EKSKLUZIVE/ Ndëshkoi ish-ekipin e tij, Belajdi Pusi: Nuk ishte hakmarrje, ja përse nuk festova ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2020 | 9:52

EKSKLUZIVE/ Ndëshkoi ish-ekipin e tij, Belajdi Pusi: Nuk ishte hakmarrje, ja përse nuk festova ndaj Vllaznisë

Shënoi golin e fitores për ekipin e tij dhe nuk festoi në shenjë respekti ndaj ekipit të vendlindjes. Belajdi Pusi u kthye në heroin e korçarëve në ndeshjen e së shtunës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi shkodran flet për golin dhe festën e munguar ndërsa tregon edhe ndjesitë e tij te Skënderbeu ku është transferuar vetëm pak muaj më parë.
pusi

Si u ndjetë pasi shënove gol?
Ne jemi profesionistë dhe duhet të bëjmë maksimumin kudo që luajmë, dhe njëherazi të respektojmë fanellën që kemi veshur në të kaluarën. Pas golit unë u ndjeva shumë i gëzuar, sepse më kishte munguar, por e kisha vendosur para ndeshjes që nuk do të festoja po të shënoja. Ishte një gol i rëndësishëm, jo vetëm për mua, por edhe për ekipin, pasi i dha tri pikë shumë të rëndësishme.
Pusi
A mund ta quani një hakmarrje ndaj ish-ekipit?
Unë vazhdoj dhe punoj shumë që të arrij objektivat që i kam vendosur vetes. Nuk mund ta quaj hakmarrje ndaj ish-ekipit, edhe për faktin se atje nuk kam pasur shumë minuta në dispozicion, por sërish kam respekt për tifozët, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë dhe i kërkonin stafit dhe drejtueseve që unë të luaja më shumë. Kam shumë respekt për lojtarët, sidomos për Gilman Likën që më ka qëndruar gjithmonë afër. Shumë njerëz në Shkodër dhe Ernest Gjoka me stafin e tij kanë pasur besim tek unë. Tek akademia kam qenë golashënues dhe kapiten për disa vite dhe ky është një vlerësim që më është bërë, dhe për këtë falënderoj të gjithë trajnerët e akademisë (Volumin, Doçin, Kaçin, Beqirin) dhe drejtorin Alban Hasani. Pa harruar edhe profesor Elvis Plorin, që është shkaku që unë jam këtu sot.

Përse nuk festuat?
Unë jam rritur në atë qytet, kam luajtur aty, dhe në shenjë respekti, meqenëse ekipi nuk ndodhet në pozita të mira dhe ai gol mund të ndikojë shumë për keq në situatën e tyre, vendosa të mos festoja.

Sa i kënaqur jeni te Skënderbeu? Mendoni se meritoni më shumë hapësira?
Te Skënderbeu kam gjetur  një ekip shumë të mirë, me president, staf dhe lojtarë shumë profesionistë. Kam mësuar shumë këtu dhe po rritem çdo ditë. Unë po bëj maksimumin çdo ditë në stërvitje për të luajtur më shumë, pastaj stafi e di më mirë se kur sportistët janë gati.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"