EKSKLUZIVE/ Nga “djajtë” e derbit, te gabimet në fushë, rrëfehet Jemini: Bakaj më i ndëshkuari, ja sekretet (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 23:31

EKSKLUZIVE/ Nga “djajtë” e derbit, te gabimet në fushë, rrëfehet Jemini: Bakaj më i ndëshkuari, ja sekretet (E PLOTË)

Të premten luhet derbi. Tirana dhe Partizani rikthehen me përballjet mes tyre pas një viti mungesë prej rënies së bardhebluve në Kategorinë e Parë. Gjykimi? Me shumë mundësi, Lorenc Jemini do të jetë “bilbili” i takimit, siç ka ndodhur gjashtë herë radhazi. Ah, jo! S’mund të jetë ai. Gjyqtari me stemën e FIFA-s për tetë vite nuk arbitron më sepse Federata Shqiptare e Futbollit i mbylli karrierën me një të rënë të lapsit. Arsye? Shkak? Motivim? Asnjë! Të gjithë drejtuesit dhe përgjegjësit u “fshehën pas gishtit” duke mos treguar kurrë pse nuk u aktivizua më Jemini. Mirëpo, sot, ai do të jetë një spektator më shumë në “Selman Stërmasi”.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-ndërkombëtari i FIFA-s tregon eksperiencën e tij me ndeshjet derbi. Gjykimin për dy vite radhazi, lojtarët më të urtë, ata më të ashpër, derbin më të bukur. “Gabime? Kam bërë, por jo me vetëdije. E kam mësuar kur kam vajtur në shtëpi që kisha gabuar. Në fushë kam akorduar siç e kam parë diçka”, tregon ndër të tjera ish-ndërkombëtari.

bakaj jemini

Jemini, është java derbi. Si vijnë Tirana dhe Partizani në këtë përballje, referuar gjykimeve në pesë javët e para?

Në këto pesë javë kampionat i shikoj të dyja ekipet të ekuilibruara. Pak më me grintë shikoj Partizanin, duke marrë shkas edhe nga ndeshja e fundit me Flamurtarin. Edhe derbi mendoj se do të jetë shumë i ekuilibruar. Sa i përket arbitrimit të të dyja ekipeve deri më tani, pa u futur në moviolë të mirëfilltë, përveç rastit të fundit të Tiranës në Korçë që ka pasur disa probleme, deri tani nuk ka pasur arbitrime të gabuara. Katër javët e para kanë qenë shumë të qeta, si rrallë ndonjëherë.

Nëse riktheheni pak në kohë, çfarë bën një arbitër në javën derbi?

Eh… Derbi! Është e vetmja gjë që më mungon nga arbitrimi.

Pse ju mungon, çfarë ka kaq speciale?

Sepse unë e kam arbitruar gjashtë herë radhazi derbin, që është një rast unik. Në kampionat dhe një herë për Kupën e Shqipërisë, kur Partizani ishte në Kategorinë e Parë.

Lorenc Jemini

Si e përgatisnit ju një ndeshje derbi?

Derbi është një ndeshje e veçantë, e cila për mua është një nga më të bukurat që kam arbitruar. Edhe për arsyen se është “më e lehta”.

Pse më e lehta?

Sepse je aq i karikuar për këtë përballje, sa të duken gjërat shumë të lehta. Gjithashtu, atmosfera që krijohet në stadium apo jashtë, atmosfera në fushë me lojtarët, të cilët kanë grintë më tepër se në një ndeshje normale, kjo ta lehtëson punën në arbitrim që të japësh 100%.

A nuk penalizojnë këta faktorë, sepse lojtarët do të jenë më agresivë?

Absolutisht, jo! Përkundrazi, kjo të bën edhe më të përgjegjshëm. Madje, unë e doja derbin fort edhe për një arsye tjetër.

Cila, afeksioni për ndonjë prej ekipeve?

