EKSKLUZIVE/ Nexhipi mbledh ekipin dhe vë në “sedër” lojtarët: Erdhi koha të tregoni veten, as presidenti…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 10:22

EKSKLUZIVE/ Nexhipi mbledh ekipin dhe vë në “sedër” lojtarët: Erdhi koha të tregoni veten, as presidenti…

Kukësi do kthesë dhe revansh ndaj Bylisit. Humbjen që pësuan në fazën e parë me përmbysje nuk e kanë harruar, ndaj këtë 90- minutësh e shohin si një mundësi për të marrë “hak”. Që pasi luajtën javën e 3-të në “Adush Muça”, filluan ulje-ngritjet e skuadrës së Shpëtim Duros dhe aktualisht janë të 5-ët me 18 pikë nga 36 të mundshmet. 

Kukesi

Duke parë ecurinë e rivalëve verilindorët janë disi më të qetë, pasi vendi i parë që mbahet nga Partizani është vetëm 4 pikë para. Ndaj, në Kukës janë të bindur se shumë shpejt situata do të katapultohet. Për këtë arsye drejtuesit duan fitore me çdo kusht përballë ballshiotëve.

MBLEDHJA 

Dhe për t’i vendosur në sedër lojtarët, mendon Nderim Nexhipi. Drejtori është rikthyer në Shqipëri pas një jave mungesë (për arsye familjare), ndaj e ka parë të udhës që të zhvillojë një mbledhje para javës së 13-të. Ai mbajti një fjalim të shkurtër, por konciz para ekipit. Gazeta mëson se drejtori u mundua që t’i “shkundë” lojtarët dhe njëkohësisht u shpreh i bindur te reagimi i tyre.

nderim nexhipi

“Deri tani kemi shkuar herë mirë e herë keq, por nga tani e në vazhdim nuk na lejohen më gabimet. Ka ardhur koha që çdo gjë na kushton shumë. Çdo ekip kërkon pikë e sidomos ndaj nesh, duke parë forcën dhe kualitetin që kemi, luajnë shumë fort, gjë që nuk është e re për ne. Pa harruar gjëra të tjera anësore. Ndaj ne duhet të jemi shumë vigjilentë, të japim maksimumin. I kemi të gjitha mundësitë që jo vetëm të fitojmë ndaj Bylisit, por të ecim para. Vetëm të mendoni e të vlerësoni çfarë kualiteti kemi. As presidenti, as trajneri dhe as unë nuk kemi më çfarë të bëjmë. Çdo gjë është në dorën tuaj, ndaj tregoni veten”, mësohet të ketë thënë drejtori.

NDRYSHIMET

Ndaj Bylisit pritet një Kukës ndryshe dhe tërësisht sulmues. Nëse me Laçin mungesat e kushtëzuan Shpëtim Duron, këtë herë ka luksin e zgjedhjes. Me rikthimin e Abazajt, Musollit, Limajt, por edhe Shkurtajt formacioni pritet të përmbyset. Që të 4-t janë elementë me peshë, ndaj edhe tekniku nuk do ta mendojë dy herë që t’u japë një fanellë titullari. Referuar asaj që është provuar në stërvitje, vërehet se skema nga 4-5-1 kthehet në 4-3-3.

dfdfdfd

Porta do të mbrohet sërish prej Xhikës, ndërsa mbrojtja do të përbëhet prej kësaj katërsheje: Maliqi-Obanor-Teqja-Kitanovski. Në mesfushë pritet të rreshtohen Limaj, Musolli, e Rroca, ndërsa në sulm do të aktivizohen Abazaj, Gavazaj e Shkurtaj. Të paktën ky është plani, pasi me vlonjatin që është ende në dyshim, mund të ketë edhe ndonjë lëvizje të momentit të fundit. Dhe nëse sulmuesi nuk e nis nga minuta e parë, atëherë Ethemi mund ta zëvendësojë.

S. Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"