EKSKLUZIVE/ Ndihmëstrajneri i Tiranës: Tre trofetë jo utopi, e nisim ndaj Vllaznisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 14:25

EKSKLUZIVE/ Ndihmëstrajneri i Tiranës: Tre trofetë jo utopi, e nisim ndaj Vllaznisë!

Artan Karapici, prej gushtit është krahu i djathtë i Orges Shehit te Tirana. Në një intervistë për “Panorama Sport”, numri dy i bardhebluve analizon situatën te skuadra kampione. Thotë që bardheblutë kanë mundësinë të fitojnë tre trofetë këtë sezon dhe kjo nuk është utopi. Pranon që skuadra ka ndryshuar, ndërsa këtë herë me Vllazninë do të jetë shumë ndryshe dhe Tirana do ta fitojë Superkupën e Shqipërisë. Karapici u bashkua këtë verë me Tiranën, duke qenë një nga personat më të rëndësishëm në ekip. Së bashku me Shehin, ai ka rindërtuar një skuadër nga e para, e cila është në krye të renditjes me pikë të njëjta me Partizanin.

ARTAN KARAPICI

Një ndeshje me Vllazninë, ndaj një skuadre që këtë sezon Tirana nuk e ka mundur dot. Si e shihni këtë sfidë?

Mendoj që është komplet takim tjetër. Këtë radhë është sfidë teke dhe nuk mund të gabojmë. Në lojë është një trofe shumë i rëndësishëm për ne. Jemi Tirana dhe jemi mësuar me trofe. Kjo do të thotë se ndryshon nga dy ndeshjet e kampionatit. Pavarësisht se ne nuk kemi marrë fitore në këto dy ndeshje, kemi qenë të pakënaqur nga rezultatet, por jo me performancën e ekipit.

Ndikon fakti që Vllaznia nuk ka qendërmbrojtësit dhe Latifi vjen nga një dëmtim?

Jo. Ekipet si Tirana dhe Vllaznia janë skuadra që kanë një grup me 25 lojtarë. Mungesa e lojtarëve nuk është problem. Mungesa e çdo lojtari zëvendësohet, pasi këto lloj ekipesh kanë pozicionet e dubluara. Qoftë ne dhe ata janë të kompletuar. Nga ana tjetër, mungesat janë të rëndësishme për një skuadër, por nuk janë faktorë për skemat, mobilizimin për këto lloj ndeshjesh.

Në këtë sfidë të tretë me shkodranët, çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana?

Ndryshe këtë herë është që të fitojmë trofeun. Duke pasur parasysh se kaluam një minicikël, mund të themi që ndryshimi i vetëm është agresiviteti që na karakterizon si dhe mënyra jonë e lojës, që ne mendojmë se është në rritje, pavarësisht se kemi bërë një ndryshim total të skuadrës, 11-shes dhe lojës. Tani lojtarët kanë asimiluar gjithçka që kërkon profesor Orgesi dhe besoj se është një takim për ta fituar. Kemi edhe ndihmën e madhe të faktorit fushë në “Air Albania”. Ne kemi pasur mangësi kur kemi luajtur në “Selman Stërmasi”, pasi luajmë me top në tokë. Për të fituar ndeshjen, na duhet gjithmonë një fushë e mirë, sepse kjo është karakteristikë e lojtarëve tanë. Ata luajnë poshtë dhe duan fushë të mirë. Dhe realisht në 2-3 ndeshje ne kemi pasur probleme për shkak të terrenit ku kemi luajtur.

Kjo skuadër mund t’i fitojë tre trofetë në këtë sezon?

Unë mendoj se kjo skuadër nuk njeh limite, duke pasur parasysh organikën dhe lojën. Nuk është utopi që t’i fitojmë tre trofetë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"