EKSKLUZIVE/ Nga Superiorja, te Duka, Panuçi e Kombëtarja, rrëfehet Cana: Ja lideri i ri i Shqipërisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Nga Superiorja, te Duka, Panuçi e Kombëtarja, rrëfehet Cana: Ja lideri i ri i Shqipërisë (E PLOTË)

Shqipëria nis edicionin e ri për Ligën e Kombeve me synimin për të arritur në Europian, ndërkohë që për të nis edicioni i dytë i paangazhuar në futbollin e luajtur. Një jetë në Kombëtare dhe një jetë me futboll, bëjnë që Lorik Cana të jetë momentalisht shumë i lidhur dhe i informuar për çfarë ndodh me kuqezinjtë, por edhe kampionatin shqiptar. Duke jetuar në Tiranë, ish-kapiteni i përfaqësueses gjen mundësinë për të ndjekur skuadrat e kryeqytetit dhe njëkohësisht edhe ekipet e tjera të Superiores që vijnë në “Selman Stërmasi”. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Cana flet edhe për talentin e ri të Bajernit të Mynihut dhe kontaktet me familjen e tij. Miqtë në fushë dhe jashtë saj, analiza e Kombëtares, lideri dhe talentet e përfaqësueses e shumë të tjera marrin një koment nga ishkapiteni. Nuk mund të mungojë një krahasim mes De Biazit dhe Panuçit. Cana ka edhe një opinion rreth çështjes “Agolli”, madje, jo pak të ndryshme nga i gjithë opinioni sportiv, referuar sjelljes së trajnerit italian me kapitenin aktual të përfaqësueses.

CANA2

Çfarë po bën Cana aktualisht?

Nga muaji shtator besoj do të stabilizohem në Shqipëri, deri në vitin e ardhshëm. Do të jem këtu, sepse projektet me fondacionin apo edhe me Champions-in, pa harruar edhe projektet jashtë sportit me kompaninë e teknologjisë në Kosovë, në të cilën jam i përfshirë dhe partner si dhe afërsia me babanë, Agimin, i cili është në momentin kyç sa i përket projektit që kërkon të ketë për klubin e Vllaznimit të Gjakovës. Besoj se përputhen kushtet të gjitha, duke jetuar në Tiranë. Prezenca më e vazhdueshme në secilën më detyrojnë që të rri këtu.

Edhe familja?

Po, po jetoj me bashkëshorten dhe djalin. Ndihem mjaft mirë. Gjithashtu kam mundësinë që të shkoj shpesh në Gjakovë apo Prishtinë, si edhe familja të vijë të më shohë. Tani kam mundësi që t’i jap kohë edhe familjes dhe këtyre angazhimeve, pas gati 15 viteve që kam qenë shumë i zënë.

canaaa

A e keni ndjekur ndopak kampionatin shqiptar gjatë kësaj periudhe?

Kam pasur mundësi që pas lënies së futbollit, ta ndjek më shumë. Përpara nuk është se kishim shumë mundësi për ta ndjekur kampionatin shqiptar. Tani prezenca e televizionit është shtuar dhe koha ime në Tiranë më lejon që të shkoj të ndjek disa ndeshje. Vitin e kaluar kam parë shumë ndeshje, shpesh në Tiranë dhe ka qëlluar të jenë ndeshjet e Partizanit. Këtë vit do të vazhdoj ta ndjek, pasi është kthyer edhe Tirana dhe do ta ndjek edhe atë. Duke ndjekur kryeqytetaset, mund të Cana: Si shpëton futbolli shqiptar Cana: Si shpëton futbolli shqiptar Cana: Si shpëton futbolli shqiptar “Ka përmirësim të dukshëm, por duhet të mbështesim të rinjtë dhe të rritet besueshmëria” Ish-kapiteni thyen heshtjen: Duhen investime afatgjata dhe drejtues të aftë klubesh shoh edhe ekipet kundërshtare, si Skënderbeu, Kukësi, Flamurtari, etj.

Meqë po jetoni këtu, çfarë ju bën përshtypje në futbollin shqiptar?