Jo! Sepse lejoja një lojë aq burrërore sa herë pas here e kalonte masën. E megjithatë, më pëlqente dhe në të vërtetë, edhe publikut i pëlqente e madje edhe vetë lojtarëve në fushë u pëlqente. Madje, më thoshin herë pas here që “Lorenc, shumë e fortë po bëhet” (qesh…).

Si do të donit të ishte derbi të premten?

Uroj dhe shpresoj që arbitri, i cili do të jetë në këtë përballje, të lejojë lojën që të luhet tamam futboll anglez.

Përmendët disa herë atmosferën dhe tifozët, të cilët janë të shumtë në derbi, e po ashtu edhe të sharat. Sa ofendohet arbitri në derbi?

O Zot! Shiko… Të të them një gjë në lidhje me këtë çështje. Tifozët e Tiranës dhe të Partizanit janë dy supertifozëri. Jua them nga ana ime personale dhe nga përvoja. Kam dëgjuar shumë që thonë se “tifozët shqiptarë janë agresivë, të paedukuar etj,.” Absolutisht që nuk janë!

jemini

Po kemi parë ofendime dhe sharje në kor pa fund…

Po të tregoj… Unë para ndeshjes ulesha te një nga kafenetë para stadiumit. E në fakt, aty kalonin tifozë të të dyja ekipeve. Kalonin, na përshëndesnin, bënin batuta e asgjë e kësaj natyre për çfarë ju thashë më sipër se i etiketojnë. Madje, më e bukura ishte se edhe pas derbit uleshim tek e njëjta kafene. Gjithashtu kalonin tifozë, disa prej tyre të gëzuar dhe të tjerë të mërzitur, por asnjëherë nuk kalonin në banalitete dhe ashpërsi. Sigurisht që tifozi ankohet për një faull, “pse nuk na dhe një penallti”, “pse bëre këtë apo atë”. Sipas meje, të dyja këto tifozëri janë të veçanta.

Keni arbitruar shumë derbi… Pse kaq shumë i përzgjedhur?

Do të veçoj një gjë nga derbi, sepse nga gjashtë derbi, në vetëm një prej tyre ka pasur protesta dhe pretendime nga ana e Tiranës. Ata pretendonin për tri penallti të padhëna, e ndoshta vetëm te një mund të kenë të drejtë. Ndërsa të pesë derbit e tjerë, pa asnjë pretendim.

Cilin kujtoni si derbin më të bukur dhe për çfarë arsyeje e veçoni?

Ka qenë një derbi në “Selman Stërmasi”, i cili ka përfunduar 2- 2, sepse ishte superfavorit Partizani, por në fushë u kthye krejt e kundërta. Kryesoi Tirana edhe me dhjetë lojtarë, kur Gent Muça doli me të kuq dhe në fund barazoi Partizani në minutën 90+4′.

Jeni bërë pishman për ndonjë gabim në derbi?

Pishman… Dua të them diçka. Një vendim që jep në fushë, mund ta shohësh pas ndeshjes dhe të duket i gabuar. Mirëpo, nuk është se bëhem pishman, pasi në atë moment të ndeshjes, ashtu e kam parë dhe ashtu kam vendosur. Nuk mund ta quaj të tillë, se pishman do të isha për një gjë, të cilën e kam bërë me vetëdije.

A keni bërë kompensime në derbi?

Jo, nuk mendoj sepse arbitri kur futet në fushë mendon të bëjë baraspeshime për njërën skuadër apo për tjetrën. Madje, tani nuk lejohen as celularët në dhomat e zhveshjes për ta parë në pushim nëse ke bërë ndonjë gabim. Gjithsesi, nëse ke bërë një gabim, duhet të rrish vetëm tek ai. Do ta mësosh që ka qenë i tillë vetëm kur të shkosh në shtëpi, pasi ka mbaruar ndeshja dhe s’të çon në gabim të dytë.

