EKSKLUZIVE/ “Në Lezhë po vdisja urie, më ka ndihmuar me para Simon Rrumbullaku”, Kamara: Ja e vërteta e kontratës me Besëlidhjen (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 28, 2020 | 23:57


EKSKLUZIVE/ “Në Lezhë po vdisja urie, më ka ndihmuar me para Simon Rrumbullaku”, Kamara: Ja e vërteta e kontratës me Besëlidhjen (E PLOTË)

Omar Turad Kamara, mesfushori që ka lu ajtur për Besëlidhjen dhe Kukësin në vendin tonë, ka kontaktuar gazetën “Panorama Sport” për të rrëfyer vuajtjet që ka përjetuar kohët e fundit në Lezhë, deri rrezik vdekjeje nga uria, siç tregon ai. Ai shprehet se është “peng” i një kontrate që e ka ditur 1-vjeçare, por që rezulton 5-vjeçare. Gjithashtu, Kamara tregon se gjatë kohës së pandemisë ka fjetur në korridorin e stadiumit të Lezhës dhe se nuk është ndihmuar nga presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, as për akomodim dhe as për ushqim. Ja dhe rrëfimi i plotë i Kamara:

omar turad kamara

Cili është problemi juaj, që i jeni drejtuar gazetës “Panorama Sport”?

Problemi lidhet me presidentin Gjok Noka të Besëlidhjes, me kontratën time, që për mua ka mbaruar. Fillimisht Gjoka më huazoi te Kukësi dhe u largova nga aty, pasi nuk pata shumë minuta. Në janar i kërkova presidentit Noka që të më huazonte te Luftëtari ose Flamurtari, në mënyrë që të luaja dhe të kisha më shumë minuta në dispozicion. Shkova dhe e takova presidentin në Lezhë, pasi ishte viti im i parë që luaja në Superiore dhe doja të vazhdoja në Gjirokastër ose Vlorë. Por, ai ma preu shkurt, duke më thënë se do të luaja vetëm në Lezhë.

Çfarë i thatë më pas presidentit?

I thashë: “Nuk mund të luaj më për ju. Kam tri vite që luaj me Besëlidhjen, por ju nuk keni ambicie dhe financa që ta ngjisni Besëlidhjen në Superiore”. I thashë se tani jam një nivel tjetër dhe dua ta provoj veten në Superiore, pasi kam luajtur në Kategorinë e Parë për 4-5 vite. Presidenti Noka më tha se është e pamundur dhe se nëse nuk luaja për Besëlidhjen, nuk mund të luaja askund tjetër.

Po më pas, çfarë i kërkuat?

Thjesht i kërkova dokumentacionin që të largohesha dhe të më linte futbollist të lirë, por presidenti më tha: “Nuk ka shanse që të largohesh nga Lezha”. Problemi im lind nga kontrata që kam firmosur me presidentin Noka para se të huazohesha te Kukësi.omar kamara kukesi

Cili është problemi?

Para se të kaloja te Kukësi në huazim, rashë dakord me presidentin që të firmosja një kontratë një-vjeçare dhe më dha një letër për ta firmosur. Unë kam firmosur kontratë për 1 vit, por më vonë marr vesh se kontrata ka qenë 5-vjeçare dhe që e ka depozituar edhe në federatë.

Ju nuk e keni parë kontratën që keni firmosur dhe çfarë përmbante ajo?

Unë kam firmosur kontratë njëvjeçare.

Po si doli 5-vjeçare?

Presidenti më tha se kisha firmosur për 5 vite kur shkova në janar.

Në kopjen që është depozituar në federatë a është firma juaj në kontratën 5- vjeçare?

Po, ishte firma ime, por nuk e di se si e kanë bërë atë.

Ju keni ndonjë kopje të kontratës, që pretendoni se e keni firmosur për 1 vit me Besëlidhjen?

Jo, nuk kam asnjë kopje. E vetmja kopje është ajo që klubi ka dorëzuar në federatë. Kur kam firmosur, nuk më kanë dhënë asnjë kopje të kontratës. Madje, edhe në kontratën që kam firmosur teksti ka qenë në shqip dhe jo në anglisht.

gjok noka

Kur keni firmosur, keni pasur me vete ndonjë përkthyes, menaxher apo përfaqësues ligjor?

Nuk kam pasur askënd me vete. Nuk kam menaxher dhe as përfaqësues ligjor. Kështu që, ai (presidenti Noka) bëri atë që deshi me mua

Çfarë kërkoni tani dhe si do të veproni?

Situata ime është katastrofike. Koronavirusi më gjeti në kushte shumë të vështira, duke mos pasur asgjë për të ngrënë, kam qenë në rrezik të vdes nga uria. Nuk kam pasur askënd që të më ndihmojë. Nuk kam pasur ushqime dhe akomodim. Kam jetuar për pak kohë me disa miq, por ata më larguan, pasi unë nuk kisha para që të paguaja për apartamentin. Kur isha në Lezhë, kam fjetur në ambientet e stadiumit. I kam kërkuar presidentit Noka që të më gjente një apartament për të jetuar, por ai më tha “jo”. Kam sakrifikuar duke fjetur në korridoret dhe dhomat e zhveshjes së stadiumit të Lezhës. Vij nga Afrika dhe i kërkoj dokumentacionin tim presidentit dhe të shkoj në shtëpinë time.

Vazhdoni të jetoni në Lezhë dhe a stërviteni me ekipin?

Jo, jam larguar nga aty dhe kam ardhur në Tiranë, ku jetoj me disa miq nga Afrika. Ata kanë rënë dakord që të më ndihmojnë për disa ditë. Gjithashtu, me lekë më ka ndihmuar edhe një ish-lojtar i Kukësit, Rrumbullaku. Ndërsa një tjetër, Andi, më ka ndihmuar duke më dhënë sanduiçe për të ngrënë. Jam në një gjendje katastrofike, ndaj bëj apel që të më ndihmojnë, duke marrë letrat që kam te Besëlidhja dhe të shkoj te familja ime.

Doni të ktheheni në shtëpi apo të dilni i lirë nga Besëlidhja?

Po, dua të dal i lirë nga Besëlidhja dhe të kthehem në shtëpi e të vazhdoj të luaj atje. Nuk dua të luaj më në Shqipëri. Thjesht dua që presidenti Gjok Noka të më japë letrat dhe të shkoj në shtëpi.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com