Ka një përmirësim të kushteve deri diku dhe përmirësime në terrenet e fushave që janë OK. Në tërësi shoh përmirësime. Futbolli është duke u përmirësuar edhe sa i përket nivelit, pasi shoh ekipe që investojnë dhe kanë buxhete të rëndësishme referuar kampionatit tonë. Megjithatë, duhet që kjo uri për kampionatin të shoqërohet me një punë të madhe për bazat dhe për moshat, duke vazhduar të investohet edhe te infrastruktura që është diçka e jashtëzakonshme. Duhet patjetër që të investohet në formimin e trajnerëve, pasi do të jenë në krye të ekipeve zinxhirë me programet e federatës, e cila po mundohet që të edukojë sa më shumë trajnerë.

Çfarë ju jep shpresë në futbollin shqiptar?

Janë dy gjëra: E para, që njerëzit tanë e dashurojnë futbollin. Të gjithë e shohin dhe jetojnë pas tij. Dhe, pas një kohe tranzicioni, ku secili e kishte një skuadër zemre, janë duke u identifikuar me një ekip dhe i rrinë mbrapa atij. Kjo gjë është shumë e mirë. Futbolli ose sporti është një mënyrë që gjithsecili mund të kalojë disi vështirësitë e tij dhe të ndiejë pak kënaqësi. Qoftë duke e praktikuar sportin apo duke e ndjekur, mendoj se futbolli e ka magjinë që të harrosh disi shqetësimet e përditshme. Në të ardhmen besoj që do të kemi më shumë cilësi dhe talente dhe e theksoj që na duhet të fokusohemi që t’i japim edhe mjetin këtij brumi që të rritet në mënyrë sa më të mirë.

Por ka pak njerëz në stadiume…

Kam dëshirë që të shtohet edhe prania në stadiume. Duhet të rritet mundësia që të shkojmë familjarisht, të ketë masa të mëdha dhe të jetë njëfarë feste. Duhet të largohemi nga njëfarë gjendjeje në stadiume ku nuk mund të shkojmë me fëmijët, familjen apo nuk mund të shkojmë për ta shijuar një ndeshje futbolli… E them këtë pasi aty sheh lloj-lloj skenash. Gjithsesi, sa herë që kam qenë, kam shijuar momentin, lojën dhe jam larguar me shumë kënaqësi. Duke e rritur këtë lloj ambienti si dhe besimin te futbolli, besoj që mund të shkohet përpara.

Austria v Albania - International Friendly

Çfarë ju trishton nga futbolli ynë?

Nuk besoj se ka diçka që më trishton. Ka shumë gjëra që shoh se mund të përmirësohen. Them që jemi duke ecur me një lloj shpejtësie, e cila po na kufizon gjithmonë. Nëse ne ecim me planet afatshkurtra, 2-3 vjeçare, sapo të mbarojë projekti nuk ke gjeneruar dhe prodhuar asgjë të re që të mund të ecësh me disa gjëra të reja.

Çfarë do preferonit në këtë rast?

Unë jam më shumë me parimin që klubet tona nuk duhet të jenë detyrimisht të suksesshme për një periudhë të shkurtër 2-3 vjeçare. Besoj që i kanë mundësitë… e them këtë sepse nëse një klub ka buxhetin 600-800 mijë euro apo edhe më të mëdha, atëherë lirisht mund të investojnë shumë më shumë që brenda katër apo pesë vitesh, një pjesë e kësaj shifre shpenzimesh t’u dedikohet brezave të rinj. Duke e bërë këtë gjë, me sponsor ose mbase edhe me federatën, të vazhdojnë që të ndërtojnë infrastrukturën, të kontribuojnë për trajnerët e tyre. Pas kësaj vjen shpejt dita që do të përfitojnë me një brez të ri që i forcon. E gjithë kjo duhet të bëhet një traditë e vazhdueshme. Kjo do të rrisë thellësisht prurjen e cilësisë së lojtarëve dhe do ta bëjë edhe kampionatin më tepër interesant.

Çfarë mendimi keni për kampionatin shqiptar?

Fatkeqësisht, kampionati ynë, edhe në vitin 2018 është i tillë që lojtarët tanë kanë nevojë për një “tranzicion” tjetër si Kroacia, Zvicra, Greqia, etj. Pra duhet të përdorin një nga këto kampionate si trampolinë për t’u katapultuar në një kampionat të nivelit të lartë. Mendoj që ky duhet të jetë një plan urgjent, që brenda katër vitesh të mos kemi nevojë, por duhet të jetë kampionati shqiptar një trampolinë e gatshme për të shkuar në një prej 6 apo 7 kampionateve më të rëndësishme dhe jo të përdoret një tjetër. Kjo është një sfidë shumë e rëndësishme.