Ju ka ndodhur që të tradhtoheni nga ndonjë asistent, i cili është përfshirë më shumë sesa duhet nga emocionet apo presioni dhe ka gabuar?

Unë kam pasur asistentë kryesisht të nivelit të lartë, sepse kanë qenë ndërkombëtarë. Herë pas here, edhe kur caktohej ndonjë që nuk ishte me stemë dhe mund ta kishte për herë të parë derbin, në minutat e para ishte super i emocionuar.

Ndonjë rast konkret?

Pa përmendur emra. Në minutat e para ishte i emocionuar, por duke e motivuar se “është ndeshje e bukur, do të kalojë çdo gjë etj,.” Pastaj me kalimin e minutave, kishte edhe reagime habie: “Ua, çfarë atmosfere që paska!”. Pra, derbi e ka këtë magji, që nuk të lejon të mendohesh shumë gjatë. Është shumë elektrizues. E për këtë, do të jem në stadium këtë herë. Dua ta shoh direkt nga stadiumi.

Në cilën anë të tifozërisë?

(qesh…).

Si përgatitet një arbitër për derbin, çfarë ka nevojë të bëjë?

Sikurse përgatitet një lojtar, një trajner apo një ekip, ashtu përgatitet edhe një arbitër. Përpara ndeshjes, edhe arbitrat shikojnë formacionin, si do të luhet, lojtarët që janë më problematikë, lojtarët që luajnë më fort, ata që simulojnë më shumë e të gjithë këto elementë me radhë. Gjithashtu, trajnerët që mund të jenë më agresivë. Pasi vëren gjithçka, ulesh dhe diskuton me asistentët e tu duke iu thënë: “Duhet të kesh X numër kujdes sepse mund të simulojë. Me X numër duhet kujdes sepse luan fort dhe me radhë çdo element. E në fund fare dhe më e rëndësishmja, me gjithë arbitrat prapa portës, duhet të kemi të gjithë sytë hapur për të mos na shpëtuar asgjë nga kjo ndeshje”. Kjo është parapërgatitja e arbitrit në vija të përgjithshme.

Referuar Serisë A, trupa e gjyqtarëve mësohet disa ditë përpara. Sa jo komode është për një arbitër shqiptar që e mëson se do të arbitrojë derbin vetëm një ditë para?

Unë mendoj se arbitrat duhet ta dinë që një javë para se cilën ndeshje do të gjykojnë. Nuk po them si në Spanjë, që mësohet në fillim të sezonit, apo si në Angli kur që në gusht arbitri mëson kalendarin e ndeshjeve që do të arbitrojë, por në Shqipëri mendoj se ka ardhur koha që arbitrat ta mësojnë një javë përpara ndeshjen.

Pse mund ta ndihmojë?

Sepse janë më të qetë. Po bëj unë një pyetje. Kur e merr vesh 24 orë përpara, siç ndodh tani, pse mbahet sekret kaq i madh? Cila është arsyeja e kësaj? Po ju them se tani nuk ka më as presion. Nuk ka më as probleme dhe kampionati është shumë i qetë, siç po e shikoj deri tani. Por edhe vjet kështu ka qenë. Një zgjedhje e tillë vetëm i mban nën tension arbitrat sesa i mban larg presionit.

Kush kanë qenë lojtarët më problematikë në derbi?

E kam të vështirë, sepse unë kam pasur marrëdhënie të veçantë me lojtarët, sidomos në derbi. Nuk mbaj mend ndonjë që të më ketë ngritur zërin. Por, do të veçoj Elis Bakajn, të cilin e kam nxjerrë disa herë me të kuq (qesh…). Bakajn e kam pasur edhe komshi, sepse jemi afër me shtëpi dhe e takoja edhe paradite dhe i dukej sikur mua më kishte shok edhe në fushë, ndërkohë që aty ndryshonin gjërat (qesh…).

Ai nuk e bënte dot dallimin apo ishit ju më shumë i rreptë ndaj tij?

