EKSKLUZIVE/ “Në kohën kur luaja Apolonia-Lushnja ishte më shumë se derbi”, trajneri fierak: Dikur kishte spektakël, sot pragmatizëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2020 | 21:46

EKSKLUZIVE/ “Në kohën kur luaja Apolonia-Lushnja ishte më shumë se derbi”, trajneri fierak: Dikur kishte spektakël, sot pragmatizëm

Lufta për kreun në Grupin B të Kategorisë së Parë do të jetë shumë e ndezur. Do të jetë një garë e ndezur, e hapur, e rivalizuar dhe e paparashikuar gjer në fund. Ky është opinioni i ish-trajnerit të Apolonisë, Elidon Demiraj, në një intervistë të dhënë për gazetën tonë.
Elidon Demiraj
Demiraj, më në fund një sezon që nuk do të mbyllet me vendime apriori, por në fushë. Mendimi juaj?

Po, është gjëja më e mirë e mundshme. Pavarësisht situatave që janë krijuar, verdiktet e fushës janë më të drejtat dhe më të pranueshmet nga të gjithë aktorët, edhe pse niveli i ekipeve nuk do të jetë më i miri për shkaqe objektive që vijnë nga ndërprerja.

Si ish-futbollist dhe si trajner, pas një ndërprerjeje kaq të gjatë, a është e mjaftueshme kjo periudhë përgatitore?

Ka qenë një periudhë e tejzgjatur, ekipet do kenë probleme, nuk do jenë në gjendje të japin më të mirën, ama është gjendje e barabartë për të gjithë. Nuk është një periudhë e mjaftueshme, sepse edhe kur mbaron sezoni, maksimumi mund të ketë 1 muaj e pak ditë pushim e pastaj nis faza përgatitore. Nuk kam asnjë pikë dyshimi që për të gjithë trajnerët do jetë e vështirë, sepse lojtarët, sado të jenë munduar me stërvitje individuale, është shumë e vështirë të ruajnë ritmin dhe nivelin. Trajnerët do të përpiqen të adaptojnë. Duke pasur parasysh temperaturat e larta dhe problemet fizike që mund të kenë lojtarët, plus për vazhdimësinë është aplikimi i 5 zëvendësimeve.

A mendoni se do të ketë pasoja për sezonin pasardhës ky çekuilibrim kohor i sezonit aktual?

Patjetër që po, do të ndikojë. Çdo klub bën llogaritë e veta mbi bazën e strukturës së fillimit të sezonit dhe pastaj ekuilibrat e marketingut, anës kontraktuale, të menaxhimit në kompleks, të objektivave, të merkatos pasuese, pa dyshim që zhbalancohen kur sezoni pëson një ndryshim kaq të ndjeshëm kalendarik. Për t’u kthyer te gara.

Si e vlerësoni konkurrencën mes Pogradecit Apolonisë dhe Lushnjës, që ndahen me nga 2 pikë?

Renditja është rrjedhojë logjike e asaj që ekipet kanë dhënë që në fillim të sezonit, kur 3 skuadrat e kreut ishin pretendentet e parashikuara. Nuk ka ndonjë surprizë, edhe pse pritej që Besa të ishte diçka më lart. Këto ekipe janë me meritë në pozicionet që kanë dhe do jetë një luftë e fortë deri në fund. E meritojnë të tria Superligën.

Pse këto tri skuadra, sipas jush, kanë bërë diferencën?

Janë skuadrat më të mira në çdo drejtim. Pogradecin e kam vlerësuar që kur isha trajner i Apolonisë. Më ka pëlqyer filozofia e ruajtjes së grupit, me lojtarë që luajnë bashkë prej shumë vitesh. Kjo është shumë pozitive, sepse krijohet një bërthamë e shëndoshë, ekipi është kompakt dhe rezultativ. Kjo ecuri me futboll të bukur dhe kryesues, është fryt i strategjisë së klubit. Lushnja është ekip tradite, prej shumë vitesh i beson eksperiencës. Është ekipi më me përvojë në 3- shen e kreut, ka lojtarë që dinë ta udhëheqin skuadrën drejt suksesit. Me përjashtim të ndonjë oshilacioni, e kanë shfrytëzuar më së miri përvojën. Lushnja ka një goleador si Canka, që bën diferencën, pa harruar që trajneri Gjyla e drejton për vitin e dytë radhazi. Apolonia ka moshën më të re mesatare, ka dëshirë, kualitet dhe talente. Këto dhe puna profesionale e trajnerit Mërgjyshi kanë bërë që kjo skuadër të jetë pretendente. Disa herë mund të jetë penalizuar për mungesë eksperience, por janë mësime që i kanë vlejtur. E shoh Apoloninë të avantazhuar fizikisht, sepse një futbollist i ri e ka më të lehtë se një “i vjetër”.
Lushnja-Apolonia

Po afron derbi Apolonia-Lushnja. Si mund të shkojë kjo përballje?

Apolonia-Lushnja gjithmonë ka qenë ndeshje shumë e zjarrtë. Kur kam luajtur unë futboll, ndoshta ka qenë më shumë e tillë në fushë dhe në shkallët e stadiumit, ndërsa sot më duket më tepër mediatike, me deklarata “bombastike”. Është një ndeshje që ka bukuri dhe emocion në çdo kohë. Tani asnjë ekip s’e ka mendjen te spektakli, do jenë pragmatistë, pasi kampionati është në pikën kulmore dhe pikët bëjnë punë. Një fitore në derbi vlen 6 pikë dhe them se deri diku rezultati i këtij takimi do jetë përcaktues. Vështirë të bëj një parashikim, dëshirën e kam të fitojë Apolonia.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"