajtur me skemën 3-5-2 kur kam qenë te Lokomotiva e Zagrebit, kështu që nuk është një formacion që nuk e luaj dot. Mirëpo, për momentin trajneri i Kombëtares nuk më sheh në atë skemë, kështu që nuk ka problem dhe nuk do të thotë që unë s’duhet të vazhdoj punën time.

grezda

A keni biseduar me Rejan pas asaj që ndodhi në grumbullimin e fundit?

Nga ajo ditë që kur kam ikur, nuk më ka marrë askush nga Kombëtarja. Nuk më ka kontaktuar askush. As që të më pyesin për gjendjen fizike për shembull ose se çfarë po bëj. Fare, fare… ndaj nuk di çfarë të them. Normalisht që unë i kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Kombëtares dhe i dëshiroj vetëm më të mirën, por nuk më ka kontaktuar asnjeri.

Po vijoj, sepse trajneri është shprehur se ka qenë vendimi juaj për t’u larguar… Mendoni se kjo është arsyeja që nuk ju kontaktuan më?

Do ta lë në versionin e tyre, por askush nuk largohet pa një shkak.

Çfarë ka ndodhur?

Për një shkak të fortë, madje. Por, unë ua kam lënë në dorë atyre. Kaq dhe nuk them dot më shumë.

Kur keni qenë në formën më të mirë në Kroaci, keni deklaruar se Gjermania ishte liga juaj e preferuar. Nëse keni mundësi zgjedhjeje, cilin kampionat do të zgjidhnit?

Sërish Gjermaninë. Është kampionat që ka shumë hapësira dhe mendoj se është liga ideale për një lojtar si unë.

Jeni penduar që pranuat Skocinë?

Jo, sepse kam ardhur në një superklub. Mirëpo, futbolli ka edhe momente të këqija.

Në rrjete sociale, babai shihet gjithmonë me ju. Çfarë roli ka pasur ai, mbi të gjitha në këtë periudhë të vështirë që keni kaluar?

Babai im ka qenë dhe do të jetë gjithmonë forca ime më e madhe. Edhe në momentet më të mira, por edhe në ato më të vështirat apo më të këqijat, ai ka qenë njeriu i parë afër meje. Edhe tani, ai luan një rol shumë, shumë të madh tek unë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"