Ekskluzive/ Nga Bajko te Hafizi: Ja si dalim me Rumaninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2016 | 11:55

Ekskluzive/ Nga Bajko te Hafizi: Ja si dalim me Rumaninë

Ndeshja me Rumaninë mund të rezultoj e artë për Shqipërinë, pasi një fitore hap rrugën e kualifikimit përmes vendit të tretë.

13413075_979414445491118_1782506611469208084_n

Ish-trajnerët e Kombëtares, Neptun Bajko, Astrit Hafizi dhe Sulejman Demollari kanë folur dje për “Panorama Sport” në prag të kësaj sfide. Sipas tyre, Xhani De Biazi duhet të ndryshoj mënyrën e lojës për të çuar ekipin drejt triumfit.

Nga ana tjetër, edhe ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, jep mendimin e tij, duke theksuar se Shqipërisë i duhet Sokol Cikalleshi për të gjetur golin ndaj Rumanisë.

“Luajmë ndaj një skuadre që në raport me ne ka disa avantazhe. Rumania është më e shpejtë dhe më mirë fizikisht. Ka disa lojtarë cilësorë në fazën sulmuese. Duhet të bëjmë kujdes në zonë, nuk duhet të jemi të hutuar në mbrojtje si ndaj Francës.

Aty po gabojmë, edhe për shkak se nuk jemi të vëmendshëm”, – ka thënë Hafizi. Ndërsa Bajko është i bindur se ndeshjen do ta zgjidhin mesfushorët.

“Nuk duhet të luajmë për t’u mbrojtur. Duhet të ndryshojmë mënyrën e lojës për të na dërguar te rezultati. Mendoj se lojtarët e mesfushës mund ta zgjidhin situatën ndaj Rumanisë”, – thekson Bajko.

Ndërsa për Demollarin, kuqezinjtë vuajnë psikologjikisht. “Ekipi ka luajtur mirë, por nuk ka arritur të shënojë apo marrë rezultat. Kjo e ka ngarkuar psikologjikisht, por me Rumaninë kemi shanse të mira”, – është shprehur Demollari.

NEPTUN BAJKO
“De Biazi gaboi, do ta zgjidhin mesfushorët”

Ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko, ka rezerva për zëvendësimet që u bënë ndaj Francës, ndërsa mendon se në ndeshjen e fundit me Rumaninë situatën do ta zgjidhin mesfushorët. “Kombëtarja më pëlqeu, pasi luajti me karakter dhe një shpirt të lartë gare. Sa i përket golit që pësuam në fund, mendoj se nuk gaboi vetëm skuadra, por edhe trajneri. Zëvendësimet duhej të ishin bërë më shpejt, por me lojtarë të tjerë, ose skuadra duhej të qëndronte e njëjtë deri afër fundit.

De Biazi u nxitua me zëvendësimin e fundit. Në vend të Veselit mund të fuste tjetër lojtar”, është shprehur Bajko për “Panorama Sport”. Lëvizjet – “Unë parashikoj një takim ndryshe ndaj Rumanisë. Nuk duhet të luajmë për t’u mbrojtur.

Duhet të ndryshojmë mënyrën e lojës për të na dërguar te rezultati. Ka shumë dilema për faktin nëse skuadra do të tregojë gjendje të mirë dhe a do të shkarkohet lodhja me Francën. Apo do të pasqyrohet ai sforcim edhe në këtë ndeshje. Këto janë elementë që mund të influencojnë në gjendjen e skuadrës. Nuk kemi ndonjë lojtar që të marrë topin dhe të shënojë duke na nxjerrë nga situata.

Nuk kemi yje dhe jemi të bazuar në lojën kolektive me tipare të theksuara në aspektin mbrojtës. Unë mendoj se lojtarët e mesfushës mund ta zgjidhin situatën ndaj Rumanisë. Pres një ndeshje, ku të dyja skuadrat do të luajnë për fitore. Do të jetë një ndeshje e veçantë. Unë kam parë shumë pak të meta te skuadra rumune.

