EKSKLUZIVE/ Ndryshuan impiantin për sfidën me Apoloninë, zbardhen prapaskenat e stadiumit të Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2021 | 23:34

EKSKLUZIVE/ Ndryshuan impiantin për sfidën me Apoloninë, zbardhen prapaskenat e stadiumit të Tiranës

Tirana sposton sfidën me Apoloninë në “Air Albania”. Jo vetëm kaq, por takimit i ndryshohet edhe orari i ndeshjes, ndërsa do të luhet ditën e diel. Kështu, FSHF njoftoi dje se Tirana-Apolonia, sfida që do të luhej në “Selamn Stërmasi”, është zhvendosur në “Air Albania” në orën 16:00. Skuadra bardheblu kështu do të ketë mundësi që të luajë me drita një ndeshje si pritëse. Në fakt, Tirana ka stadiumin e saj, por çështja e dritave ka bërë që ndeshjet të luhen në mes të ditës. Gjithsesi, për çdo lëvizje ka edhe prapaskena.

tirana-12-770x470

NDERI – Dihet që fusha e “Air Albania”-s këto ditë do të prishet dhe në këto kushte, FSHF po bën nderet e fundit. I tillë është edhe rasti i Tiranës, që do të ketë fatin të luajë me drita në “Air Albania” në një fushë të mirë. Fusha e “Selman Stërmasit” është prishur dhe në këto kushte Tirana kërkon të luajë në një fushë më të mirë.

FATI – Bardheblutë prej kohësh e kanë fiksim “Air Albania”-n. Në stadiumin e ri, ata vjet shkëlqyen dhe arritën fitore të mëdha, menjëherë sapo nisën të luanin në atë stadium. Një mënyrë kjo për t’u transferuar në “Air Albania”. Në fakt, bardheblutë nuk janë mundur në kampionat në këtë stadium, por vetëm në tri ndeshje, finalen e Kupës, Superkupës dhe Crvena Zvezdës. Pjesën tjetër të takimeve Tirana e ka fituar ose barazuar në këtë impiant.

IDEJA – Prej shumë muajsh Tirana është duke menduar që të marrë si në rastin e “Air Albania”-s, stadiumin “Selman Stërmasi” për ta rindërtuar nga e para. Planet janë, por për të shkuar deri te lejet duhet shumë punë. E gjithë ideja është e presidentit të Tiranës, Refik Halili, i cili ka investuar në këtë projekt dhe beson shumë që në fund do të ketë një stadium, të krahasueshëm me “Air Albania”-n. Shumë shpejt do të ketë një finalizim si për mënyrën e financimit dhe detajet e projektit që në plan të parë është shumë i bukur, mbushur me ngjyrat bardheblu. Nëse në “Air Albania” janë 22 mijë vende të ulura, në “Selman Stërmasi” do të jenë 14 mijë. Një stadium, goxha i madh, por jo i vogël që i shtohen 6 mijë vende nga kapacitetit ekzistues. Do të rritet 14 metra nga fusha dhe do të ketë një shikueshmëri perfekte. Nga ana tjetër, Tirana mendon që këtë stadium do ta ketë pothuajse plot në çdo ndeshje të kampionatit, pasi kushtet do të jenë akoma më të mira se “Air Albania”. Dhe me këto plane, bardheblutë duket se po bëjnë provat për t’u transferuar në “Air Albania”, menjëherë sapo punët të vihen në vijë.

Tirana festa5

AKSIONET – Prej kohësh Refik Halili është duke menduar të blejë aksionet e bashkisë. Qëllimi i pronarit në shumicë të bardhebluve është të marrë maksimumin e klubit dhe në një sh.a., ai ka përparësi nëse aksionet shiten, pasi ka të drejtën e parablerjes. Gjithsesi, shitja e aksioneve të bashkisë është një histori e gjatë, e cila ka kohë që është në qarkullim, e premtuar, por asnjëherë e materializuar.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"