EKSKLUZIVE/ Nga analiza e ndeshjes te Panuçi, rrëfehet De Biazi: Ja çfarë duhet të bëjë Shqipëria ndaj Skocisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2018 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Nga analiza e ndeshjes te Panuçi, rrëfehet De Biazi: Ja çfarë duhet të bëjë Shqipëria ndaj Skocisë (E PLOTË)

Pesë vite e gjysmë dhe një largim mes lotësh nuk mund kurrsesi të harrohen për… një vit. Lidhja e krijuar nga Xhani De Biazi me Kombëtaren dhe Shqipërinë është e tillë që për shumë kohë do të mbetet speciale. Edhe pse ishte shpesh nervoz në konferencat e shtypit, në jo pak raste kritikonte mediat.

de biazii

Edhe pse ishte i rreptë me lojtarët, ai kishte aftësinë për të mos tejkaluar masën. I gjendur në aeroport, para fluturimit drejt destinacioneve të tij personale, Xhani De Biazi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, komenton paraqitjen e Shqipërisë. Nuk harron të përsëritë se është tifoz me këtë skuadër, porse edhe deklaron se është në krah të trajnerit të ri. I rikujton Panuçit dhe gjithkujt miqësitë dhe raportet që ka krijuar në vendin tonë, por edhe faktin që askush nuk duhet të ketë xhelozi rreth tyre dhe, në fakt, mjafton të qëndrosh disa minuta me të dhe vihet re lidhja speciale e tij me shqiptarët.

“Uroj të jetë ogur i mirë si para katër viteve, kur fitonin në start me Portugalinë. Kush nis me fitore, ka shanse. Tani janë dy shanse për Europianin, jo vetëm një që kisha unë”, tregon ndër të tjera trajneri që drejtoi kuqezinjtë në pjacën më të lartë të suksesit deri më tani.

de biazi

Mister De Biazi, ishit në stadium. Si e patë ndeshjen ndaj Izraelit?

Ishte një ndeshje jo e lehtë. Në pjesën e parë pashë një skuadër më të kontraktuar dhe nervoze, e cila rrezikoi të pësonte në të paktën dy raste. Por, në të dyja rrethanat u tregua i zoti Strakosha që të shpëtonte. Në pjesën e dytë e merituam fitoren. Megjithatë, Shqipëria mund ta kishte mbyllur ndeshjen edhe para minutës së 90-të. Mendoj që ishte një nisje shumë e mirë që i jep besim ambientit dhe skuadrës. Kjo fitore i bëri skuadrës që të kuptojë se në kuadër të Ligës së Kombeve mund të arrijë edhe e para në këtë grup.

Pse ishte nervoze skuadra sipas jush?

Kur ndeshjet vlejnë tri pikë, qëndrimi është ndryshe për shkak se ka diferencë të madhe kur luan një miqësore dhe një ndeshje me vlerë pikësh. Të mos harrojmë që ka pasur një sërë situatash, të cilat janë provuar nga trajneri, sidomos gjatë miqësoreve dhe është e justifikueshme. Kjo, pasi në rast se nuk i bën provat gjatë miqësoreve, Panuçi nuk mund t’i bënte gjatë kualifikueseve të Ligës së Kombeve.

De Biazi2

Le të flasim pak taktikisht. Si ishte rreshtimi 4-3-3 i Shqipërisë?

Pashë në fushë një skuadër të ekuilibruar, shumë të ekuilibruar. Për më tepër, me një mbrojtje, lojtarët e së cilës luanin për herë të parë së bashku. Mendoj se edhe djaloshi, i cili debutoi, Binaku, tregoi teknikë të mirë. Ishte mirë edhe fizikisht, si dhe shtynte mirë përpara. Gjithashtu, ishte mesfusha e zakonshme e Kombëtares. Ndërsa në sulm, Guri u soll shumë mirë, megjithëse nuk bëri gjëra të jashtëzakonshme. Pres diçka më shumë nga Hyka, i cili për mua është një lojtar që duhet të bëjë diferencën dhe në fushë duhet të shfaqë më shumë vendosmëri dhe kurajë që të synojë driblimet një kundër një. Sepse, për mua është i vetmi që mund ta vendoste në vështirësi kundërshtarin.

de biazi

Ama, Shqipëria fitoi prej portierit dhe jo prej manovrave sulmuese…

Portieri është pjesë e skuadrës dhe duhet të japë një ndihmesë të mirë. Mendoj se Tomasi dha një ndihmë të madhe edhe në këtë ndeshje. Skuadra luajti, u përpoq të sulmonte. Gaboi në disa kundërsulme. Sidomos në pjesën e dytë këtë mënyrë loje mund ta kishte interpretuar më mirë, sepse ose gabonte në pasimin e fundit, ose jepte pasimin e fundit në mënyrë të saktë dhe gabimi bëhej përpara portierit kundërshtar. Sidoqoftë, rezultati është pozitiv, me skuadrën që do të rritet ndeshje pas ndeshjeje.