Kundërshtari vendoset mirë në fushë, por shpresojmë të ndryshojmë, edhe pse e shoh me dyshim diçka të tillë në aspektin sulmues. Sulmuesit i kemi me karakteristika thuajse të njëjta, por nëse futet edhe Cikalleshi, atëherë mund të jetë edhe më mirë për Sadikun. Sa i përket mbrojtjes, edhe pse rikthehet Cana, gjykoj se ai duhet të pushojë pasi në qendër të mbrojtjes pati shumë pak gabime me dyshen Ajeti-Mavraj”.

ASTRIT HAFIZI
“Ekipi është i lodhur, duhen bërë ndryshime”

Astrit Hafizi mendon se Shqipëria duhet të rregullojë lojën nga krahët, nëse ndaj Rumanisë kërkon të fitojë. “U sforcuam shumë ndaj Francës, por nuk morëm pikë.

Tashmë ekipi nuk duhet të mendojë, se meqë bëri një ndeshje të mirë, të jetë në eufori për shansin që i jepet me Rumaninë. Mendoj se diferencën në këtë takim do ta bëjë ajo skuadër që është më e freskët nga ana fizike. Shqipërinë e shikoj të lodhur dhe kjo u tregua edhe në 10 minutat e fundit me Francën. Nevojitet një rifreskim në skuadër.

Duhet të rregullojmë patjetër lojën nga krahët. Edhe pse si mbrojtje kemi më tepër siguri, sërish po gabojmë në mbulime dhe në pozicione standarde.

Nëse do të bënim një ndryshim në mbrojtje ndaj Rumanisë, mendoj se mund të ishte aktivizimi i Gjimshitit, por ai nuk është grumbulluar, kështu që katërshja që luajti me Francën duhet të ketë sërish besim”, ka thënë ish-trajneri për “Panorama Sport”.

Disavantazhet – “Luajmë ndaj një skuadre që në raport me ne ka disa avantazhe. Rumania është më e shpejtë dhe më mirë fizikisht. Ka disa lojtarë cilësorë në fazën sulmuese. Duhet të bëjmë kujdes në zonë, nuk duhet të jemi të hutuar në mbrojtje si ndaj Francës. Aty po gabojmë, edhe për shkak se nuk jemi të vëmendshëm”, shtoi Astrit Hafizi.

Problemi i golit – “Është diçka që nuk e rregullon dot për tre-katër ditë. Kjo është një mënyrë loje e krijuar prej kohësh nga trajneri ynë.

Duke u kushtuar më shumë rëndësi veprimeve mbrojtëse, natyrshëm që kështu do të jetë. Mendoj se duhet të ndryshojmë përmes lojtarëve që bëjnë lojën sulmuese.

Nuk është kaq e thjeshtë për ta bërë këtë, sepse pak mundësi kemi. Janë dy-tre lojtarë që luajnë në të njëjtin pozicion në sulm, si Cikalleshi, Sadiku dhe Balaj. Është vetë sistemi i lojës sonë i tillë që e imponon këtë. Sërish kemi për të pasur vështirësi në sulm”, përfundoi ish-kreu i pankinës kuqezi.

SULEJMAN DEMOLLARI
“Mbrojtja të mos lëvizë, vuajmë psikologjikisht”

Sulejman Demollari deklaroi dje se Kombëtarja po vuan psikologjikisht mosarritjen te goli dhe rezultati pozitiv. Duke folur për “Panorama Sport”, ish-trajneri i kuqezinjve theksoi se Shqipëria ka shanse të mira për të fituar me Rumaninë.

“Mendoj se bëmë një ndeshje shumë pozitive ndaj Francës. Patëm rastet tona, në një takim shumë të luftuar, që u vendos nga një moment mospërqendrimi i mbrojtjes sonë. Megjithatë, të përballosh Francën me ato kualitete për 90 minuta, nuk është pak.

