EKSKLUZIVE/ Nga përplasjet për merkaton deri te sulmi ndaj të besuarve të Halilit, ja prapaskenat e largimit të Ze Marias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 9:14

EKSKLUZIVE/ Nga përplasjet për merkaton deri te sulmi ndaj të besuarve të Halilit, ja prapaskenat e largimit të Ze Marias

Ze Maria nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Rezultatet e fundit, ftohja me Halilin dhe krisja me njerëzit që rrethojnë presidentin e bardhebluve e bindën brazilianin që të largohet. Vendimi ka qenë konsensual. Për momentin…

Ze Maria-Halili

PRAPASKENAT

Ze Maria ishte në qendër të kritikave te bardheblutë prej disa javësh. Skuadra nuk po funksiononte dhe, ashtu siç e pohoi edhe një ditë më parë për “Panorama Sport”, braziliani kishte bërë gabimet e tij. Por, a ishte largimi i Ze Marias vetëm çështje sportive? Koha dhe rrethanat treguan që jo. Gazeta rikthen edhe një herë në vëmendje se si “u braktis” trajneri nga brenda klubit, deri në atë pikë sa pranoi publikisht për “Panorama Sport” një ditë para largimit se problemet më të mëdha i kishin ardhur nga merkato e gabuar.

Sipas tij, “zotërinjtë” që kishin bërë merkaton nuk i kishin sjellë lojtarët që atij i nevojiteshin për të ndërtuar një skuadër cilësore. Dhe “zotërinjtë” që bënë merkaton e Tiranës ishin Hektor Çomo, administrator i klubit dhe Arbi Laçi, drejtor sportiv. Ze Maria i akuzoi hapur që të dy se kishin përgjegjësi për lojtarët që kishin sjellë, kohën kur kishin ardhur këta lojtarë dhe cilësitë që kishin ata. Rrjedhimisht, trajneri brazilian ia bëri të qartë Halilit se nuk ishte i vetmi përgjegjës për situatën e krijuar, por faj kishin edhe të besuarit që ka pas vetes… Në fund Halili bëri zgjedhjen: largoi trajnerin.

KRISJA NË SKUADËR

Çështja “Karabeci” ishte më kulmorja, por përplasje dhe xhelozi ka pasur në mënyrë të vazhdueshme te bardheblutë. Ndarja apo “klanet” kishin të bënin më së shumti me grupin e shqiptarëve dhe nga ana tjetër një pjese të të huajve. Ze Maria e pati mohuar vazhdimisht këtë, por faktet tregonin se atij pas çdo ndeshjeje i duhej të ulërinte në dhomat e zhveshjes. Rezultoi e kotë edhe dreka “e pajtimit” që shtroi kapiteni Karabeci. Tirana humbi me Laçin në shtëpi dhe më pas e “mori ferra uratën”…

ZGJIDHJA PËR PARATË

Refik Halili mund ta kishte larguar më herët Ze Marian, por prishja e njëanshme e kontratës do të kishte një kosto financiare të konsiderueshme. Së bashku me stafin, ato tejkalonin shumën e 100 mijë eurove për gjithë sezonin (Ze Maria dhe ndihmësit paguheshin afro 12 mijë euro në muaj). Pikërisht për këtë hezitonte presidenti i bardhebluve, deri sa dje palët kanë gjetur një marrëveshje verbale: prishjen e kontratës në mënyrë konsensuale. Gazeta mëson se klubi e ka bindur Ze Marian që të mos ngrejë padi për të kërkuar gjithë rrogën vjetore, me kushtin që ai të paguhet menjëherë për punën që ka bërë deri tani. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"