EKSKLUZIVE/ “Ndihem i pavlerësuar”, Hysen Dedja: Nuk vij te Vllaznia me këta drejtues të rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 17:40

EKSKLUZIVE/ “Ndihem i pavlerësuar”, Hysen Dedja: Nuk vij te Vllaznia me këta drejtues të rinj

Ish-trajneri i Vllaznisë Hysen Dedja, i cili mbylli këtë sezon të vështirë me Vllazninë, është shprehur tejet i indinjuar me drejtuesit e rinj të klubit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai theksoi se, përveç falënderimit ndaj punës së tij për këta dy muaj, nuk i kanë shprehur besimin për një vazhdimësi për sezonin e ri.
HYSEN DEDJA
Një gjë e tillë duket se ka indinjuar teknikun shkodran, duke e lënë “të tradhtuar” në mes të rrugës, pas sakrificës që ai bëri teksa mori skuadrën në një moment që të gjithë i kthenin shpinën.

Profesor, e prisnit një vazhdimësi me Vllazninë, pas qëndrimit në Kategorinë Superiore?
Normalisht që e prisja që të vijoja punën me këtë skuadër. Unë realisht që kontratën e kisha me kryebashkiaken Ademi dhe administratorin Lici, e jo me drejtuesit e rinj, por nga këta të fundit prisja të paktën një ofertë. Jeni ndjerë i indinjuar pas kësaj që ndodhi.

Duket si një kthim shpine?
Normalisht që po. Kam marrë Vllazninë në momentet më të vështira e me shumë probleme, dhe nga drejtuesit e rinj prisja që të paktën të kishim një bisedë për të ardhmen. Ata vetëm më falënderuan për punën që bëra dhe asgjë më shumë. Për këtë jam ndjerë edhe keq dhe i pavlerësuar nga ana e tyre.
suad-lici-foto
Po me kryebashkiaken dhe administratorin Lici keni pasur kontakte pas mbylljes së sezonit?
Jo. Drejtuesit e rinj thanë se gjithçka është lënë në duart e tyre. Unë për sa kohë punova te Vllaznia, pata gjithë besimin e mbështetjen e Licit e të drejtuesve të tjerë e për këtë i falënderoj.

E morët skuadrën në një situatë të vështirë, jeni ndjerë i trembur se edhe mund të dështonit?
Tani flas më lirshëm. S’kam folur kurrë më parë dhe asnjëherë s’e kam shprehur atë frikë që kam pasur kur e kam parë ekipin në ato ditë të para dhe ato takime të para. Ndieja frikë, nëse do të mund t’ia dilnim. Por falë punës e përkushtimit, stafit dhe të gjithë djemve, dhe mbështetjes së Licit, që mua s’më ka munguar që ditën e parë, arritëm që t’ia dilnim.

Por nëse një ditë do të ftohet sërish Dedja për të kontribuar për Vllazninë, do të ishit i gatshëm?
Të jem i sinqertë, me këta drejtues (gjithmonë për këta të rinjtë) nuk do të pranoj një ofertë të ardhur nga Vllaznia. Me të tjerë e kam thënë e rithënë: do të vija menjëherë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"