EKSKLUZIVE/ Nga mosmarrëveshjet e merkatos, tek kushti që i është vendosur trajnerit. Rama-Daja, ja prapaskenat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 19:00

EKSKLUZIVE/ Nga mosmarrëveshjet e merkatos, tek kushti që i është vendosur trajnerit. Rama-Daja, ja prapaskenat (E PLOTË)

Disa ditë më parë, kur merkatoja ishte ende e hapur, gazeta raportoi për disa mosmarrëveshje mes drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama, dhe trajnerit të ekipit të Partizanit, Ilir Daja, për disa nga lojtarët për të cilët priteshin të afroheshin në ekip.

Rama Daja

Si trajneri Daja, ashtu dhe drejtori i “demave” kanë pranuar se bashkëpunohet dhe diskutohet për çdo lojtar që mund të afrohet te Partizani, në mënyrë që të afrohen futbollistët e duhur dhe të mos ketë “goditje” financiare, që vitet e fundit te Partizani kanë qenë prezente dhe të shumta.

Mjafton të përmendim emra si Edgar Çani, Brajan Braun dhe Ferhan Hasani, që kanë përfituar shifra marramendëse për kampionatin shqiptar dhe që kontributi i tyre ka qenë shumë i vogël. Megjithatë, diskutimet apo mosmarrëveshjet në merkato mes drejtuesve dhe trajnerit janë normale në futbollin tonë, pasi shumica e ekipeve punojnë me këtë metodikë.

DAJA RAMA

KUSHTI – Gjatë periudhës kur ka pasur mosmarrëveshje mes trajnerit Daja dhe drejtorit Olsi Rama për objektivat në merkato, gazeta zbulon se është bërë një bisedë mes tyre, ku drejtori i klubit për një moment ka rënë dakord që të afrohen vetëm lojtarët që do trajneri, por i ka vënë një kusht, që të jetë rezultativ dhe afati që ka vendosur, kanë qenë pesë javët e para.

Por asnjëra palë nuk ka dashur që të vendosen kushte dhe Daja ka reflektuar, duke pranuar faktin që afrimet te Partizani, bëhen me dakordësi dypalëshe mes tij dhe drejtorit.

AFRIMET – 18 lojtarë ka afruar Partizani gjatë merkatos së verës dhe normalisht, jo të gjithë kanë ardhur me pëlqimin e trajnerit Daja. Gazeta gjithashtu ka mësuar se drejtuesit e kanë “imponuar” trajnerin që të aktivizojë titullarë dy lojtarë që duan t’i promovojnë dhe të kenë përfitime në të ardhmen.

Normalisht, kjo situatë sjell pakënaqësi te lojtarët e tjerë dhe mbetet për t’u parë se sa do të vazhdojë kjo situatë. Sfida e radhës për Partizanin është në Korçë kundër Skënderbeut dhe priten shumë ndryshime në formacion nga sfida e parë ndaj Teutës, ku “demat” e nisën me humbje sezonin e ri.

VERONIK ISTREFAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"