EKSKLUZIVE / Nga titulli me Astana, te Kombëtarja. Bitri: Kaçe e Mala shtojnë sigurinë për Partizanin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 23:03

EKSKLUZIVE / Nga titulli me Astana, te Kombëtarja. Bitri: Kaçe e Mala shtojnë sigurinë për Partizanin kampion

Ish-mbrojtësi i Partizanit, Eneo Bitri, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka analizuar nisjen “jo” të Partizanit. Si një mbrojtës, Bitri mund ta kuptojë më mirë se kushdo se ku është problemi i Partizanit me gabimet në prapavijë dhe, sipas 25-vjeçarit të Astanës, ka mungesë përqendrimi.

bitri

Eneo, po mbani vendin e parë në Kazakistan me ekipin tuaj. Realisht, sa pranë titullit kampion jeni?
Po, kanë ngelur edhe 5 ndeshje nga përfundimi i kampionatit dhe kemi kalendarin në favor. Por, do të shohim deri në fund, sepse në futboll ndodhin të papritura. Shpresoj ta mbyllim si kampionë…

Po bëni paraqitje të mira dhe jeni titullar i padiskutueshëm. Si kanë qenë këto javë për ju tek Astana?
Deri më tani, i kam luajtur të gjitha ndeshjet si titullar. Shpresoj të bëj sa më mirë në çdo ndeshje dhe dua të rritem akoma edhe më shumë të them të drejtën, pasi jam ndier shumë komod këtu, sepse çdo gjë funksionon shkëlqyeshëm.

Në rast se fitoni edhe titullin në Kazakistan, mendoni se e meritoni një grumbullim me Kombëtaren?
Ftesa në Kombëtare është diçka që do ta dëshiroja, por duke bërë akoma më mirë këtu, them se do të vijë një ditë.

Nga ana tjetër, Partizani nuk e ka nisur siç duhet kampionatin. Si ju është dukur ekipi?
Në fakt, është grup i ri dhe duhet të njihen lojtarët me njëri-tjetrin. Në ndeshjen e fundit me Skënderbeun, Partizani meritonte më shumë, por në futboll këto janë gjëra normale.

Sa e rëndësishme është, sipas jush, që të eliminohen gabimet në mbrojtje, pasi e njihni mirë si pozicion?
Mendoj se është më shumë çështje përqendrimi, që të bësh sa më pak gabime në lojë, por futbolli është lojë gabimesh dhe fiton ai që gabon më pak. Të gjithë kemi gabuar dhe do gabojmë, sepse kështu mësojmë.

Afrimet e Partizanit si ju janë dukur?
Mendoj se Partizani ka bërë afrime këtë sezon në repartet ku kishin nevojë dhe duan kohën e tyre që të ambientohen me skuadrën. Për sa u përket afrimeve të fundit, Ergys Kaçe dhe Mala, i kanë dhënë siguri të madhe ekipit për të shkuar drejt titullit kampion.

Bitri

Pas dy javëve të para, çfarë përshtypjeje ju ka lënë Partizani?
Siç e theksova edhe më lart, Partizanit i duhet dhe pak kohë që grupi të shkojë si duhet, pasi ka lojtarë me shumë kualitet në ekip, që bëjnë diferencën në Superligën shqiptare.

Deri ku mund të arrijë ky ekip?
Unë them që Partizani është për titull, pasi i ka kualitetet për të dalë kampion, por kampionati shqiptar është i vështirë dhe rruga është e gjatë.

Një mendim i sinqertë, a i mungon Bitri Partizanit?
Në fakt, Partizanit nuk i mungon asnjë lojtar, sepse të gjithë janë kalimtarë aty…

Bisedoni ende me futbollistët e Partizanit, çfarë ju thonë, si është situata aty?
Po, flas me disa prej çunave aty. Situata te Partizani dihet, nuk kanë presion nga presidenti apo stafi për rezultate, por më shumë ka presion fanella, sepse dihet pesha e Partizanit në futbollin shqiptar, ku luan gjithmonë vetëm për titull kampion.

A duhet të besojnë tifozët e Partizanit te kjo skuadër dhe te titulli kampion?
Po, ata duhet të besojnë deri në fund për skuadrën dhe t’i mbështesin pa kushte, në çdo moment janë lojtari i 12- të për skuadrën.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"