EKSKLUZIVE/ Nga alkooli te kazinotë, zbardhen gjobat te Luftëtari. Ja dënimet për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 19:12

EKSKLUZIVE/ Nga alkooli te kazinotë, zbardhen gjobat te Luftëtari. Ja dënimet për lojtarët

Klubi i Luftëtarit kërkon të futet në “shina” pas problemeve të shumta që ka pasur gjatë këtij viti. Humbja e fundit në Gjirokastër ndaj Tiranës dhe mbi të gjitha disa precedentë që kanë të bëjnë me disiplinën në skuadër, bënë që drejtuesit e klubit të zhvillonin një mbledhje urgjente me ekipin dhe stafin të martën në ambientet e stadiumit.

luftetari

Krahas pezullimit të Realdo Filit dhe Andi Renjës, klubi miratoi një rregullore të brendshme, e cila është hartuar në përputhje me rregulloren e Disiplinës në FSHF. “Panorama Sport” ka siguruar ekskluzivisht edhe shkresën ku vihen në dijeni lojtarët për masat që mund të merren ndaj tyre, në rast se shkelin rregulloren e brendshme. Gjobat janë të shumta nëse lojtarët thyejnë Disiplinën, madje deri në dy paga mujore. Në këtë rregullore parashikohen masa edhe për kartonët e verdhë apo të kuq, sjelljet ndaj trajnerit, ndaj tifozëve, regjimi që duhet të mbajnë, por edhe nëse kapen duke pirë alkool apo në kazino.

“Futbollisti është i detyruar dhe duhet të ketë sjellje shembullore dhe sportive, për të mos dëmtuar imazhin e tyre dhe të klubit. Gjithashtu, duhet të jetë i disiplinuar dhe të zbatojnë urdhrat e drejtueseve dhe të stafit teknik. Lojtarët duhet të respektojnë të gjithë anëtarët e bordit drejtues të ekipit, trajnerët, punonjësit e klubit, kolegët e tyre futbollistë, sportdashësit, si dhe duhet të japin maksimumin e profesionalizmit të tyre në përpjekje për të mbajtur lart emrin dhe historinë e ekipit të Luftëtarit.

Luftetari miqesore

Futbollistët janë të detyruar të japin me shkrim në sekretarinë e klubit adresën e saktë të banimit, numrin e telefonit. Për çdo ndryshim të adresës ose të telefonit duhet të bëhet në të njëjtën mënyrë te stafi teknik ose drejtuesit me shkrim ose me mesazh. Në rast të shkeljes së kësaj norme, lojtari gjobitet në masën 20.000 lekë”, citohet në fillim.

PËRGJEGJËSITË E LOJTARËVE

* Lojtari, për çdo problem personal, duhet të drejtohet posaçërisht te drejtori sportiv, ndërsa për çështje ekonomike personale ose të ekipit duhet të drejtohet me shkrim nëpërmjet kapitenit tek administratori i klubit, gjithnjë duke marrë leje nga trajneri.

* Futbollisti është i detyruar të përdorë për ndeshje ose stërvitje vetëm mjetet e transportit që cakton ekipi. Për çdo rast tjetër për përdorim të automjetit personal në raste të veçanta duhet të marrë leje nga trajneri një ditë para.

Luftetari

* Futbollisti është i detyruar të përdorë gjatë stërvitjes ose ndeshjes veshjet e ekipit dhe në fund të sezonit është i detyruar t’i kthejë në klub. Në rast të kundërt paguan vlerën e tyre.

* Ndalohet futbollisti të marrë pjesë në sporte të rrezikshme, si gara me makina, të ngasë motoçikletë, parashuta etj. Në rast se lojtari shkel këtë rregull, dënohet me gjobë 100.000 lekë. Nëse dëmtohet gjatë ushtrimeve të mësipërme, i ndërpritet rroga deri në shërimin e tij.