Si ju duket Panuçi?

Sinqerisht, e kam takuar vetëm dy herë. Besoj që dihej se pas një suksesi shumë të madh, presioni do të ishte shumë i madh. Më ka bërë impakt shumë të mirë në ndeshjet e para, sepse kam parë që është një fitues i jashtëzakonshëm. Ai e urren humbjen dhe nuk u dorëzohet sfidave. Ka një ide shumë të qartë se si do të funksionojë. Kam parë një Shqipëri, e cila në mbylljen e kualifikueseve ka luajtur mirë dhe më ka pëlqyer shumë. Panuçi është përballur edhe me vështirësitë e para, që nga fundi i sezonit apo ndeshjet miqësore, të cilat kanë ardhur në mars dhe gjatë verës. Megjithatë, kjo është një përvojë për të që ta njohë më mirë. Po mundohet dhe është i detyruar që të sjellë lojtarë të rinj, sepse ka ndërrime dhe ka disa lojtarë që nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Megjithatë, këto janë vështirësitë e një trajneri dhe në vijim të këtij edicioni do të gjykohet nëse ka arritur që të japë dorën e tij dhe të marrë më të mirën nga ky grup.

Pse e thoni këtë?

Sepse një trajner nuk vlerësohet vetëm te rezultatet që merr, por vlerësohet më shumë se çfarë arrin të bëjë me realitetin që gjen. Besoj se ka pasur kohë që të ndërtojë identitetin e tij, grupin e tij dhe mënyrën se si punon. Besoj që nga tani ai mundet që të fillojë dhe t’ju japë lojtarëve mënyrën se si do të luajnë. Njerëzit që janë fitimtarë, që kanë besim te cilësitë e tyre dhe shumë kërkues, unë dhe të gjithë duet t’i vlerësojmë. Pastaj, në sport dhe futboll, rezultatet kanë rëndësinë e vet dhe nëse bën rezultate, do jetë mirë.

Çfarë po bën më mirë se De Biazi?

… Qesh… Siç thashë… Forca e jashtëzakonshme e Xhanit është që ka pasur një përvojë, të cilën shumë pak trajnerë e kanë. Forca e tij, duke mos i hequr asgjë politikës dhe linjës së tij të futbollit, ka qenë aftësia për të kuptuar realitetin dhe për të bërë njëfarë ndërthurjeje apo gjendjeje ku t’i merr më të mirën. Dhe këtë Panuçi duhet ta ndjekë si shembull dhe të bëjë të njëjtën gjë me mënyrat e tij të punës.

Çfarë keni pëlqyer deri tani nga Panuçi?

Më pëlqen që është kërkues me lojtarët sulmues dhe dëshira që ndoshta Shqipëria të luajë pak më lart. Që Shqipëria të mundohet të prodhojë pak më shumë gjatë lojës dhe të jetë pak më kërkuese. Folët veçmas për të dy, pa thënë nëse po bën më mirë Panuçi? Është vështirë të them se cili po bën më mirë apo më keq, por çështja është te secili në momentin kur ndodhet dhe me grupin që ka në dispozicion, çfarë është i aftë të realizojë. Besoj është munduar t’i japë një identitet ekipit dhe e ka arritur në fillim. Po përballet me vështirësitë e para dhe pikërisht tani në vështirësi shihet se sa i aftë je për të përgatitur ekipin.

Sipas jush, ku mund të bëjë më mirë Panuçi?

(Mendohet…). Nuk e di sepse ai e përjeton ekipin nga brenda. Gjëja më e rëndësishme është që të jetë gati për ato sfida, të cilat vlejnë. Sigurisht që kur luan në Kombëtare, çdo ndeshje është për t’u fituar dhe për ta përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë. Në momentin që ai do të ketë filluar këtë edicion, do të kemi mundësinë që të japim mendimet tona se çfarë mund të bëhet më mirë. Për momentin është shumë herët. Elementi kryesor për suksesin e Shqipërisë, me cilësitë tona dhe me limitet tona, mbetet te grupi dhe mbetet te fryma e harmonia e cila qëndron aty. Dhe nëse gjërat brenda, kur ata vijnë në grumbullim ndihen mirë, në atë moment ka mundësi shumë të mëdha që të realizohet rezultati. Kjo duhet të jetë një fokus i rëndësishëm për të dhe të sjellë përvojën e tij të kampionit dhe të trajnerit për t’i dhënë një shtyrje këtij ekipi.

