EKSKLUZIVE/ Nga lojtarët e larguar te kampionati me dy fytyra, rrëfehet Hoxhallari: Kam oferta, pres shansin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2021 | 15:21

EKSKLUZIVE/ Nga lojtarët e larguar te kampionati me dy fytyra, rrëfehet Hoxhallari: Kam oferta, pres shansin

Erjon Hoxhallari shkëlqeu në fushën e lojës këtë sezon me Tiranën. Për mbrojtësin e qendrës këtë kampionat pesë gola të shënuar, si asnjëherë tjetër në karrierë. Për “Panorama Sport”, Hoxhallari flet për sezonin që sapo u mbyll dhe pritshmërinë e skuadrës në këtë kampionat që do të nisë në gusht.

hoxhalla

Zëvendëskapiteni zbulon se Tiranës do t’i rëndojnë lojtarët që janë larguar nga ekipi bardheblu, ndërsa thotë se sezoni që lanë pas pati disa fytyra: dy fazat e para të luajtura keq dhe pjesën e dytë të kampionatit e suksesshme.

Erjon, si po shkojnë pushimet këtë qershor, pas një sezoni që ishte shumë i gjatë?

Për momentin jam në shtëpi, sepse po pres që këto ditë të bëhem për herë të parë baba dhe jam në pritje për këtë situatë.

Tirana nuk ia doli që të kualifikohej as në Europë këtë kampionat, ndërsa vjet titull, finale Kupe, katër ture në Champions dhe Europa League…

Sezonin që lamë pas do ta ndaja në dy pjesë: pjesa e parë e sezonit ishte e dështuar dhe pjesa e dytë e suksesshme. Gjatë pjesës së dytë të kampionatit rikuperuam shumë pikë, por në fund nuk arritëm dot objektivin minimal. Ishte diçka që askush nuk e dëshironte.

Cili ishte problemi kryesor i këtij sezoni? Mungonin lojtarët, ndryshimi i trajnerëve apo diçka tjetër?

E thashë edhe më sipër që ishte një kampionat me dy fytyra për ne. Në pjesën e parë lamë shumë pikë dhe në pjesën e dytë bëmë mirë dhe rikuperuam shumë. Fati nuk deshi në fund. Ndoshta ndikoi vetëm një apo dy ndeshje ku lamë pikë, sepse mund të kishim bërë më mirë.

erion hoxhallari

Jeni një nga lojtarët, të cilit i është lakuar emri për një transferim jashtë vendit. Mbeten akoma konkrete ofertat?

Kam pasur kontakte të shumta këtë sezon dhe jam në pritje për momentin, do të shohim deri në fund të merkatos se çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim.

Janë larguar katër titullarë nga skuadra. Do të ndikojë në ekip gjatë sezonit të ri futbollistik?

Është e vërtetë që janë larguar katër pikat kryesore të ekipit dhe më vjen vërtet shumë keq që nuk do të jenë për vitin e ardhshëm, pasi që të katërt kanë qenë lojtarët kryesorë që dolëm kampionë. Kanë dhënë kontribut shumë të madh për aq kohë sa luajtën me Tiranën.

erjon hoxhallari

Për ne futbollistët kështu janë rrugët. Ndonjëherë edhe ndahen me klubin. Vjen momenti që largohesh dhe gjej rastin që t’u uroj më të mirën e mundshme për Bathën në aventurën e re në Rumani po ashtu dhe për Kalenë e Torasën në Kosovë, por edhe për Vangjelin, i cili ka qenë dhe shoku im i dhomës. I uroj më të mirën për veten.

Cilët janë objektivat për sezonin e ri të Tiranës, duke llogaritur largimin e disa lojtarëve?

Objektivat vendosen në bazë të skuadrës që formohet, prandaj është shpejt për të thënë objektivin. Gjithsesi, Tirana do të luajë si zakonisht për ta fituar trofeun.

Ku duhet të përforcohet Tirana këtë sezon që të arrijë të paktën të konkurrojë për kreun?

Për përforcimet besoj se i takon trajnerit të flasë. Unë jam një nga lojtarët e skuadrës dhe nuk do të ishte normale ta bëja një gjë të tillë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"