SJELLJET GJATË NDESHJEVE

1. Nëse futbollisti kundërshton pa shkak që të marrë pjesë në ndeshje si në formacionin bazë ose rezervë, refuzon ose neglizhon (nëse luan) të zbatojë pozicionin, taktikën që thotë trajneri dhe nuk tregon seriozitet dhe disiplinë edhe gjatë nxehmjes, dënohet me gjobë 100.000 lekë. Pas kësaj, është i detyruar të ndjekë një program të veçantë stërvitjeje, që do t’ia caktojë trajneri.

luftetari-skenderbe2

2. Nëse futbollisti shpreh pakënaqësi me çdo mënyrë gjatë zëvendësimit nga ndeshja, dënohet në bazë të kërkesës së trajnerit dhe vlerësohet çdo rast, nga 30.000 lekë deri në 100.000 lekë.

3. Futbollisti që zëvendësohet është i detyruar të qëndrojë në pankinën e ekipit deri në fund të ndeshjes. Vetëm trajneri mund t’i japë leje për të vajtur në dhomat e zhveshjes. Në rast se shkelet kjo normë, lojtari dënohet me gjobë 50.000 lekë.

4. Lojtari rezervë duhet të rrijë në pankinë para fillimit të ndeshjes dhe deri në mbarimin e saj. Nëse shkelet kjo normë, lojtari dënohet me gjobë 50.000 lekë.

5. Për gjeste antisportive dhe shfaqje të papëlqyeshme, që dëmtojnë imazhin e lojtarit dhe të ekipit, edhe pa rënë në sy të arbitrit të ndeshjes, edhe pas mbarimit të ndeshjes me sugjerim të trajnerit, lojtari dënohet me gjobë 50.000 lekë.

6. Ndëshkimi i futbollistit nga loja me karton të kuq dënohet me gjobë 50.000 lekë.

7. Nëse futbollisti merr karton të verdhë pa shkak (për refuzim të vendimit të arbitrit, goditjen e topit pas vërshëllimës së arbitrit, debate me lojtarët në fushë, spektatorët etj.), dënohet me gjobë 20.000 lekë dhe dyfishohet gjoba në rast se kartoni që mori nuk i jep mundësinë për të luajtur ndeshjen e radhës. Nëse dyshohet se kartoni ka qenë gabim i gjyqtarit dhe sugjerohet nga trajneri, nuk do të ushtrohet masë disiplinore.

8. Vonesa e lojtarit që nuk mund të jetë më shumë se 10 minuta gjatë grumbullimit të ekipit, për stërvitje ose ndeshje, dënohet me gjobë 20.000 lekë. Në rast përsëritjeje të vonesës ose mosparaqitje në stërvitje pa leje të stafit teknik, masa disiplinore do të jete me një rrogë mujore. Në rast të përsëritjes së mosparaqitjes në stërvitje, dënimi do të rritet në dy rroga mujore. Çdo vonesë më shumë është në dorë të trajnerit që ta grumbullojë ose jo me ekipin.

9. Ndalohet që, gjatë udhëtimit të ekipit për ndeshjet jashtë, në autobus të jenë persona të tjerë përveç skuadrës, trajnerëve, doktorit, masazhatorit dhe përgjegjësit të ekipit.

10. Lojtarët e pagrumbulluar për ndeshje duhet të ndjekin programin e stërvitjes dhe të regjimit, ndërsa janë të detyruar në ndeshjet brenda të paraqiten në dhomat e zhveshjes dhe të ndjekin ndeshjen. Shkelja e kësaj norme dënohet me gjobë 20.000 lekë.

11. Futbollistët e grumbulluar për ndeshje janë të detyruar të zbatojnë regjimin e ushqimit që vendos doktori i ekipit. Shkelja e kësaj norme dënohet me gjobë në masën 20.000 lekë.

12. Gjatë grumbullimeve për ndeshje, celularët e lojtarëve çaktivizohen gjatë drekës, gjatë fjalimit të trajnerit dhe pas orës 23:00 një ditë para ndeshjes, gjatë mëngjesit dhe drekës në ditën e ndeshjes. Përveç çaktivizimit të celularëve gjatë ditës së ndeshjes, që të sigurohet përqendrimi i lojtarit, ndalohet diskutimi i kërkesave ekonomike, takime në fushë me njerëz të ndryshëm etj.