A e keni menduar se një ditë mund të bëheni trajner?

Patjetër që e kam menduar, por nuk e kam planifikuar. Nuk është në planet e mia për momentin.

… Sepse edhe Panuçi njësoj si ju është, një ishmbrojtës i madh me pak eksperiencë si trajner…

Panuçi ka edhe një karrierë më të madhe dhe një kurrikulum me më shumë trofe. Janë disa futbollistë që e kanë ndarë që në fillim se do të bëhen trajnerë dhe të tjerë që bëhen më vonë. Sigurisht, nëse e bën menjëherë, fiton kohë dhe je direkt në profesion. Kur ti je trajner, mendon gjatë gjithë kohës rreth profesionit.

Kush është pasuesi i Canës si karakter dhe si staturë në Kombëtare?

(Qesh…). Lojtarët, të cilët kanë qenë bashkë me mua kur kam qenë në Kombëtare, të cilët e luanin rolin tim ose më ndihmonin ta bëja atë, kanë arritur tashmë një moshë të caktuar dhe duhet të fillojnë të përgatitin pak a shumë edhe ata që do ta mbajnë për disa vite përgjegjësi më shumë. Sigurisht që Agolli ka qenë i rëndësishëm për ekuilibrat e grupit. Mavraj gjithashtu ka pasur dhe ka një moshë, e cila i lejon tani që të jetë një lider natyror. Basha ka qenë shumë i rëndësishëm sepse ka sjellë gjithmonë qetësi me përvojën e tij. Por, këta janë pak a shumë lojtarët që mund ta mbulojnë tani direkt këtë detyrë. Por, në të ardhmen, në mënyrë shumë natyrale, për shumë vite mendoj se Hysaj do të jetë lojtari, i cili do ta mbajë këtë rol. Qoftë prej tani apo qoftë edhe për dy vite e më pas do e mbajë këtë rol për shumë vite sepse do e krijojë eksperiencën me klubin e tij, vetëbesimin, qëndrimin dhe do të dijë se kur duhet të ndërhyjë e kur duhet të mbrojë të tjerët. Është potenciali kryesor. Më tej, lojtarët që kanë më shumë eksperiencë… Etriti ka disa vite përpara, Tomasi që po luan në klub të madh. Nga pjesa e sulmit është më delikate, pasi nuk shoh. Jo se nuk kanë personalitetin, por nuk besoj që kemi dikë që i sheh gjërat për t’i mbledhur.

Çfarë raporti ka aktualisht Cana me Dukën?

Me Armandon kam një raport të mirë, një raport miqësie, një raport partneriteti. Jashtë kontekstit të federatës, ai po mundohet që të më ndihmojë edhe për programin e fondacionit që të shtrihet në disa qytete në Shqipëri. Federata, gjithashtu është një partner kryesor dhe me ndihmën e saj do të fillojmë brenda vitit që ta hapim edhe në disa qytete veçmas Tiranës. Jashtë kësaj, dëgjohemi apo periodikisht takohemi dhe drekojmë apo darkojmë. Kur ka një këshillë apo problem, Armando më kërkon mendimin tim. Kemi një raport të mirë. Sigurisht nuk dëgjohemi shpesh, por secili nga ne kemi lirinë që t’i shkruajmë apo ta marrim njëri-tjetrin në telefon pa asnjë problem.

Po me Igli Taren, çfarë raporti keni?

Iglin e kam shumë shok të mirë. Nuk dëgjohem shpesh, por sa herë që jam në Romë, dëgjohem me Iglin, takohemi apo shpesh dëgjohemi rreth futbollit. Për mua, dhe jo vetëm, por për të gjithë ne mbetet një pikë referimi në botën e drejtuesit në klube të mëdha. Në momentet që takohemi dhe bisedojmë, ofron një lloj eksperience, nga e cila unë kam dëshirë që të përfitoj sa më shumë. Është njeri që ka shumë njohuri. Bashkë kemi mundësi që të ndajmë çfarëdolloj muhabeti. Kur ishim në Kombëtare ishim ndryshe, ishte fantastike. Kur isha te Lacio, duhet të mbaja deri diku raportin me drejtorin. Tani jemi të lirshëm. Patjetër që mbetet një mik i mirë.

