Ekskluzive/ Negociatat Tirana-Muzaka, mesfushori jep propozimin e fundit për borxhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2018 | 19:00

Ekskluzive/ Negociatat Tirana-Muzaka, mesfushori jep propozimin e fundit për borxhin

Ashtu siç pritej, ndodhi. Tirana ka fituar kohë dhe zyrtarisht ka nisur negociatat me Gjergji Muzakën për të shmangur katastrofën. Kryeqytetasit kanë shmangur momentalisht heqjen e pikëve dhe kjo falë ndërmjetësisë së Federatës Shqiptarë të Futbollit, e cila po çon palët e përfshira në këtë çështje drejt një akordi.

xmuzaka-770x470-696x425.jpg.pagespeed.ic.lQtdFbqkt5

Korrespondenca ka nisur dhe duhet thënë që dita e djeshme është përqendruar e gjitha te… propozimet. Mesfushori më në fund e ka bërë një hap prapa. Edhe pse fillimisht ishte i vendosur për të mos pranuar pagesë me këste të borxhit prej që 107 milionë lekësh, rishtas ka shfaqur shenja tolerance kundrejt ish-klubit.

Muzaka

KORRESPONDENCA – Bisedimet janë zhvilluar që të gjitha në rrugë zyrtare. Të parët që bënë propozimin e tyre ishin bardheblutë. Klubi i ka ofruar si opsion ishlojtarit, që borxhin t’ia paguajnë me 4 këste. Ata kanë paraqitur si variant që tri këstet e para të kapin vlerën e 30 milionëve, ndërsa në këstin e fundit të jepet edhe pjesa e mbetur, që shkon në afro 17 milionë lekë për të mbyllur njëherë e mirë “hesapet”.

Por, Muzaka e ka refuzuar këtë variant, duke dhënë propozimin e tij, që me gjasë do të jetë edhe i fundit. Ai pret që të shlyhet me tri këste, duke ua saktësuar bardhebluve edhe formën se si pret që të likuidohet. Fillimisht, ai pret që të marrë direkt gjysmën e borxhit, e cila me llogari të thjeshtë shkon në 53.7 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër të ndahet sërish në gjysmë dhe të jepet me dy “hise”, që i bien diku te 26.75 milionë lekë.

Halili-Muzaka

KUSHTI – Veç ndarjes së kësteve, mësohet se futbollisti ka vendosur edhe një kusht. Gjergji Muzaka do që gjysmën e borxhit ta marrë direkt. Me t’u mbyllur marrëveshja, ai pret paratë. Pra, nëse Tirana do të t’i thotë “po” propozimit të bërë nga ish-mesfushori, duhet që të ketë gati 53.7 milionë lekë.

VENDIMI – “Zgjidh e merr”, ka qenë ky varianti i 33-vjeçarit për bardheblutë. Edhe pse nuk u ka dhënë një afat konkret, ai prerazi u ka qartësuar që pret përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur. Në kësi kushtesh, tashmë vendimi u takon kryeqytetasve. Këta të fundit nëse duan që të shmangin jo vetëm heqjen e pikëve, por edhe rrezikun që i kanoset objektivit “Superiore”, u mbetet për detyrë që të pranojnë propozimin e mesfushorit.

gjergji muzaka

Kujtojmë që Tiranës i janë hequr 3 pikë më 8 maj, ndërsa ultimatumi i dytë skadoi më 23 maj. Duke qenë se pati një lloj dakordësie për të zhvilluar edhe një bisedë të fundit, në të mirë të Tiranës, vendimi final është lënë pezull. Në rast se klubi nuk është gati të përmbushë kërkesat e Gjergji Muzakës, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të ekzekutohet vendimi i dhënë prej FSHF-së dhe çështja të futet sërish në Disiplinë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"