EKSKLUZIVE/ “Ndeshjet s’i fitonim me pistoletë”, Klodian Arbëri pa doreza: Tirana duhej ta dorëzonte titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2020 | 0:06

EKSKLUZIVE/ “Ndeshjet s’i fitonim me pistoletë”, Klodian Arbëri pa doreza: Tirana duhej ta dorëzonte titullin

Klodian Arbëri, një nga sulmuesit më të njohur shqiptarë të 2 dekadave të fundit, i shkëputur prej pak vitesh nga futbolli i luajtur, flet pa doreza për “Panorama Sport” për tranzicionin e zgjatur të Tomorit, për historinë e famshme të titullit të mohuar në sezonin 1999-2000, çfarë ndodhi realisht në fundin e atij kampionati dhe për vakumin e sulmuesve në skuadrat tona.

Arbri

“Loku”, siç e thërrasin të gjithë, ish-lojtar i Tomorit, Mariborit, Tiranës (Kupat e Europës), Vllaznisë, Lushnjës, Skënderbeut, Luftëtarit, Dinamos dhe Bylisit, aktualisht trajner i para të rinjve në klubin beratas, nuk e njeh diplomacinë dhe vë direkt gishtin në plagë. Ja intervista e tij e plotë për gazetën:

Klodian, si po i kaloni këto ditë izolimi?

Në shtëpi, si të gjithë shqiptarët. Halli është se ne nuk jemi mësuar kështu, por nuk kemi çfarë të bëjmë, do të respektojmë rregullat.

Ju keni luajtur me shumë skuadra, por le ta nisim nga Tomori. Pse po vuan kaq shumë futbolli beratas këto vite?

Po, është e vërtetë që po vuan, por nuk është vetëm Tomori. Po ta shikoni, janë shumë skuadra të njohura, skuadra emblematike të vendit, që janë në krizë dhe i mungojnë elitës. Kam parasysh Dinamon, Elbasanin e me radhë. Nuk është një problem vetëm i Beratit.

Po ka diçka që nuk shkon te Tomori, një shkollë e vjetër e futbollit shqiptar, apo jo?

E thashë që në fillim se Tomori bën pjesë te skuadrat emblematike të vendit dhe duhet parë si e tillë. Për mendimin tim, problemet janë dy dhe jo vetëm të Tomorit. E para është leku, ana financiare, sepse në futbollin e sotëm kjo pjesë është shumë e rëndësishme.

E dyta ka të bëjë me dëshirën për futbollin. Ata persona, të cilëve u ka takuar të drejtojnë klubet sot, më shumë e kam fjalën për drejtuesit e bashkive, duhet të jenë pak të dashuruar me sportin e futbollit. Nëse nuk ke asnjë lloj simpatie, dëshire për futbollin, nëse nuk e ndjejnë sadopak atë, nuk mund të drejtojnë me sukses një skuadër të denjë, sipas traditës së saj.

Pastaj është edhe kjo puna e partive dhe normale që do të vinte kjo kohë. Dua të them se afrohen në futboll njerëz që nuk kanë lidhje, ai ka qenë kuzhinier dhe është bërë trajner futbolli. Në Berat kjo gjë është ndjerë dhe ne njerëzve të sportit na kanë parë jo si ndihmë për futbollin, por si dikush që mund të prishë punë dhe na kanë larguar. Kjo është e pakuptimtë.

Tjetra është se ka pasur edhe njrëz të sportit, por antisport. E kanë pasur mendjen te vjedhja dhe jo te administrimi i duhur i buxhetit. Janë gjëra që dihen. Është gjynah, sepse është ekip emblemë, të vret fanella. Dihet ajo, më mirë në një ekip me emër dhe me pak lekë se në një ekip të të vogël dhe më shumë lek, sepse nuk e ndjen veten futbollist.

Këtë sezon, veçanërisht me ardhjen e trajnerit Kristaq Mile, duket sikur gjërat kanë hyrë në rrugë të mbarë…

Situata ka ndryshuar. Kryebashkiaku i ri, z.Demo, një djalë i ri, është më i angazhuar për Tomorin dhe ka zgjedhur njerëzit e duhur. Më telefonuan dhe u habita, tani drejtoj para të rinjtë. Me rikthimin e ekipit në Kategorinë e Parë, besoj se do të ndryshojnë gjërat, pasi kjo kategori, për mua është pak a shumë si Superiorja. Ka skuadra me shumë emër dhe me cilësi.