Ndër të tjera, Igli Tare thotë që “kampionati shqiptar nuk shihet më pas muajit janar”. Çfarë mendoni ju?

Nëse duam që të arrijmë të dalim nga gjendja për të cilën njerëzit e kritikojnë këtë kampionat, atëherë duhet që të jemi të aftë ta bëjmë këtë. Kjo është sfida më e madhe: besueshmëria e kampionatit. Kjo gjë vjen drejtpërdrejt nga drejtuesit e klubeve dhe se si duan që t’ua përcjellin njerëzve këtë besim. Njerëzit që i përkasin futbollit, duhet që të luftojnë për rininë, shoqërinë, për futbollin dhe për shpirtin e garës. Sepse pikërisht në atë moment do të shndërrohet çdo gjë në diçka krejt tjetër.

A mund të jeni pak më konkret, si mund të nisë ky ndryshim?

Disa nga gjërat, të cilat akoma nuk e kanë lejuar futbollin të zhvillohet normalisht dhe nuk po flas marrëveshjet që bëhen për të arritur një apo një apo dy pozicione, por po flas për menaxhimin në tërësi. Pra ka dy pika ku duhet të përqendrohemi:

1) Nga investimet që bëhen! 2) Kush janë njerëzit, të cilët drejtojnë klubet tona?

Në momentin që ke këta të dy komponentë që përputhen, u shton atyre edhe projektet afatgjata dhe atëherë është OK futbolli. Problemi te ne është që ne nuk shohim larg, por vetëm 1 vit apo 2 vite. Kjo nuk na lejon që të hedhim një hap përpara dhe na kufizon të gjithëve, sepse edhe lojtarët do të arrijnë vetëm këtë nivel dhe do të vazhdohet të luhet këtë lloj ambienti: – Do të ketë një kampion që do të fitojë shumë herë përpara nga cilësitë që ka… – Do të garohet deri në fund, por ajo skuadër që nuk ka asgjë për të luajtur, shkon me mendjen e qetë dhe bën marrëveshje…

Sa herë keni konstatuar kësi situatash (marrëveshje) që kur keni filluar të ndiqni rregullisht kampionatin tonë?

Që nga periudha që jam këtu, e perceptoj më pak, ndoshta një herë apo dy në raste ‘x’ apo ‘y pa përmendur emra, qoftë me penallti apo raste të tjera. Nuk besoj se është më si më parë që të ndihet shumë kjo gjë. Them që edhe mund të ndodhë në ndonjë rast, por nuk e kam ndier aq shumë vitin e kaluar sa njerëzit ma kanë përmendur. Nga sa shihet, nuk e kam ndier kaq të rëndë. Sigurisht, ka pengesa të mëdha për të ardhmen tonë ku përfshihen infrastruktura dhe besueshmëria e kampionatit, por duhet luftuar për t’i përmirësuar. Nëse i kemi këto dy komponentë, mund të fokusohemi te largpamësia dhe më tej kemi një produkt që mund ta shesim jashtë. Ky duhet të jetë një objektiv i qartë. Kampionati shqiptar, brenda katër – pesë vitesh, të shërbejë si pasqyrë për të shitur lojtarët në 7 kampionatet më të mëdha. Besueshmëria është një komponent shumë i rëndësishëm.

Në Europa Ligë do të përballet Lacio me Marsejën. Për cilën do bëni tifo?

Për Marsejën (qesh…). Unë shpresoj që të kalojnë të dyja, meqenëse kualifikohen dy. Kam luajtur me të dyja dhe kam kaluar momente të bukura me të dyja. Te Marseja ka qenë pjesa më e bukur e karrierës sime dhe është skuadra ku jam rritur. Kur je tifoz me një skuadër që i vogël, ajo mbetet skuadra e zemrës dhe në të ardhmen nuk ka krahasime.

Pra, në “Olimpico”, Tare nuk duhet t’ju bëjë ftesë…

Unë shkoj vetë gjithsesi, edhe pa ftesën e Iglit (qesh…). Është shumë normale, pasi jam rritur në atë ekip.

Cili është shoku juaj më i mirë në futboll?

Etrit Berisha.

Po jashtë futbollit?

E ka emrin Genti, Gentian.

Cili është kundërshtari më i fortë, me të cilin jeni përballur në fushë?

(Mendohet…) Xherard. Por ka qenë Kun Aguero. Kur ishte i përgatitur, edhe Tevez ka qenë shumë i fortë. Pa harruar edhe Higuain.

