EKSKLUZIVE/ “Në Tiranë feston Vllaznia”, rrëfehet Vioresin Sinani: Kemi lojtarë që na japin garanci për trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2022 | 22:03

EKSKLUZIVE/ “Në Tiranë feston Vllaznia”, rrëfehet Vioresin Sinani: Kemi lojtarë që na japin garanci për trofe

Vioresin Sinani është një ish-sulmues që ka qenë protagonist absolut i “Klasikes” së futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, që do të luhet të premten, në orën 16:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

sinani vllaznia

Sot, duke folur në statusin e zv.trajnerit të shkodranëve, Viori beson shumë se Vllaznia do të vazhdojë me fitore pas asaj kthese që bëri ndaj Kukësit. Në intervistën për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit shkodran analizon startin e kampionatit dhe problematikën e sulmit.

Vioresin, arritët një fitore dramatike që erdhi në momentin e duhur pas asaj nisjeje me humbje ndaj Erzenit…

Normalisht që erdhi në momentin e duhur. Mendoj se ishte një fitore që duhej shumë kjo ndaj Kukësit. Deri në momentin e barazimit nga kundërshtari, skuadra ka bërë një lojë shumë të mirë. Vetëm në ato pak minuta nuk shkoi siç duhet kur pësuam, por zëvendësimet e bëra, arritën që të paraqesin vlerat e tyre dhe të gjithë bashkë bënë të mundur të fitojmë përballë një kundërshtari të fortë si Kukësi. Ishte një fitore e merituar që vlen shumë për vazhdimësinë në kampionat.

Çfarë nuk shkoi në javën e parë, e keni analizuar?

Lojtarët janë profesionistë. Ato morën këshilla nga stafi dhe arritën të bëjnë një autokritikë të mirë. Për më tepër, e bënë në fushën tonë para tifozëve. Besoj që të gjithë të harrojmë atë javë të parë dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive.

Si një ish-sulmues, si e shikoni këtë repart aktualisht?

Për sa i përket pjesës së sulmit, mund të them se e vuajnë të gjitha ne ekipet shqiptare. Ndaj Kukësit luajtëm me Hoxhën në majë dhe Malën e Latifin nga krahët. Pa përmendur edhe të tjerët, mendoj se funksionuam mirë si ekip në aspektin sulmues. Një golashënues i mirë që del në Superiore, ikën menjëherë në një kampionat tjetër.

Pra, është e vështirë të mbash një sulmues “race”. Për mua ka rëndësi të krijohen raste, dhe ne si ekip e bëmë me Kukësin. Po u krijuan raste, sigurisht që do të vijnë edhe golat. E theksoj, që pjesa e sulmuesve mbetet problem i gjithë ekipeve të Superligës dhe jo vetëm Vllaznisë.

Në skuadër ka konkurrencë dhe ajo që vihet re është se një lojtar si Vulaj, nuk bën pjesë në formacion…

Kjo është gjë pozitive për ne si staf, pasi kemi lojtarë që kanë vlera edhe në stol. Unë mendoj se jo vetëm Vulaj, por edhe të tjerët që janë në dispozicion apo të rinjtë, do të kenë mundësinë të shprehin vlerat e tyre në dobi të ekipit. Vllaznia ka emra me cilësi të mira, si dhe të rinj që do të shërbejnë mirë për ekipin.

Ju keni qenë në krye të ekipit U-19. A keni një këshillë për këta të rinj që duan të kapin një vend te Vllaznia?

Do t’i thosha vetëm të punojnë shumë dhe nëse do ta bëjnë këtë, do të arrijnë aty ku dëshirojnë. Jam i bindur që edhe këtë vit do të gjejnë mundësitë për t’u aktivizuar te Vllaznia.

Të premten luhet “Klasikja” ndaj Tiranës, çfarë ndeshjeje prisni?

Do të jetë si përherë, një ndeshje ku janë në lojë të tria rezultatet. Mbetet një nga përballjet më të bukura. Me këtë fitore që bëmë ndaj Kukësit, edhe optimizmi është më i madh.

Unë pres një ndeshje të fortë, të luftuar dhe ku shpresoj dhe besoj se do të fitojë Vllaznia. Nga ana tjetër, u bëj apel edhe tifozëve që të na mbështesin në këtë takim dhe të jenë të shumtë në kryeqytet, duke na ndihmuar të marrim një fitore. Rivaliteti ka ekzistuar dhe do të jetë prezent përherë mes nesh dhe Tiranës.

Besoni te fitorja në kryeqytet?

Me atë që shprehem ndaj Kukësit, e theksoj edhe njëherë se kam besim se ndaj Tiranës do të arrijmë një rezultat shumë të mirë.

Një Vllazni që është ndërtuar për kampion, sa ju bind se ky grup lojtarësh do të arrijnë të sjellin titullin në Shkodër?

Nuk dilet kampion me fjalë apo pas një fitoreje. Vllaznia ka një grup të mirë lojtarësh dhe me shumë cilësi. Nuk do t’i përmend me emra, por ata garantojnë që do të jemi skuadër konkurruese deri në fund. Ne do të punojmë javë pas jave dhe do të vlerësojmë të gjithë kundërshtarët njëlloj. Vetëm kështu do të pretendojmë më pas për trofetë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"