13. Futbollisti që përjashtohet nga trajneri gjatë stërvitjes për neglizhencë ose moskryerjen e ushtrimeve dhe udhëzimeve të trajnerit, është i detyruar të paraqitet në fund të stërvitjes te trajneri. Shkelja e kësaj norme dënohet në masën e 30.000 lekëve.

14. Mungesa e vullnetit, dëshirës dhe gatishmërisë nën urdhrat e trajnerit gjatë përgatitjes në dhomat e zhveshjes, por edhe gjatë stërvitjes, dënohet me gjobë 20.000 lekë.

15. Nëse gjatë stërvitjes futbollisti dëmton kolegun e vet me ndërhyrje antisportive dhe shkakton dëmtim, dënohet me gjobë 30.000 lekë. Paralelisht futbollisti, sipas sugjerimit të trajnerit, mund të ndjekë program të veçantë.

16. Për gjeste injoruese të futbollistit ndaj trajnerit ose të bashkëpunëtorëve dhe ekipit gjatë stërvitjes, dënohet me gjobë në masën 30.000 lekë.

17. Futbollisti është i detyruar që të mbajë pastër dhe në gjendje të mirë bazën materiale, që përdor në stërvitje, si dhe gjithë mjedisin, që përdor në dhomat e zhveshjes. Çdo shkelje dënohet me gjobë 10.000 lekë.

18. Çdo futbollist është i detyruar të respektojë programin e masazhatorit me relaks ose masazh. Çdo shkelje dënohet me gjobë 10.000 lekë.

19. Çdo futbollist është i detyruar të ndjekë programin e stërvitjes, që përcakton fushën e stërvitjes, orarin dhe të zbatojë çdo ndryshim të orarit dhe të fushës, e cila dërgohet me “Whatsapp” në mënyrë kolektive. Shkelja e kësaj norme dënohet me gjobë 20.000 lekë.

20. Futbollisti që me sjelljen e tij dëmton qetësinë dhe klimën në dhomat e zhveshjes dënohet me gjobë 20.000 lekë.

ORARI DHE MASAT PËR REGJIMIN

E hënë dhe e martë – 23:00;

E mërkurë dhe e enjte – 22:00;

E premte – 22:00;

E shtunë – 22:00 (ata që janë jashtë grumbullimit për ndeshje);

E diel- 24:00;

1. Futbollisti që shkel orarin e natës dhe në përgjithësi programin e çlodhjes që cakton trajneri për ditët: E hënë dhe e martë gjobitet në masën 20.000 lekë; e mërkurë, e enjte dhe të premte, gjobitet në masën 30.000 lekë; e shtunë (përderisa ekipi mblidhet në hotel), gjobë 50.000 lekë dhe heqje nga grumbullimi i ekipit.

2. Intervista në media nga futbollistët jepet vetëm me leje të drejtuesve të klubit. Për shkeljen e kësaj norme, futbollisti gjobitet në masën 20.000 lekë.

3. Ndalohet prezenca e futbollistit në zyrat e ekipit pa pasur punë duke tërhequr vëmendjen e punonjësve të klubit. Shkelja e kësaj norme gjobitet në masën 5000 lekë.

4. Futbollisti nuk lejohet të frekuentojë në jetën private ambiente duke konsumuar alkool, duke luajtur bixhoz, kazino, baste apo veprime që dëmtojnë imazhin e tij, të klubit dhe shkel nenet sportive dhe autoritetin e klubit. Shkelja e kësaj norme dënohet në masën 100.000 lekë dhe në rast përsëritjeje në masën e një rroge mujore.

5. Futbollisti, kudo që të ndodhet, duhet të përfaqësojë imazhin e mirë të klubit dhe të tijin. Ai nuk duhet të krijojë situatë të padëshiruara të normave të bashkëjetesës me kolegët e vet dhe çdo qytetar, si dhe nuk duhet të kryejë shkelje administrative dhe penale. Shkelja e kësaj dispozite dënohet në masën e dy rrogave mujore dhe në rast përsëritjeje deri në zgjidhjen e kontratës së punës.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"