A e mendoni se cili ka qenë kulmi juaj në karrierë si futbollist?

Kulmi mbetet gjithmonë kualifikimi me Kombëtaren, sepse aty arrin diçka të jashtëzakonshme dhe ky mbetet kulmi i karrierës. Kur kemi filluar dhe ku arritëm, mbetet kulmi. Pavarësisht se në atë moment mund të mos kesh formën më të mirë, jashtë aspektit fizik kishte një përgatitje komplet tjetër se çfarë kërkon të arrish, çfarë veprimesh duhet të bësh në një mënyrë gati perfekte. Kjo e bën diçka që të jetë kulmi. Nga pikëpamja e formës sime besoj kanë qenë vitet kur isha te Marseja dhe në Angli. Deri në moshën 28 apo 29 vjeç isha në formë të jashtëzakonshme. Pastaj, edhe gjendja fizike nuk më ka lejuar që të vazhdoj në të njëjtin ritëm. Gjithsesi, përvoja më ka bërë që të jem në nivelin e lartë dhe kjo më shumë ka të bëjë edhe me mendjen.

Cili është lojtari më i talentuar që ka pasur Kombëtarja?

Në Kombëtaren shqiptare kam parë shumë. Sot mendoj se janë dy portierët që kemi. Është vështirë të gjesh kombëtare me dy portierë të këtij niveli. Zakonisht ndodh që të jetë dikush numri 1 dhe një tjetër. E kjo që kemi, është një pasuri e jashtëzakonshme. Unë them, me moshën dhe si është duke ecur në karrierë, Hysaj për mbrojtësin dhe detyrën e tij, është një pikë referimi dhe një nivel i jashtëzakonshëm. Kemi pasur shumë talente gjatë viteve. Por, talentet më të mirë tani për tani, janë duke ardhur nga Kosova dhe të rinjtë e Kosovës po rriten me një perspektivë shumë më të avancuar, shumë të madhe.

Cili është futbollisti më i mirë shqiptar momentalisht?

Në formën më të mirë nga lojtarët shqiptarë mbetet Elseidi (Hysaj) për momentin. Në fillimin e kampionatit kam parë ndeshjen kundër Lacios dhe kundër Milanit… Sot për sot, ai është lojtari më i mirë shqiptar. Më tej, ka edhe të tjerë si Xherdani (Shaqiri)… Në ato nivele, për ato klube, është Elseidi. Por, tani ka emra dhe në kohën time nuk kemi pasur aq shumë lojtarë që të ishin në top klube. Kishim emra që luanin në kampionate të rëndësishëm, por si tani në top klube si Tomasi te Lacio, Elseidi te Napoli, Arsenal, Liverpul, tjetër Arsenal me Mustafin, është bërë një pasqyrë e jashtëzakonshme.

Meqë bëtë krahasimin me këtë brez, do e këmbenit kualifikimin në Europian me Kombëtaren për të nisur karrierën tani?

Jo! Dhurata më e bukur që mund t’i bësh një sportisti, është që të ketë mundësinë të rikthehet. E në shumë raste ai është gati që ta shkëmbejë atë me gjithçka. Por, për mënyrën si ka shkuar karriera, falë Zotit, është shkruar në një mënyrë gati perfekte dhe nuk e kisha ndërruar.

Sa shanse ka Shqipëria për të shkuar në Europian?

1 në 3.

Referuar Ligës së Kombeve?

Jo, të dyja mundësive, edhe asaj edhe kualifikueseve tradicionale.

Pra, as gjysmën e mundësive si përqindje…

33.33 i bie (qesh…).

Bogdani, Bushi, Bellai, Jupi, Lala etj., kanë marrë një skuadër moshash të Kombëtares në drejtim. E keni menduar edhe ju?

Eksperienca është gjithmonë e rëndësishme. Sidomos kur tenton të kalosh në një tjetër zanat. E kam pasur mundësinë dhe ma kanë ofruar, por kam kuptuar që nuk është në prioritetet e mia dhe nuk kam vijuar më tej.

A jeni zënë ndonjëherë me një trajner dhe kur nëse po?

(qesh…) Patjetër që ka ndodhur, jo shumë, por ka ndodhur që të ketë argumente…

E tejkaluar deri në zënkë?