Ai s’e bënte dot dallimin. Ia kam shpjeguar disa herë në fakt dhe i kam thënë që “nuk mundesh të sillesh ndryshe në fushë”.

Po lojtarët më të urtë në derbi?

Ka disa, sepse kam tri vite radhazi që kam arbitruar në derbi. Do të veçoja te Tirana Karabecin, i cili është edhe lojtar punëtor dhe pa fjalë dhe është kapiten. Gjithashtu, Gent Muçën, të cilëve nuk u ndihet zëri dhe janë lojtarë “fair play”. Te Partizani do të veçoj kapitenin, Hoxhën, që është tamam kapiten. Një tjetër… (mendohet) Trashi.

Kujtoni ndonjë derbi kur keni pasur direktiva në lidhje me arbitrimin?

Nëse mund të ketë ndonjë gjë në një ndeshje tjetër, në derbi është e pamundur të të ndodhë diçka e tillë. Sepse aty i kanë sytë të gjithë dhe po gabove në derbi, zëre se e ke groposur vetë veten (qesh…). E vështirë që të bësh manovrime.

Çfarë gabimi nuk duhet ta bëjë një arbitër në derbi?

Nuk duhet të bëjë kompensime. Nëse ke bërë një gabim, lëre të tillë sepse nëse nis të bësh kompensime, do të bëhen dy apo tre e më pas shkojnë shumë të tillë. Mos bëj kompensime! Derbi është për t’u parë nga të gjithë dhe është për tifozët. Unë ndaj jam me fat dhe për këtë ndihem shumë mirë, sepse për pesë derbi radhazi nuk kishte asnjë pretendim për arbitrin. Kjo më ka dhënë shumë gëzim.

E përmendët që ndaj Tiranës kishte një gabim për penallti. Bardheblutë ju kanë etiketuar disa herë për arbitrimet për anësi nga të kuqtë…

Jo, asnjëherë! Unë kam pasur marrëdhënie të njësojta, si me Tiranën dhe me Partizanin, meqë po flasim për derbin.

Kaq shumë derbi, por jua mbyllën karrierën me një të rënë të lapsit…

Unë prandaj arbitroja kaq shumë ndeshje, sepse zgjidhesha me konsensus nga të dyja. Gabime në derbi mund të ketë, por nuk besoj që gjyqtari të ndikojë me vetëdije. Vetëm po të ketë ndonjë të çmendur (Qesh…).

E keni kaluar ndonjëherë masën me kartonët?

Kam qenë kaq i kursyer me kartonët, sa më kritikonin pse nuk ndëshkoja. Jam racë krejt e kundërt. Nëse një arbitër jepte gjashtë në një ndeshje, unë në derbi mund të jepja vetëm tre.

Po në lidhje me tifozërinë, cilën veçoni nga derbit?

Me sa kujtoj unë, rekordin e ka Partizani-Tirana në “Qemal Stafa” me rreth 17 mijë të pranishëm. Sapo ishte kthyer Partizani në Superligë. Ishte ndeshje me një nivel jo shumë të lartë, por tifozëria ishte në ekstazë. Pasi luajti Kombëtarja me Milanin, ishte hera e parë që pashë tifozë edhe mbrapa portave në atë stadium për kampionatin shqiptar.

Cilat do të ishin 3 këshillat për arbitrat që do gjykojnë derbin?

Së pari, të shijojnë derbin. Një arbitër duhet të jetë i përqendruar 100% te ndeshja, të bëjë sa më pak gabime, të bashkëpunojë me asistentët e tij dhe të mos ketë asnjë pretendim nga palët në fund. Kjo është ta shijosh derbin në çdo sekondë si arbitër. Së dyti, të jetë i përgjegjshëm me vendimet që do të japë. Së treti, të mos ndikohet nga situata që krijohen ose nga presioni i tifozërisë, ndoshta nga presioni i mediave, ndoshta, ndoshta nga faktorë të jashtëm. Të jetë neutral.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"