EKSKLUZIVE/ Nga projekti te borxhet, Idrizi: Dy vite për Superioren, por dihet kush është agai në Shqipëri. Bashkitë nuk deklarojnë rrogat reale (E PLOTE)
Sinan Idrizi paralajmëron ngjitjen e Flamurtarit në Kategorinë Superiore për dy vite. Pasi u rikonfirmua nga Këshilli Bashkiak, në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, administratori zbardh projektin, surprizat, flet për borxhet dhe e cilëson shenjë proteste detyrimin e madh në tatime.
E thotë me “stil” se nuk e ka pasur dashamirësinë e FSHF-së, duke akuzuar në njëfarë mënyre se një zyrtar i saj favorizoi Tërbunin në finalen e “play out”-it. Flet edhe për zgjedhjet në federatë, ndërsa mendon se Armando Duka e ka të fituar garën me kandidatët që përfliten…
Pse vendosët që të riktheheshit në administrimin e Flamurtarit?
E vetmja gjë që më bëri të rikthehesha për ta marrë Flamurtarin është situata që po kalon ekipi dhe rënia më poshtë. Përgjegjësia ishte imja dhe është detyra ime që ta çoj aty ku duhet që të shkojë. Pra, duhet ta çoj në Kategorinë Superiore. E kam obligim, pasi të gjithë ishin shumë të dëshpëruar për rënien e Flamurtarit. Nëse dikush do të vinte, e prisja me çelës në dorë dhe dorëzoja çdo gjë dhe me borxhe zero.
Çfarë garancie morët nga bashkia për atë që kërkoni dhe i mëshoni prej kohësh, në lidhje me ligjin e sportit?
Nuk kam marrë asnjë garanci nga askush. Kam në bindjen time diçka që këta me ligjin e sportit do të bëjnë hapin e fundit e kaq.
Në Vlorë e bëjnë malore privatizimin, në një kohë që në Shkodër u zgjidh…
Është e kundërta e asaj që flasim për Shkodrën. Vllaznia ka nxjerrë në privatizim vetëm një sh.a, që ka një stemë dhe një aktivitet sportiv. Nuk ka asnjë aset, asnjë investim dhe asgjë. Unë i uroj suksese zotërisë që ka marrë Vllazninë. Do Zoti nuk i kthehet në “bumerang” me këtë gjendje që është. Unë nuk kërkoj këtë, pasi nuk investohet dot. Nëse do të pyesësh atë zotëri çfarë investimi do bëjë në stadium, ai nuk jep përgjigje. Çfarë investimi do të bëjë, nuk ka fushë, nuk ka asnjë aset. Në momentin që nuk ka asete, nuk e kuptoj si do të ketë të ardhura. Ne nuk kërkojmë këtë. Ne kërkojmë një privatizim total kapitalist të klubeve të futbollit. Dihet në Shqipëri kush është agai që komandon lojën, dihen kush janë qehajarët dhe dihet edhe kush janë ata që ia mbajnë kalin agait dhe qehajait. Aktiviteti në Shqipëri është i përcaktuar. Dihet kush bie nga kategoria, dihet kush qëndron.
Pse e morët klubin në një administrim për dy vite?
Dy vjet administrim, deri në momentin që unë do ta çoj në Kategorinë Superiore. Të heq njollën e keqe të ekipit që ra nga kategoria. Dy vjet këto janë. Dua të investoj në infrastrukturë. Kam rreth një muaj që kam nisur punën.
Flamurtari ka një borxh prej 1.8 miliardësh në Tatime. Keni një koment?