Jo, asnjëherë! Kam biseduar, por asnjëherë një zënie me një trajner nuk ka ndodhur. Sepse njeriu duhet të dijë se çfarë ka prioritet dhe trajneri mbetet trajner. Në momentin që ai të respekton dhe mendon diçka ndryshe nga ty, por nuk e mendon me qëllime të këqija, atëherë nuk ka asnjë lloj problemi.

Po në Kombëtare?

Jo, asnjëherë!

Për çfarë jeni më shumë krenar?

Hmm… Me Lorikun (qesh…).

A mund të kishit bërë diçka më mirë dhe çfarë?

Patjetër, por jam krenar që kam kërkuar të bëj një karrierë të mirë dhe kam kërkuar që të lë shenjë dhe të jap një kontribut për vendin, njerëzit dhe shqiptarët në përgjithësi.

Jeni penduar për ndonjë vendim që keni marrë?

Gjatë karrierës, pas aq shumë vitesh të bukura te Marseja, me Champions, ndoshta gjëja më e vështirë është që të mos jem kampion me të. Kjo është diçka që e kam pak a shumë si “pikë të zezë” që nuk arrita të dal kampion me Marsejën, pavarësisht se kam një sukses të jashtëzakonshëm aty. Ky është pak a shumë vendimi që do e kisha bërë ndryshe.

Çfarë mendoni për rastin “Agolli” në Kombëtare?

Nuk besoj që duhet ta bëjmë Ansin një rast. Ansi është një profesionist i jashtëzakonshëm, ka luajtur për shumë vite dhe një lojtar i nivelit shumë të mirë. Një person shumë i mirë dhe besoj se edhe vetë Ansi nuk do që të bëhet rast. Është bërë rast, ndoshta nga një klimë që nuk ka qenë e nevojshme. Është një lojtar që ka luajtur gjithmonë për Kombëtaren. Ka dy parime: Nëse Ansi ka dëshirë dhe është mirë fizikisht, nuk ka asnjë lloj arsye që të mos vazhdojë dhe trajneri të mos e ftojë. Trajneri është treguar shumë i qartë sepse kërkon të përgatisë pas tij. Dhe Ansi e mirëkupton këtë, por nuk mendoj se ka asnjë lloj problemi. Besoj se është bërë një lloj rasti më i forcuar sesa i vërtetë. Ansi është nga ato lloj lojtarësh “nëse ke nevojë për mua, unë do të vij” dhe nuk është lojtar që nuk e kupton se ka arritur një moshë dhe trajneri duhet të përgatisë të ardhmen dhe kjo është shumë normale.

A ju duk korrekte që trajneri t’iu përmendë moshën kapitenit?

Po! A do të kisha bërë të njëjtën gjë si Panuçi? Atë nuk e di. Ndoshta jo, sepse Ansi për mua, nëse ndjehet mirë dhe ka dëshirë që të jetë aty, është shumë i rëndësishëm për ekipin. Por, që t’i përmendet mosha, është absolutisht normale.

Së fundmi, emri juaj është përmendur për lojtarin e Bajernit. “Panorama Sport” ka shkruar se jeni një prej negociatorëve me Meritan Shabanin. Si është situata me të?

Unë Shabanin nuk e kisha dëgjuar. E pashë rastësisht vitin e kaluar ku në ndeshjen e fundit të Bajernit u aktivizua me dy moshatarë të rinj të skuadrës. Nuk e njihja. Por, pashë një lojtar 19 vjeç, i cili më rikujtoi pak veten në një pozitë komplet ndryshe, me një cilësi komplet ndryshe. Një futbollist, i cili në moshën 19 vjeç luan me Bajernin dhe ishte një gjë e jashtëzakonshme. Federata më kërkoi nëse mund të flisja unë me familjen e Meritanit.

Cila ishte përgjigjja juaj?

Ju thashë, “patjetër që po. Do flas!”

Çfarë ndodhi në komunikim?

Kam folur me të vëllain e tij, i cili merret me bisedimet dhe palët që duan ta kontaktojnë djalin.

Ju përgjigj?