Tomori Arbri

Ka lojtarë me cilësi edhe te moshat, por duhet të jetë ekipi i parë aty ku duhet, sepse të rinjtë duan modele. Kë do marrin shembull? Lojtarë të kategorisë së tretë? Sot të rinjtë janë të zgjuar, shohin internet, dinë nga 5 gjuhë të huaja, ne nuk dinim të flisnim mirë shqip. Sot është kënaqë të demonstrosh dhe ushtrimet, sepse të rinjtë shohin modelet në botë, ndaj trajneri duhet të jetë i përgatitur.

Të flasim pak për sezonin e famshëm 1999-2000, kur Tomori thuajse e fitoi titullin, por ajo ndeshje shtesë me Tiranën prishi gjithçka. Çfarë ndodhi realisht?

Të sezon, të jem i sinqertë, kishim një ekip ndoshta jo me shumë kualitet, por shumë lojtarë punëtorë në fushë. Një ekip i lidhur dhe bëmë një kampionat mjaft të mirë. Titulli?

I takonte pa dyshim Tomorit për mënyrën si shkuan gjërat. Me ndeshjet direkt fitonim ne, sepse fituam në Berat dhe barazuam në Tiranë. Golaverazhi ishte i njëjtë. Nuk kishte shumë për të diskutuar dhe nuk e di nga doli ajo ndeshje shtesë. Me ndarjen nga jeta të presidentit tonë Ardian Çobo diçka ndryshoi në atë kohë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Gjërat ndryshuan, sepse në atë kohë ishte ngulitur ideja se Tomori i fitonte ndeshjet me dhunë, me pistoletë, për shkak se kishte një president gangster. Nuk ishte kështu, ne e kishim gjithçka me lodhje. Nuk fitohen ndeshjet me pistoletë, ja ta zëmë se fituam një apo dy. Barazimin me Tiranën me pistoletë e morëm?

Po barazimin me Partizanin, me Dinamon dhe shumë ndeshje të tjera? Në Korçë fituam, në Vlorë që ishte sikleti më i madh. Kush na i mori? Tomori kishte vlera si ekip, i mori ndeshjet me futboll dhe e meritonte atë titull për mënyrën si shkoi kampionati, e thashë. Ne ishim, si të thuash, si fshati në festë, por e meritonim. Edhe Tirana duhej të thoshte: urdhëroni, ju takon juve! Kam shumë respekt për Tiranën, kam luajtur me të, por Tomorit një herë në jetë i jepen këto mundësi dhe nuk na e lanë atë trofe. Në fund gjërat ndryshuan kundër nesh.

Më konkretisht?

Ne u çuditëm me ndeshjen shtesë, megjithatë kërkuam ta luanim në Tiranë atë dhe jo në Elbasan, ku në atë kohë ishte “regjimi” i Mond Kosenit, ishte shtetrrethim. Normal që ata do anonin nga Tirana, jo nga Berati. Kërkuam të luhej në shtëpinë e Tiranës, por ata çuditërisht nuk pranuan.

Kërkuam pastaj në Korçë, por ata ishin të vendosur për të luajtur në Elbasani, ku kishin mbështetjen e tyre. Mbaj mend që kur dolëm në nxemje, kishim frikë të gjuanim portën, sepse ambienti ishte shumë i ftohtë dhe policët na ruanin si këta që ruajnë Trampin sot, me kufje në vesh dhe me shikim të egër. Kishte edhe gjëra të tjera që ndikuan në atë ndeshje.

Si për shembull?

Përfaqësuesin tonë, shefin e klubit nuk e lanë të futej në mbledhje, u fut Bujar Pregja, që nuk e di çfarë pune kishte. Tjetra, një karton i verdhë që ishte për Klodian Dinon, arbitri ia dha Aliajt, duke e nxjerrë me të kuq, sepse për të ishte i dyti. Kaq mjafton për të përcaktuar ndeshje të tilla.

Klodian, pse këto vitet e fundit është e vështirë të shohim sulmues si në kohën tuaj?

Ndikojnë shumë gjëra. Sot gjithçka është shumë më e zhvilluar dhe fillon që nga poshtë, e kam fjalën te moshat, ku edhe fëmijët janë më inteligjentë. Shkak kryesor që ka pak profile sulmuesish në Superiore është se sot një i talentuar bie në sy dhe menjëherë shkon jashtë vendit. Nuk ka kohë t’i tregojë vlerat në kampionatin shqiptar.

Në kohën tonë, në një ekip ishim në garë 6 sulmues për 2 vende në formacion. Ishte një garë shumë e fortë që na nxiste të ecnim përpara dhe nëse e humbje vendin, e kishte shumë të vështirë ta fitoje sërish. Punonim dhe stërviteshim shumë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"