EKSKLUZIVE/ Nga thyerja e rekordit 50-vjeçar tek e ardhmja dhe dëmtimi i Sabien Lilaj, rrëfehet Uzuni: S’do t’i marrim lekët në varr…! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 17:09

EKSKLUZIVE/ Nga thyerja e rekordit 50-vjeçar tek e ardhmja dhe dëmtimi i Sabien Lilaj, rrëfehet Uzuni: S’do t’i marrim lekët në varr…! (E PLOTË)

Sulmues me të ardhme të artë dhe një njeri me zemër të madhe. Myrto Uzuni po shkëlqen në këtë start sezoni me Ferencvaroshin, teksa pas tri ndeshjesh në Champions ka shënuar katër herë, më shumë sesa çdo sulmues tjetër në këtë fazë kualifikuese. Sulmuesi i Kombëtares ka edhe aspektin njerëzor, për t’u vlerësuar shumë herë më shumë sesa forma speciale që tregon në fushën e lojës, sidomos në dy vitet e fundit, kur karriera e tij është gjithnjë në ngjitje të rëndësishme. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Uzuni tregon ecurinë, sekretin e formës së tij, regjimin e rreptë stërvitor dhe ushqimor, si dhe episodin fatkeq për Sabien Lilajn, i cili mbeti i dëmtuar dhe përfundoi në spital. Bomberi i Kombëtares, një njeri me zemër të madhe, ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet dhe ka një mesazh domethënës për jetën: “Jemi njerëz në fund të fundit dhe lekët nuk do t’i marrim në varr. Kur kemi mundësi që të bëjmë mirë, pse të bëjmë keq?!”, shprehet ndër të tjera Myrto Uzuni për gazetën.

Uzuni

Uzuni, keni bërë një start të mbarë edhe këtë sezon. Si ia bëni që keni të njëjtën formë, njësoj siç e latë fundin e edicionit të shkuar, edhe pse pushuat 6 javë prej dëmtimit?

Jam shumë i lumtur që ndodh pikërisht kështu siç thoni ju. Më gëzon kjo formë dhe fakti që po e rifilloj sezonin siç e lashë fundin e vjetshëm, duke shënuar gola. Normalisht kjo formë nuk është aspak një rastësi, pasi vjen falë punës që bëj dhe përkushtimit që kam për formën time fizike dhe atë teknike. Nuk është rastësi apo fat… unë punoj çdo ditë që të përmirësoj diçka te vetja ime, stërvitem shumë, i dedikohem plotësisht. Çdo ditë ia dedikoj stërvitjes…

Keni një program special stërvitor, veçmas ekipit?

Stërvitja me ekipin është e plotë dhe shumë profesionale, me çdo komponent. Mirëpo, unë stërvitem edhe individualisht në aspekte të ndryshme. Rri pas stërvitjeve në fushë të ushtroj goditjen time nga pozicione të ndryshme, në mënyrë që të përmirësohem sa më shumë për rastet që më jepen para portës.

Po për ushqimin, çfarë regjimi mban Uzuni?

Unë në jetën time nuk kam konsumuar asnjëherë kafe apo alkool. Nuk ua di shijen që kanë. Unë konsumoj vetëm ushqime të shëndetshme. Jo me detyrim, por më janë shndërruar në ushqimet e preferuara. Më së shumti konsumoj oriz, pulë dhe të gjitha llojet e sallatave. Gjithashtu konsumoj shumë lëngje pa gaz.

Katër gola në tri ndeshjet e para në Champions këtë sezon.

Duket si kompeticioni juaj i preferuar… Kur bëhet fjalë për Champions-in, është një emocion tjetër, i veçantë dhe motivohesh vetvetiu edhe më tepër. Përtej kësaj, unë besoj që fusha është rezultat i punës që bëhet në stërvitje dhe në vazhdimësi për një kohë të gjatë… Punoj shumë për të arritur këtu ku jam.

Me tripletën ndaj Prishtinës thyet një rekord 50- vjeçar te Ferencvaroshi. Çfarë përshtypjesh morët nga klubi për këtë?

Në klub janë të gjithë shumë të kënaqur që nga momenti që kam mbërritur te Ferencvaroshi. Unë ua kam bërë të qartë që në ditën e parë se arsyeja pse kam ardhur këtu është që të lë gjurmë në këtë ekip. Ata më besuan dhe unë po ua shpërblej besimin që kam marrë prej tyre.

Si ishte për ju përfundimi i ndeshjes me tre gola ndaj Prishtinës?

Ishte normale që të kisha emocione, që pa nisur ajo ndeshje. Unë për herë të parë po përballesha me një ekip shqiptar, duke qenë pjesë e një skuadre të huaj. Megjithatë, kur dal në fushë, dua që të shënoj kundër çdo skuadre me të cilën luaj.

Si ju duk Prishtina?

Prishtina kishte një ekip të konsoliduar. Ata bënë një ndeshje të mirë në Budapest. Gjithsesi, u uroj suksese në vazhdim. Sezoni i dytë në Hungari, cilat janë objektivat e Uzunit? Vitin e parë kam dashur 15 gola dhe ia arrita qëllimit. Këtë vit dua të shënoj 20! Me klubin për momentin fokusi është që të shkojmë sa më larg në kupat e Europës, të fokusohemi ndeshje pas ndeshjeje duke dhënë më të mirën dhe duke kërkuar maksimumin.

E ardhmja juaj, ka shpesh zëra merkatoje nga drejtime të ndryshme? Cila është dëshira e Uzunit?

Për momentin jam shumë i fokusuar te ndeshja e radhës. Dikur kam qenë shumë i shpërqendruar në të tilla lajme. Kur kam qenë në Shqipëri me Apoloninë… doja të ikja dhe harrova të luaja futboll. Për sa i përket çdo ekipi që ka dëshirë për shërbimet e mia, mirë se të vijë. Klubi këtu është, të diskutojnë dhe bien dakord me të. Unë dua të shënoj sa më shumë gola me Ferencvaroshin! Këtë mendoj aktualisht.

Si ishte episodi me Sabien Lilajn. Çfarë ndodhi, sepse përfundoi në spital?

Kam biseduar me Sabienin para dhe pas ndeshjes. Uroj që të rikthehet edhe më i fortë se më përpara.

A është e vërtetë që ju i keni marrë përsipër shpenzimet e të gjithë trajtimit dhe rikuperimit?

Normalisht unë kam vuajtur vetë dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të mos kesh. Në 80% të rasteve, unë nuk kam pasur dhe askush nuk ma ka shtrirë dorën për të më ndihmuar. Ndaj unë e di se çfarë do të thotë kjo gjë. Jemi njerëz në fund të fundit dhe lekët nuk do t’i marrim në varr. Kur kemi mundësi që të bëjmë mirë, pse të bëjmë keq?!

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"