Po! I kam thënë shkurt e shqip: “Së pari jemi shumë krenar që një djalë 19-vjeçar i joni luan me Bajernin. I thashë në një mënyrë sa më miqësore dhe vëllazërore, që në rast se do të ketë nevojë për çfarëdolloj ndihme apo këshille, do të jetë i mirëseardhur. Kemi shkëmbyer kontaktet. Kemi folur rreth 10 minuta dhe i kam thënë që e rëndësishme është që djali të mos ketë presion dhe të mos e ndiejë atë. Mbi të gjitha, ai të bëjë zgjedhjen që ai e ndien më mirë. Ka lindur në Gjermani, ka pasaportën gjermane dhe ka të drejtën për Gjermaninë, Kosovën apo Shqipërinë. I kam thënë që absolutisht nuk do e paragjykojë asnjëri dhe i kam dhënë vetëm një këshillë: Takoji njerëzit.

Është edhe Kosova e interesuar, mësohet se vetë trajneri Shaland po kontakton…

Kosova ka disa muaj që po kontakton. Unë ju kam thënë që të mos bëhen indiferent ndaj kontakteve. Pavarësisht se keni vendosur që të mos nxitoheni, takojini njerëzit. Federatën e Kosovës, federatën shqiptare. Patjetër që djali ka të drejtën normale që të luajë për Gjermaninë. Unë i thashë, ‘për mendimin tim, meqenëse është brezi i parë që ka nisur aty dhe meqenëse ju flisni shqip, jeni familje shqiptare ju inkurajoj që djali të përfaqësojë vendin e tij. Qoftë Kosovën, lojtarët e saj në mënyrë natyrale shkojnë tek ajo, ose nëse është rritur me Kombëtaren shqiptare dhe e ka parë si një identitet të rëndësishëm, të luajë për Shqipërinë. Ai do t’i nevojitet dhe do të bënte një punë të jashtëzakonshme, një kontribut qoftë Kosovës dhe qoftë Shqipërisë. Mos u keqinfluenconi nga njerëzit, nga mediat, etj. Djali duhet të rrijë i qetë dhe të bëjë vendimin që ai e zgjedh dhe asnjeri për të”. Më tej, nëse do të kenë nevojë për këshilla, për përvojë, absolutisht jemi këtu për të biseduar dhe për t’i ndihmuar e për t’ia bërë gjithçka më të lehtë, sepse në fund ai vetë do të marrë vendimin. Nuk duhet t’ia lëmë fajin askujt për vendimin e tij. U mundoja deri diku që t’i them se sa i rëndësishëm mund të jetë ai për Kosovën apo për Shqipërinë. Dhe nëse e bën njërën nga këto dy zgjedhjeje, do të na bëjë shumë krenarë.

Në mungesë të një përgjigjeje, a morët një sinjal për këtë lloj zgjedhjeje?

Jo, nuk e mora. Ishte përgjigje shumë pozitive që ata janë të hapur për të takuar njerëzit dhe të hapur për të parë realitetet. Patjetër që kjo është shumë e rëndësishme. Pasi në momentin që takohen federatat dhe trajnerët, Kosova me të sajin apo Shqipëria me të sajin, do të jetë ai vetë që zgjedh në bazë të asaj çfarë është më shumë në përputhje me dëshirat dhe planet e tij. Tani nuk bën asnjë diferencë dhe ndryshim nëse do të luajë me Kosovën apo kombëtaren shqiptare. E rëndësishme është që të vijë të përfaqësojë njërën nga këto të dyja. Por, edhe nëse nuk e merr këtë vendim, gjithsesi, vetëm mirë do t’u bëjë shqiptarëve dhe ka rëndësi që të ketë një karrierë të suksesshme.

Për ta mbyllur me të ardhmen. Agimi, babai juaj, ju ka lakuar se shpejt do të jeni drejtues në një klub të madh. Për çfarë bëhet fjalë?

Loriku është momentalisht me planet e fondacionit për të vazhduar të hapet në Shqipëri dhe në pranverën e ardhshme të jetë edhe në Kosovë. Më tej, planet rreth sportit do të jenë që të filloj eksperiencën si drejtues në një klub. Dhe duhet të filloj në një vend ku ka mundësi të kem përgjegjësi. Për të pasur përgjegjësi në një klub të madh duhet hapësirë dhe ka një lloj presioni që nuk të lejon të piqesh në mënyrën më të mirë. Shpresoj që brenda dy viteve, të jem i përfshirë në një klub si një nga drejtuesit.

Ndonjë sinjal se ku bëhet fjalë?

Jo kampionatet kryesore.

Diçka rreth Shqipërisë?

(Qesh…) Jo, më tepër nga Europa Perëndimore.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"