EKSKLUZIVE/ “Në fushë kishte edhe lojtarë të Flamurtarit”, rrëfehet Halim Begaj: Ja çfarë ndodhi në Pyllin e Sodës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2020 | 0:32

EKSKLUZIVE/ “Në fushë kishte edhe lojtarë të Flamurtarit”, rrëfehet Halim Begaj: Ja çfarë ndodhi në Pyllin e Sodës

Halim Begaj, ish-mbrojtës i Flamurtarit (2004-2014) dhe tashmë zëvendëstrajner i ekipit të Kategorisë së Tretë, Labëria, por edhe njëkohësisht futbollist që vazhdon të aktivizohet, tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” atë që ndodhi pasditen e së shtunës në fushën e Pyllit të Sodës. 34-vjeçari thekson se në fushë kanë qenë edhe lojtarë që aktualisht janë pjesë e ekipit të parë të Flamurtarit.

Halim Begaj

Begaj, çfarë ndodhi dje që u stërvitët në fushën e Pyllit të Sodës dhe thyet karantinën?

Nuk ka pse të bëhet e madhe kjo gjë, pasi mua më vjen shumë turp. Ne bëmë vrap 10 minuta. Ishim pak veta, 5-6 djem dhe asnjë më shumë.

Ishte hera e parë që stërviteni në atë fushë?

Po, po. Hera e parë. Atje ka patur edhe qytetarë të tjerë që janë stërvitur cdo ditë dhe nuk është bërë kaq e madhe. Për ne u bë. Nuk e kuptoj pse? Unë kam qenë një muaj në shtëpi si të gjithë të tjerët në karantinë dhe kam respektuar rregullat. Gjithsesi, kjo nuk ka për të ndodhur më.

Ngo fotot duken më shumë se 6 veta. Kishte edhe të tjerë?

Po, po kishte shumë njerëz të tjerë dhe nuk i njihnim fare. Ishin lojtarë të Flamurtarit që po stërviteshin për të mbajtur gjendjen fizike. Ju kërkoj ndjesë gjithë publikut dhe policisë që kanë qenë korrekt në cdo moment. Erdhi policia dhe ne ikëm duke respektuar rregullat. Më vjen turp nga vetja që të bëhet kaq e madhe. Është hera e parë që dalim dhe na bëhet problem, a thua sikur kemi bërë krim.

Begaj

Si u futët në fushë në një kohë që ambjenti ishte i mbyllur?

Hymë në fushë pa prishur as gardhe dhe asgjë. Gardhi ka pesë vjet ashtu.

Ju kanë thirrur në polici për këtë ngjarje?

Po, kam qenë në polici qysh në orët e para të mëngjesit të sotëm. Kam marrë gjobë 100 mijë lekë të vjetra dhe 14 ditë nuk duhet të dalë nga shtëpia, duhet që të qëndrojë në karantinë. Më vjen turp që të shkoj në polici për këtë gjë kaq të rëndomtë. Kjo prish imazhin tim dhe të shokëve të mi që kemi kontribuar te Flamurtari, kemi dhënë gjakun dhe shpirtin për atë klub.

Laberia

 

Halim Begaj (i pari i ulur djathtas) me ekipin e Kategorisë së Tretë, Labëria

Ndoshta u nxituam, por e bëmë për të mbajtur gjendjen në formë, si të gjithë futbollistët në Shqipëri. Gjithsesi, ju kërkoj ndjesë edhe njëherë. Por kjo gjë bëhet kaq e madhe nga njerëz që nuk na kanë dashur dhe nuk na duan, pasi sipas tyre i kemi prishur punë Flamurtarit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"