Përgjegjësia e Tatimeve është vija e demarkacionit e ekonomisë shqiptare në futboll, nëse në Shqipëri do të vijohet me shteti vjedh shtetin. Bashkitë janë aksionere të klubeve dhe kanë bilance të falsifikuara. Nuk deklarojnë rrogat reale. Flamurtari ka ndërprerë pagesën e të ardhurave mbi rrogën në shenjë proteste. Unë kam një çështje me tre lojtarë. Na janë hequr 6 pikë për arsye se komisionet e FSHF-së nuk na njohën ne si klub pagesat që kishim bërë në Tatime për rrogat bruto dhe i kthyen në neto. Ne kemi krijuar një borxh të madh siç e ka thënë “Panorama Sport”. Ore, pse nuk e thoni ju si gazetarë që në këto 10 vitet e fundit sa është kontributi i çdo klubi në ekonominë shqiptare të futbollit? Pse nuk i turpëroni ju ekipet e tjera në financë, siç turpërohem unë në fushë? Publikoni të gjitha listëpagesat e klubeve shqiptare nga viti 2010 dhe deri sot. Kur Flamurtari ra nga Kategoria Superiore, ishte ekipi që deklaronte rrogat më të mëdha në Shqipëri, kur ekipi i vendit të parë kishte gjysmën e Flamurtarit.
Këshilltari Tahiraj kërkoi nga bashkia që të hiqet fondi për Orikun. Keni diçka për të thënë?
Unë kam qenë në atë mbledhje dhe Tahiraj ka kërkuar vendosjen e të drejtës civile në Vlorë me fondet publike. Nuk është logjike që paret e qytetarëve që mbledh bashkia për taksa, të shkojnë për tekat e një grupi njerëzish që merren me futboll. Unë di që Oriku ka nja 15 investitorë të ndershëm dhe të mirë që nuk kanë nevojë për këto para. Unë nuk e kuptoj këtë zhurmë.
Sa borxhe keni shlyer deri më tani dhe a janë të gjitha të kohës suaj?
Kam shlyer kaq shumë borxhe, saqë jam i paaftë që të mbledh një shifër të saktë. Janë shlyer të gjitha borxhet e mia. Ato që kanë qenë para 2014-ës nuk i kam shlyer. Kanë ardhur edhe dy fatura të reja. Do të kërkoj ndihmën e Këshillit Bashkiak. Nëse ata nuk i shlyejnë, do t’i shlyej unë. Kontoja është e bllokuar për këto të fundit.
Me merkaton e bllokuar prej vitesh, ka një lloj skepticizmi për zhbllokimin e saj. Keni marrë garanci që lojtarët e afruar do t’i federoni?
Ju e përsërisni shpesh që Flamurtari ka tri vite me merkato të bllokuar. Jo, Flamurtari ka vetëm një vit me merkato të bllokuar, nga qershori i vitit të kaluar në këtë qershor. Merkatoja është e zhbllokuar. Jemi në proces me një lojtar që po përkthen dokumentacionin. Nuk ka Flamurtari asnjë borxh ndaj asnjë trajneri, futbollisti apo të treti. Kemi vetëm një rast për një lojtar që pretendon për një rrogë, nuk është shqiptar, është me pasaportë kosovare, i cili ka falsifikuar një dokument
Cili është projekti i Idrizit për Flamurtarin, kur ka edhe emra të tjerë të mëdhenj që do të garojnë në këtë ligë? Sa e mundshme është ngjitja?
Ju pata thënë njëherë me batutë para 6 vitesh, kur ju tregova banjat e reja të Flamurtarit, unë ekip nuk di të bëj dot, por banjat i bëj të bukura. Do ta filloj nga infrastruktura. Nuk kërkojmë ndihmë nga askush. Edhe fushat i bëjmë vetë, jo me fondet e FSHF-së, nuk janë pjesë e projektit “100 fushat”.
Keni pasur kontakte me Dukën së fundmi?
Kur ramë nga Kategoria e Parë, pashë që gjatë kohës së ndeshjes një pjesëtar shumë i rëndësishëm i FSHF-së mbante kontakt me pjesën e ekipit tjetër. Nejse, nuk ia vlen më kjo! Jo, jo, nuk kam kontakt me Dukën. Nuk kam arsye pse të kem kontakt.
Po thoni se nuk e keni pasur dashamirësinë e FSHF-së?
FSHF që në ditën e krijimit të saj është dashamirëse me Vlorën në çdo cep. Vetëm këtu nuk e akuzoj dot. Ne kemi rënë në fushë, kemi rënë si burrat. FSHF thjesht na ka ndihmuar të biem si burrat. Kaq… (qesh).
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"