Ekskluzive/ Në Vlorë priten masa ndëshkuese, Veliu rrefuzoi shiritin e kapitenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2018 | 13:56

Ekskluzive/ Në Vlorë priten masa ndëshkuese, Veliu rrefuzoi shiritin e kapitenit

Flamurtari nuk gjen qetësi edhe kur fiton. Vlonjatët fituan 0-2 me Lushnjën në transfertë, por para ndeshjes u shënua një debat i ashpër në dhomat e zhveshjes së vlonjatëve. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se përpara nisjes së ndeshjes me Lushnjën, pati një debat të ashpër mes trajnerit Shpëtim Duro dhe mbrojtësit vlonjat, Franc Veliu.

Në mungesë të Danilo Alvesh, i cili ishte ulur në stol për shkak të dëmtimit dhe që zëvendëson kapitenin Tomislav Bushiç derisa të kthehet nga dëmtimi, Veliu duhet që të mbante në këtë takim shiritin e kapitenit. Por, mbrojtësi nuk ka pranuar që të ishte kapiten. Kjo gjë ka ndezur edhe debatin. Gazeta mëson nga burime pranë klubit vlonjat edhe debatin mes trajnerit Duro dhe mbrojtësit Veliu. “Franci, në këtë ndeshje do të jesh kapiten”, i ka thënë Duro, Veliut, por ky i fundit nuk ka pranuar.

“Jo, nuk mund ta bëj kapitenin. Mirë është që ta marrë ndonjë tjetër shiritin”, ka thënë Veliu. Por, kjo përgjigje ka acaruar tej mase trajnerin Duro. Kreu i pankinës është mërzitur shumë dhe e ka dënuar Veliun, duke mos e aktivizuar fare në këtë ndeshje. “Në rregull, nuk pranon të jesh kapiten, nuk do të luash në këtë takim. Je i pezulluar”, mësohet të jetë shprehur Duro.
veliu

IDRIZI

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ditën e djeshme, në lidhje me debatin mes trajnerit Shpëtim Duro dhe mbrojtësit Franc Veliu, administratori Sinan Idrizi, tha se kishte informacion për një situatë të tillë, por ishte i paqartë për detajet e debatit. Idrizi theksoi se do të thërrasë lojtarët në një mbledhje për të diskutuar për këtë çështje. “Kam dëgjuar që ka pasur një çështje të tillë para ndeshjes me Lushnjën, por nuk jam i qartë realisht sesi ka qenë situata.

Erdhën dhe më thanë për një debat të tillë, që kishte lidhje me trajnerin dhe lojtarin në fjalë, por realisht se çfarë ndodhi nuk e di. Do të zhvilloj një mbledhje në orët në vijim për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, se çfarë ndodhi dhe çfarë duhet të bëjmë ne si klub nëse ato që më thanë janë të vërteta. Unë nuk dua t’i besoj, pasi kemi të bëjmë me një lojtar vlonjat që e do Flamurtarin dhe ka qenë kapiten edhe më parë”, tha Idrizi.
MASAT

Pas debatit mes trajnerit Duro dhe mbrojtësit Franc Veliu, gjasat janë që ndaj këtij të fundit të ketë masa ndëshkuese. Burimet pranë klubit që zbuluan edhe debatin, thanë dje për “Panorama Sport”, se klubi mund të marrë masa për Veliun. Gjasat janë që mbrojtësi, për mospranimin e mbajtjes së shiritit të kapitenit, të pezullohet. Por, pritet se çfarë do të ndodhë në takimin që Idrizi do të thërrasë për këtë çështje. Kujtojmë që pak ditë më parë, në një intervistë për gazetën, ish-sulmuesi Daniel Xhafaj, i bëri thirrje Franc Veliut të bëhet lider i ekipit.

“Mendoj se tani është koha që lojtarët me eksperiencë dhe karakter të mbledhin skuadrën dhe një nga këta lojtarë është Franc Veliu. Ai është lider në rolin e vet, është lojtar që ka fituar trofe, është edhe vlonjat dhe në qoftë se në ndonjë nga intervistat e mia e kam theksuar këtë fakt, e kam bërë sepse në këto situata jo të mira është e nevojshme prezenca e këtyre lojtarëve”, tha Xhafaj

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"