EKSKLUZIVE/ Nga makina te CR7, Myrto Uzuni: Gati për një kampionat të madh, në Kombëtare prisja…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 23:44

EKSKLUZIVE/ Nga makina te CR7, Myrto Uzuni: Gati për një kampionat të madh, në Kombëtare prisja…

Nga ligat më të ulëta në Shqipëri, në elitën e futbollit kroat dhe me shumë interesime zyrtare nga kampionate të forta. 

uzuni

Myrto Uzuni është duke ecur mes një rruge suksesi, e cila shumë shpejt pritet ta shpërblejë me një vend mes kampionateve më të forta. I thjeshtë, i saktë, i shpejtë dhe efikas në fushën e lojës, ndërsa jashtë saj nuk ia mohon vetes edhe një makinë luksi, komode dhe të këndshme.

Në një intervistë për “Panorama Sport“, Uzuni tregon se priste aktivizim në këtë edicion të Kombëtares dhe se goli i fundit në Kupë ishte shpagim i edicionit të kaluar.

uzuni tuci

Dy gola në 2 ndeshje radhazi. A po e rigjeni formën më të mirë? 

Realisht unë jam ndier mirë gjatë gjithë kohës këtë sezon me Lokomotivën, por më kanë munguar golat. Kam luajtur të gjitha ndeshjet e plota, nga 90 minuta, dhe kam asistuar disa herë, por për fat po më mungonte goli. Uroj që me këta dy gola të kem vazhdimësi.

Së fundmi shënuat për kalimin në gjysmëfinalen e Kupës. Ndiheni më i çliruar? 

Po, sepse ky gol erdhi fiks pas një viti kur unë u ndëshkova me karton të kuq. Në edicionin e kaluar në Kupë, ishte faza çerekfinale kur mora të kuq dhe penalizova ekipin që të mos kalonte më tej. Ishte pikërisht ai moment që e kam kujtuar që nga fillimi i ndeshjes dhe më bëri edhe më të fortë gjatë këtij 90-minutëshi.

A keni një dedikim për këtë gol? 

Po, dua që t’ia dedikoj familjes sime, e cila më mbështet në çdo moment dhe në çdo ndeshje të karrierës sime.

Myrto Uzuni

Cili është objektivi juaj personal? 

Personalisht kam si synim që të shënoj sa më shumë gola dhe më tej të bëj kalimin e madh.

Çfarë konsideroni kalim të madh? Çfarë synoni? 

Që të jem në një kampionat më të fortë. Një mes Serisë A, Bundesligës, La Ligës ose kampionatit në Holandë.

A keni pasur oferta deri më tani? 

Po, ofertat nuk kanë munguar. Madje, edhe oferta zyrtare, mirëpo nuk jam i adresuar që t’i bëj publike dhe ju lutem më mirëkuptoni. Do të jetë janari muaji i merkatos, në të cilin do të shohim se çfarë do të ndodhë.

Jeni shumë shqiptarë në skuadër. A ju ngacmojnë qoftë edhe me shaka? 

Sinqerisht jo. Jemi shumë të bashkuar në ekip. Ne futbollistët kemi përkrahjen e të gjithëve, që nga trajneri, presidenti e deri të punëtori i fushës. Jemi të gjithë njësoj dhe ka frymë të mirë grupi.

Si është jetesa në Kroaci? 

Jetohet shumë mirë këtu. Ushqimi është pak a shumë si në Shqipëri dhe nuk kam pasur problem që të përshtatem. Në përditshmëri, krahas seancave stërvitore kur jemi me ekipin, bëj një orë palestër dhe pjesa tjetër është kohë e lirë, në të cilën shpesh mund të luaj “Play station” me shokët.

Uzuni

Cilën skuadër zgjidhni? 

Gjithmonë Juventusin. Jam fans i Kristiano Ronaldos.

Çfarë makine keni në Kroaci? 

Mercedes-Benz, S.

Si ishte ky edicion në Kombëtare për ju personalisht? 

Nuk ishte ai sezon që prisja. Doja që të aktivizohesha, por nuk më takon të flas për këtë, pasi janë zgjedhje të trajnerit.

Si ju është dukur ekipi përfaqësues? 

Unë mendoj që skuadra është në rritje nga një grumbullim në tjetrin. Gjithashtu, them se kemi bërë ndeshje të mira.

myrto uzunii

Kush është miku juaj më i mirë në Kombëtare? 

Kam shumë: Roshi, Balaj, Manaj, Bare, Memushaj etj.

Cili prej tyre është më seriozi? Po më shakaxhiu? 

Balaj më seriozi, ndërsa për shakatë është Odise Roshi.

Bën ndonjëri naze për ushqimin në përfaqësuese? 

Jo, askush, nuk kemi të tillë.

Po më gjumashi? 

Në fakt, nuk ka. Nuk ka, sepse duhet të ngrihesh në orar që të hash mëngjesin e pastaj është përllogaritur stërvitja.

Një javë më parë festuat golin me një fanellë me flamurin shqiptar… 

E krijova unë vetë para ndeshjes. E ndieja që do të bëja gol. Kisha shumë besim. E kisha atë fanellë dhe para ndeshjes ia dhashë Tucit e i thashë të ma jepte sapo të shënoja. Dhe ashtu ndodhi. Ishte një dedikim për Shqipërinë, sepse më vjen keq për atë që ndodhi. Një tregues se i gjendemi pranë edhe në këto momente të vështira. Mundohemi që të ndihmojmë kudo që ndodhemi.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"