EKSKLUZIVE/ Nga fatkeqësia te goli, Leao i Erzenit rrëfehet pas humbjes së fëmijës: Si gjeta forcë të luaja dhe shënoja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2023 | 20:20

EKSKLUZIVE/ Nga fatkeqësia te goli, Leao i Erzenit rrëfehet pas humbjes së fëmijës: Si gjeta forcë të luaja dhe shënoja (E PLOTË)

Mbrojtësi brazilian, Vitor Leao, është një nga përforcimet e merkatos së janarit tek Erzeni. Në derbin ndaj Teutës, ai u fut në fushë në minutën e 83-të, duke zëvendësuar kapitenin Gëzim Krasniqi. 330811368_1225949258279210_9052646981098435998_n

Ndërsa në minutën e 87-të arriti të shënojë golin e barazimit 1- 1 pas goditjes me kokë nga brenda zonës. Mirëpo, e diela e 12 shkurtit ka qenë e mbushur me trishtim për Leaon, pasi ai priste të bëhej baba, por mori një lajm të keq nga Brazili.

Gruaja e tij dështoi të lindte vajzën që priste dhe kjo fatkeqësi u përjetua shumë nga 24-vjeçari. Megjithatë, ai gjeti forca për të qenë në fushë dhe ndihmuar skuadrën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon si e përjetoi këtë moment të vështirë, por edhe ndjesinë që pati në fushë.

Leao, sa e vështirë ishte për ju të luanit në derbin Erzeni-Teuta pas lajmit të hidhur që morët nga familja pak orë para fillimit të ndeshjes?

Ishte shumë e vështirë të vendosja për të luajtur ose jo, por arrita të gjeja forcë te Zoti, familja dhe gruaja ime. Fati deshi që të futesha në lojë dhe të shënoja unë ndaj Teutës.

A ndiheni më mirë tashmë që keni realizuar dhe kishte ky gol një dedikim special?

Po, goli erdhi si dhuratë nga Zoti në mes të trishtimit që më kishte pushtuar ditën e ndeshjes. Ndihesha sikur vajza ime ishte me mua në shpirt, prandaj golin ia dedikoj veçanërisht asaj dhe gruas sime.

73928262-f275-4333-a318-99b339c1b81e

Tifozët e Erzenit kishin vendosur një banderolë të dedikuar për ju. E ndieni ngrohtësinë e tyre në këto pak javë që keni si pjesë e skuadrës shijakase?

Po, sigurisht. Të them të drejtën u befasova nga afeksioni i tifozëve, pavarësisht se kam një kohë të shkurtër këtu. Ndjeva ngrohtësinë dhe dashurinë e tyre. Tifozët e Erzenit më dhanë forcë në këtë moment të vështirë për mua dhe familjen time. Faleminderit të gjithë fansave dhe gjithashtu stafit dhe shokëve të skuadrës. Le të shikojmë përpara për më shumë arritje në atë që kemi si qëllim të përbashkët.

E besonit si ekip se mund të shënonit edhe një tjetër gol pasi barazuat në ato pak minuta që kishin mbetur, duke bërë një përmbysje të çmendur ndaj Teutës?

Menjëherë pas golit kishte një tjetër goditje këndi dhe pashë mundësinë për të shënuar sërish, por nuk ishte e mundur. Megjithatë, jam shumë i lumtur që ndihmova ekipin për të marrë një pikë.

Tashmë do të luani përballë Partizanit, çfarë prisni?

Unë mendoj se barazimi i fundit që morëm ndaj Teutës, do të na ndihmojë shumë për vazhdimësinë e garës. Partizani është rivali ynë më i afërt, kështu që besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por Erzeni ka treguar deri më tani se mund të fitojë ndaj çdo skuadre.

RONALD FAJA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"