Ekskluzive/ Nga Takaj te Gjici, Jemini bën “skenarin” e presidentëve dhe tregon tentativat për korrupsion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2017 | 18:10

Ekskluzive/ Nga Takaj te Gjici, Jemini bën “skenarin” e presidentëve dhe tregon tentativat për korrupsion

Lorenc Jemini i ka dhënë fund arbitrimit. Pa dëshirën e tij, madje me një pezullim që e cilëson ende të mistershëm. “Ndoshta u bëra shembull për të nënshtruar të tjerët. Kur flaket kështu një arbitër me stemën e FIFA-s, çfarë do të bëjnë ata të rinjtë që janë në hapat e parë?”, thotë fillimisht arbitri në rrëfimin e tij për “Panorama Sport”.

Lorenc Jemini

Por kush e dënoi Jeminin? Çfarë gabimi bëri ai? A ndërhyn Duka te arbitrat…? Janë pyetje që ish-gjyqtari i shquar u jep përgjigje. Therës në disa raste dhe në disa të tjera diplomat, por pa dyshim që Jemini këtë herë nuk i kursen “kartonët” për të gjithë. “Ka korrupsion tek arbitrat. Në Shqipëri nuk mund të jenë gjyqtarët e futbollit pjesa më e pastër kur ka korrupsion në të gjitha aspektet e shoqërisë”, shton më tej kolonjari.

jemini

Po presidentët e klubeve ose drejtues të tyre ju merrnin në telefon?

Ka ndodhur ndonjëherë edhe kjo, por unë kam qenë tip i ftohtë. Nuk kam lejuar raporte të afërta me ta.

A keni pasur ndonjëherë urdhra nga lart për një ndeshje të caktuar?

Po, ka ndodhur. Por nuk është fjala “urdhër” termi i duhur. Më shumë kanë qenë “orientime”.

A keni pasur ndonjëherë urdhra nga lart për një ndeshje të caktuar?

Po, ka ndodhur. Por nuk është fjala “urdhër” termi i duhur. Më shumë kanë qenë “orientime”.

Orientimet kanë qenë për të favorizuar një ekip apo për të penalizuar dikë tjetër?

Jo, nuk e kisha këtu fjalën. Orientimet kanë qenë për të bërë kujdes me një skuadër që fjala vjen mund ta kishte pësuar shpesh nga gabimet arbitrare. Siç është rasti i Flamurtarit tani…

Çfarë ndodh në kësi rastesh?

Ndodh që zyrtarë të arbitrimit i tërheqin vëmendjen ose e këshillojnë arbitrin që shkon atje, duke i thënë: “Bëj kujdes! Mbaje sa më mirë, etj…”. Por kjo shpesh ngatërrohet nga arbitrat, ose “lexohet” keq nga ata.

Që do të thotë?

Që do të thotë se ata pastaj nga frika, tensioni, apo edhe për dobësi të karakterit nisin ta favorizojnë ekipin për të cilin mund t’u jetë dhënë ndonjë orientim. Kjo shpeshherë nxit edhe një gjykim jo fort korrekt. Arbitrat duhet të bëjnë ndarjen nga këshillat miqësore, me urdhrat apo direktivat.

Ju keni marrë ndonjëherë urdhër nga zyrtarë të arbitrimit apo të FSHF-së për të ndikuar direkt në rezultatin e ndeshjes?

Jo, asnjëherë.

Po arbitrat e tjerë?

Nuk e di. Unë flas për veten time.

A ka arbitra të korruptuar në Shqipëri?

Besoj se po. Ka korrupsion edhe tek arbitrat. Në Shqipëri nuk mund të jenë gjyqtarët e futbollit pjesa më e pastër kur ka korrupsion në të gjitha aspektet e shoqërisë. Të mos bëhemi hipokritë…

Ju njihni ndonjë të tillë?

Jo, por kjo nuk përjashton mundësinë që të ketë.

Juve kanë tentuar t’ju korruptojnë ndonjëherë?

Ndoshta edhe ka ndodhur. Në nivele ordinere…

Si për shembull…?

Ka pasur njerëz që as i njihja dhe as i kisha parë ndonjëherë që në hyrje të stadiumit, apo në rrethana të tjera më janë afruar edhe më kanë thënë “hap gojën, fol sa para do, t’i jap unë edhe na ndihmo të fitojmë…”.

Po ju çfarë keni bërë?

Atë që duhet të bëjë çdo arbitër, i kam shmangur.

Po ndonjë president klubi a ka tentuar t’ju korruptojë?

Jo, nuk më ka ndodhur ndonjëherë. Por jua thashë, kam mbajtur raporte të baraslarguara me ta.

Ç’mendim keni për Ardjan Takajn?

I urtë në shumicën e kohës. Nuk përzihet, nuk të vë në presion. Me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Gjithsesi, kohët e fundit edhe ai shprehu kritika ndaj meje, duke më etiketuar edhe si mjeshtër. Por nuk mërzitem.

Po për Refik Halilin?

Tiranas safi. Qytetar, i urtë, asnjëherë problematik.

Po për Gaz Demin?

E njëjta gjë. Qytetar, nuk përzihej kurrë. Nuk e kam parë kurrë në tunel.

Po Hasanbelliu?

E njoh shumë pak. Është ndër ata që qëndron vetëm në tribunë, nuk zbret kurrë poshtë. Shumë pak kontakte.

Po Safet Gjici?

Korrekt, i pasionuar. E tepronte ndonjëherë kur zbriste poshtë ngaqë e mbërthenin emisionet e ndeshjes, por asnjëherë problematik.

Nexhat Bizhdili?

Oh, nga ai më ka mbetur një gjë në mendje, që nuk do ta harroj kurrë. Përveçse i sjellshëm, më kujtohet se kur Besa luante për titull erdhi njëherë në dhomat e zhveshjes edhe na tha: “Ju lutem, dua vetëm drejtësi. Po mundët, tregohuni të drejtë dhe korrektë”. Më ka ngelur në mendje, sepse ishte rasti i vetëm kur një president që luante në fushën e tij kërkonte vetëm drejtësi. Kam respekt për të.

Po Sinan Idrizi?

E njoh shumë pak. Asnjëherë nuk ndërhyn, asnjëherë nuk zbret në pushim të ndeshjes.

Po Arben Laze?

Babaxhan.

Po Albert Xhani?

Kam një histori me të në vitin 2009, kur Partizani për fat të keq ra nga kategoria. Pas ndeshjes së fundit iu vërsul anësorit dhe e goditi. Brenda në tunel më thoshte mua se “nuk kam gjë me ty”, por derisa goditi anësorin, edhe me mua do kish diçka…

Valter Fushaj?

Na çuat shumë larg… Kërkues, hera-herës ngrinte tonet, por vetëm për të evituar që të mos e dëmtonin me dashje. Thuajse asnjë kontakt me të…

*** Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm print të gazetës “Panorama Sport” ***

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"