EKSKLUZIVE/ “Në janar, jam gati të iki”, Dejvi Bregu: Kampionat më të çuditshëm nuk kam parë, dua vetëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 23:05

EKSKLUZIVE/ “Në janar, jam gati të iki”, Dejvi Bregu: Kampionat më të çuditshëm nuk kam parë, dua vetëm…

Dejvi Bregu “skanon” Skënderbeun dhe veten. Kur kanë kaluar 7 javë, përtej luhatjeve të mëdha, sulmuesi shfaqet optimist për të ardhmen. Nuk guxon që të flasë për titull, por nuk e përjashton mundësinë që në këtë kampionat çudirash, të ndodhë befasia.

dejvi bregu

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, vlonjati zbulon se ofertat e verës nuk ishin bindëse, e megjithatë hapur e thotë se janari është koha e duhur që ai të largohet një herë e mirë nga Shqipëria

Një kampionat i çuditshëm, jeni në krye bashkë me Bylisin, Vllazninë dhe Teutën. E kishit menduar kështu?

Të them të drejtën, po. Është vërtet një kampionat shumë i çuditshëm. Në këto javë të para asnjë ekip nuk ka treguar qëndrueshmëri dhe kjo duket nga ngjeshja. Nuk ka ndodhur më herët një start i tillë, në aq sa mbaj mend unë të paktën. E megjithatë, nuk duhet të na interesojë shumë se çfarë bëjnë të tjerët. Ka ardhur koha që të shohim vetëm veten tonë. Asgjë tjetër

OK, le të flasim për Skënderbeun. Fiton ngushtë dhe humbisni me shumë gola, çfarë po ndodh me ju?

Kjo është një pyetje që mund t’i drejtohet stafit teknik. Por, di të them se pavarësisht pozicionit, golat i kemi pësuar të gjithë së bashku dhe i kemi shënuar të gjithë bashkë. Kjo është motoja jonë.

dejvi bregu

Sa larg mund të shkojë ky ekip, duke iu referuar cilësisë?

Cilësia tek ekipi ynë është e dukshme që nuk mungon. Ambienti këtu në Korçë e sheh këtë gjë, por duke parë që jemi një skuadër e re, kemi nevojë për kohë. Duhet të stërvitemi dhe të punojmë shumë më shumë për vijimësinë.

Le të ndalemi te sulmi, sa merreni vesh në zonë me njëri-tjetrin?

Deri tani, nëse nuk gaboj, të gjithë kemi shënuar, por nuk diskutohet që mund të bënim shumë më shumë. Futbolli kërkon kohë dhe neve na duhet më shumë për t’u përshtatur me idetë e Ilir Dajës dhe po i respektojmë ato që kërkon profesori.

Muzaka ka pasuar një dëmtim të rëndë dhe do i mungojë ekipit, a është gati Bregu të bëjë rolin e liderit?

Në radhë të parë, i uroj Gjergjit shërim të shpejtë, pasi është një kapiten i vërtetë. Të lutemi që të mos e vuajmë gjatë mungesën e tij pasi ka rëndësi të madhe për këtë ekip. Skënderbeu nuk është se ka nevojë për një lider, pasi këtu ka shumë lojtarë që e bëjnë liderin, duke nisur nga Dita e Jashanica e deri te Pollozhani. Unë nuk kam kërkuar të jem lider, por të jem i rëndësishëm për të shënuar gola që vlejnë pikë.

A u mërzitët që në verë nuk u shitët?

Duke ditur që Skënderbeu është “trampolinë” më e mirë në kampionatin tonë, prandaj firmosa këtu. Erdhën dy-tri oferta që as mua dhe as drejtuesve nuk na bindën. Ndaj vendosëm që të vazhdonim kështu.

Prisni që janari të sjellë lëvizjen e madhe dhe të largoheni jashtë vendit?

Nuk e di, por besoj se janari është momenti më i mirë që edhe unë të provoj një aventurë jashtë vendit. Presidenti po më qëndron pranë dhe jam i bindur se do të më ndihmojë shumë.

Ju vjen keq për pozicionin ku ndodhet Flamurtari?

Pa dyshim që po. Unë jam rritur atje në ambientin e këtij klubi dhe kam dalë nga akademia e Flamurtarit. Më vjen keq pamasë pasi ndodhen në një pozitë që nuk i shkon për shtat Flamurtarit dhe shpresoj që ta kalojë këtë situatë.

Do të luani ndaj Kukësit në javën e 8-të dhe përballë do të keni Shkurtajn, Abazajn dhe Rrocën. Çfarë keni për t’u thënë?

Shpresoj që të bëhet ndeshje e bukur, siç ka dhuruar Skënderbeu-Kukësi ndeshje të bukura. Ata kanë ekip potent dhe sidomos në sulm janë të kompletuar. Le t’ia lëmë fushës, për të treguar nëse do të jetë një ndeshje e mbushur me emocione.

A e ka Skënderbeu potencialin për të qenë pretendent?

Nuk është se kjo tregohet në intervista, por duhet thënë në fushë. Fjalë mund të themi shumë, por duhet të tregojmë në fushë se sa jemi të aftë të luftojmë për titull. Ne si objektiv primar kemi të qëndrojmë në vendet e sipërme të renditjes. Nëse më vonë kemi shansin të luftojmë për titull, them se duhet ta synojmë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"