Duke fituar të parën ndaj Izraelit, njësoj si ndaj Portugalisë…

Shpresoj që të ketë një lidhje. Në krahasim me kur isha unë në krye, ka dy shanse për Europianin. Tani është edhe Liga e Kombeve që ta ofron këtë mundësi kualifikimi, krahas edicionit të kualifikueseve tradicionale. Unë mendoj se kush niset mirë, ka shanse. “Oreksi vjen duke ngrënë”, ndaj kur fiton shtohet dëshira për të fituar prapë. Pse jo, që ndaj Skocisë…

Hysajn e kanë kritikuar shumë se nuk luan në Kombëtare siç bën te Napoli…

Mendoj se Hysaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Shumë i fortë dhe që ka shumë dëshirë për të luajtur pozitivisht në Kombëtare. Te Napoli ai ndodhet brenda një konteksti skuadre, në të cilën lojtarët e gjejnë njëri-tjetrin me sy mbyllur dhe është normale që të luajë ndryshe atje. Këtu qëndron ndryshimi mes lojës së tij atje dhe në Kombëtare.

De Biazi

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në Skoci, të mbrohet apo të guxojë në sulm?

Duhet t’i bëjë të dyja. Sepse në futbollin e sotëm duhet mbrojtur dhe sulmuar, si dhe të dyja këto faza, në mënyrën më të shpejtë të mundshme duke shfrytëzuar hapësirat që do të lejojë mbrojtja e tyre. Nëse Shqipëria i ngjesh në zonën e tyre dhe i sulmon me krosime, ata janë shumë të zotë në lojën në ajër. Mendoj se është një ndeshje brenda mundësive që ka Shqipëria, sepse Skocia nuk është skuadra më e fortë në botë, por që duhet mbajtur në konsideratë.

Duhet të ketë frikë Shqipëria për këtë përballje?

Jo, Shqipëria nuk duhet t’i druhet. Duket sikur Panuçin e ndjek hija juaj, për më tepër që ju vini shpesh në Shqipëri… Nuk mendoj se Panuçi vihet nën trysni për shkak të pranisë sime, aq më tepër që unë vij për të parë ndeshjen dhe ai e di që jam në anën e tij. Unë jam munduar gjithmonë që ta ndihmoj Panuçin, si në ambientim si dhe në aspektet e tjera ku mund të ketë nevojë. Unë e cilësoj veten si tifoz shumë të madh të Shqipërisë, i dashuruar me këtë tokë dhe këtë skuadër.

Njëkohësisht kam edhe lidhje afrimiteti me lojtarët, të cilët më kanë dhënë shumë gjatë pesë viteve e gjysmë në stolin shqiptar. Mendoj se prania ime është diçka normale dhe askush nuk ka pse të ndihet xheloz për raportin tim me lojtarët. Sidoqoftë, unë mbetem jashtë kontekstit të skuadrës. Sa për dijeni, nuk kam folur me lojtarët gjatë këtyre ditëve.

As në dhomat e zhveshjes nuk zbritët, pasi ishit në tribunë?

Jo, nuk zbrita.

Pse?

Sepse nuk doja që t’i shqetësoja. Skuadra duhet të qëndronte me trajnerët, stafin dhe të shijonte fitoren. Sepse fitoret bëjnë mirë dhe ndihmojnë moralin.

Është folur për Xhanin edhe në lidhje me postin e drejtorit të ekipeve Kombëtare. Si është e vërteta rreth kësaj çështjeje?

Kam dëgjuar që ju shtyni të bëhem drejtor.

Ju, kush?

Mediat. Ju të shtypit në përgjithësi.

Nuk shkruajmë pa burime të sigurta…

Nuk e di nga dalin këto zëra, sepse nga unë nuk dalin. Personalisht nuk kam dëgjuar dhe nuk kam folur me presidentin rreth kësaj çështjeje.

Ka ndonjë shans t’ju shohim së shpejti në stolin e një skuadre?

Shansin e fundit e luajta një muaj më parë me Poloninë. Tani pres me qetësi. Nuk kam ngut.

Çfarë dëshiron De Biazi?

Dua që të bëj diçka të rëndësishme, që të jem në qendër të projektit ku ai që më punëson, duhet të më japë dorë të lirë dhe të mos më ndërhyjë.

Këto ditë në Shqipëri keni bërë shumë foto, siç edhe keni deklaruar se këtu “nuk ju lënë as të pushoni…”

Është shumë normale, sepse ka shumë respekt ndaj meje (qesh…).

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"