EKSKLUZIVE/ “Ndeshjet të luhen me tifozë”, Halili apel pas fitores me Vllazninë: Do ta kemi më të lehtë me fansat në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 8:15

EKSKLUZIVE/ “Ndeshjet të luhen me tifozë”, Halili apel pas fitores me Vllazninë: Do ta kemi më të lehtë me fansat në stadium

Refik Halili komplimenton skuadrën pas fitores me Vllazninë dhe i bën apel ekipit të ruajë qetësinë. Në intervistën për “Panorama Sport”, presidenti i bardhebluve bën thirrje që të hapen dyert e stadiumit për ndeshjet e mbetura dhe ndërkohë i çon një tjetër mesazh ekipit që të mos bëjë më humbje si ajo me Teutën.
Halili Osmani Tirana

Tirana ka fituar edhe ndeshjen e radhës në kampionat, duke qenë edhe më pranë titullit?
Duke folur për ndeshjen me Vllazninë, them se ishte një sfidë shumë e rëndësishme. Është për t’u vlerësuar kundërshtari, por edhe paraqitja e skuadrës sime. Arritëm të marrim pikët e duhura. Gjithsesi, them se shpresoj që ne të mos gabojmë në ndeshjet që kanë mbetur.
Tirana festa e golit logo

Takimi u komplikua nga një karton i kuq i Hoxhallarit në fund të pjesës së parë. A u shqetësuat kur ekipi mbeti me 10 lojtarë?
Gjej rastin që t’i falënderoj djemtë, edhe pse luajtën me 10 lojtarë. Në veçanti falënderoj stafin që bëri të mundur futjen e Ismajlgecit, i cili konfirmon që është shumë i mirë. Të gjithë duhet të hedhim sytë nga akademia, sepse kemi lojtarë të rinj shumë të mirë. Shpresoj që në të ardhmen të ndjekim çdo të ri, sepse janë vlera e shtuar e klubit.

Teuta-Partizani

Keni kaluar një javë të vështirë pas asaj humbjeje me Teutën, por djemtë duket se reaguan. A e prisnit një rezultat kaq bindës?
Kemi bërë diçka ndryshe. Kemi qenë besimplotë, duke ruajtur qetësinë. Nuk ka pasur presione. Humbjen e kishim llogaritur që do të vinte një ditë, sepse pas shumë e shumë fitoresh edhe ne do të ndaleshim. Kjo është normale. Me qetësinë që mbajtëm gjatë javës, sot (dje) sikur u shpërblyem në fushën e lojës.

Çfarë ka ndryshuar te Tirana që skuadra është për titull?
Specialistët e shohin më mirë sesa unë. Është një grup shumë i mirë. Ka futbollistë cilësorë në skuadër, duke filluar nga porta në sulm. Shënojmë shumë dhe pësojmë pak. Sulmi më kënaq shumë, por pa mbrojtje nuk ka sulm dhe të gjithë duhet të jemi bashkë.

A druheni se kundërshtarët e radhës do të luajnë akoma më fort me ju?
Duke fituar të gjitha ndeshjet, jemi të qetë, sepse ndonjë humbje sërish mund të na fusë në presion, gjë që nuk duhet të ndodhë. Duhet të përqendrohemi në ndeshjet tona. Kemi fatin që nga 6 ndeshjet që na kanë mbetur, 4 i kemi në Tiranë. Kjo është gjë shumë e mirë dhe shpresojmë që të bëhen edhe me tifozë. Nëse ata do të jenë në stadium, do ta kemi edhe më të lehtë. Shoh pa fund grupime njerëzish, kështu që nuk ka përse të mos ketë tifozë në stadium. Stadiumi është i madh dhe mund të ruhet distanca.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"