EKSKLUZIVE/ “Në stadium, prej Totit”, rrëfehen studentët italianë që jetojnë në Shqipëri: Këtu të “mbysin” tifozët e Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 22:14

EKSKLUZIVE/ “Në stadium, prej Totit”, rrëfehen studentët italianë që jetojnë në Shqipëri: Këtu të “mbysin” tifozët e Milanit

Karlo është një tifoz i Romës që jeton në Tiranë. Ai studion për mjekësi dhe për “Panorama Sport” tregon si është bërë tifoz romanist, komenton edhe finalen që do të luhet nesër në kryeqytet.

Italiani ne Shqiperi

Si ju quajnë?

Jam Karlo, studioj në degën e mjekësisë në vitin e parë dhe jam një tifoz i Romës.

Prej sa kohësh jetoni këtu në Tiranë?

Ky është viti im i parë në Tiranë, që kur fillova studimet, nga fundi i tetorit.

Juve, Milan, Inter, shumica e njerëzve janë tifozë të këtyre ekipeve, por ju jeni me Romën. Përse?

Jam një tifoz i Romës sepse që i vogël kam parë një ndeshje të verdhekuqve kundër Interit, atë ndeshjen e famshme kur Toti ka bërë një gol spektakolar me parabolë dhe që nga ai moment Roma është skuadra ime.

Këtu në shkollë, cila nga këto skuadra ka më shumë tifozë? Më kanë thënë që mbizotëron Milani…

Mbi të gjitha janë skuadër që kanë fituar dhe është e drejtë që festojnë edhe sot. Janë më të titulluarit në Itali dhe është logjike që ka më shumë tifozë.

I keni ndjekur ndeshjet e Romës këtë sezon?

Po, i kam ndjekur të gjitha ndeshjet dhe kur kam pasur mundësi kam shkuar edhe në stadium. Duhet të them që jam i kënaqur në këtë sezon, kemi bërë më mirë sesa vjet dhe tani jemi në një finale.

Futbollisti i preferuar?

Françesko Toti.

Po që luan aktualisht?

Në këtë sezon më të mirët kanë qenë Abraham dhe Zalevski, një i ri që ka rënë në sy dhe ka luajtur mirë.

E kishit menduar se një ditë Roma do të luante një ndeshje në Tiranë, dhe mbi të gjitha një finale?

Jo, por mendoj se Murinjo ka ardhur për të fituar në Romë dhe tani është në një kompeticion debutues si Liga e Konferencës dhe shpresojmë që ta çojmë në shtëpi trofeun, sepse mungon prej shumë vitesh një trofe europian në Romë.

Do të shkoni në stadium?

Po, do të shkoj.

Keni një mesazh për ndonjë shok që do të vijë në Tiranë ditën e finales?

Kam një mesazh për një shok, e quajnë Antonio dhe do të vinte në Tiranë, por fatkeqësisht nuk mund të vijë dot. Shpresoj ta shohë nga shtëpia dhe unë do të bëj tifo edhe për të në stadium.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"