Tashmë na pret Rumania, që nuk është ajo e brezit të Haxhit, por gjithsesi mbetet e fortë. Me pak fat ne mund të fitojmë dhe të presim shansin për të qenë te katër skuadrat më të mira të vendeve të treta. Duhet të jemi shumë më të përqendruar ndaj Rumanisë, nuk duhet të bëjmë ato gabime si me Zvicrën apo Francën.

Në Europian këto skuadra nuk të falin në të vetmin gabim që mund të bësh. Këtë leksion na e dha Franca dhe këtu bëhet diferenca.

Rumania nuk është një skuadër që bën diferencën, por jemi në një moment ku trajneri duhet të punojë më shumë nga ana psikologjike.

Kjo e ka vrarë më shumë ekipin, sepse ka luajtur mirë dhe nuk ka arritur të shënojë apo marrë rezultat. Mundësia ekziston nëse fitojmë, por për të njëjtën gjë lufton edhe Rumania. Do të jetë një ndeshje e hapur, por duhet përqendrim maksimal.

Më ka pëlqyer fakti që skuadra ka funksionuar në grup, qoftë në aspektin mbrojtës, ashtu edhe sulmues”, ka thënë Demollari.

Në fund, ish-trajneri komentoi edhe paraqitjen e katër mbrojtësve. “Mendoj që mbrojtja nuk duhet të ndryshojë ndaj Rumanisë.

Normalisht rikthehet Cana, që ka kontributin dhe personalitetin e tij, por unë pashë një Ajet në superformë. Është një pikë e fortë në mbrojtjen tonë, ashtu si Hysaj, Mavraj dhe Agolli”, ka përfunduar ish-fantazisti që ka mbajtur për disa vite shiritin e kapitenit.

SULEJMAN STAROVA
“Cikalleshi titullar, por duhet një plan B”

Sulejman Starova është i mendimit se trajneri De Biazi duhet të guxojë me Sokol Cikalleshin nga minuta e parë dhe të bëjë gati një plan B gjatë ndeshjes, me qëllim që të mund të luajë edhe me dy sulmues në fraksionin e dytë.

“Kapiteni Cana duhet të rikthehet në qendër të mbrojtjes. Sigurisht, në ndeshjen e parë nuk mundi të bënte dot liderin, por me Rumaninë mund të jetë i dobishëm për skuadrën.

Sa për pjesën tjetër, për shkak edhe të mungesës së Kukelit, besoj se duhet të rikthehet Xhaka në mesfushë, por gjithashtu edhe Roshi.

Me Rumaninë kemi nevojë të fitojmë dhe nëse nuk rrezikojmë me lojtarë që dinë ta çojnë topin te porta kundërshtare, atëherë nuk mund t’ia lëmë gjërat në dorë rastësisë”, ka deklaruar fillimisht Sulejman Starova për “Panorama Sport”.

Vendosja – “Mendoj se Xhaka dhe Abrashi duhet të vendosen para mbrojtjes, me Roshin e Lenjanin nga krahët, ndërsa Memushaj duhet të jetë më i avancuar në qendër, që mbështet Cikalleshin. Them Cikalleshin titullar, sepse është më i freskët, por ndërkohë duhet përgatitur mirë edhe një plan B për pjesën e dytë.

Duhet të mendojmë të luajmë edhe me dy sulmues, sepse duke zëvendësuar Lenjanin ose Memushajn dhe duke futur në fushë Sadikun, atëherë mund të jemi më të rrezikshëm nëse do të na e lypë nevoja. Sadiku ka treguar se kur hyn në fushë si zëvendësues, është më efikas, nga ana tjetër Cikalleshin e shoh më të freskët dhe besoj më të uritur.

Duhet të luajmë të përqendruar, por edhe me guxim. Ky është shansi i fundit dhe të paktën t’ia bëjmë hyzmetin mirë që të mos kemi asnjë keqardhje më pas.

Por duhet të dimë se Rumania nuk është aspak rival i lehtë. Përkundrazi, kanë cilësi dhe cinizëm të madh”, ka përfunduar ish-trajneri, i cili ka qenë edhe sekretar i FSHF-së.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"