EKSKLUZIVE/ “Ndeshja me Dinamon u trukua, e çoj në Prokurori”, “bomba” e Idrizit: Del tani gjyqtari i famshëm dhe thotë ‘gabova me penalltinë e Flamurtarit’ (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2023 | 0:05

EKSKLUZIVE/ “Ndeshja me Dinamon u trukua, e çoj në Prokurori”, “bomba” e Idrizit: Del tani gjyqtari i famshëm dhe thotë ‘gabova me penalltinë e Flamurtarit’ (E PLOTË)

Sinan Idrizi e ka ndarë mendjen, do ta çojë deri në fund “luftën” me FSHF-në. Dhe prezantimi i stadiumit të ri është vetëm maja e ajsbergut.

-800-450-Sinan-Idrizi

E sheh jo të udhës që të jenë të pranishëm të shtunën në teatrin “Petro Marko”. Evidenton se ata nuk kanë dhënë asnjë kontribut në projektin “Vlora Sport” dhe, mbi të gjitha, kanë 15 vite që e persekutojnë një qytet të tërë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti shkon përtej kësaj historie.

Ai evidenton se pas çdo vendimi që merret në futbollin tonë, fshihet presidenti Armand Duka dhe drejtuesit e tjerë të lartë të këtij institucioni. Aq i bindur është që ndeshja me Dinamon u trukua në disfavor të ekipit të tij, sa në përfundim të kampionatit do të çojë edhe një kallzim në Prokurori.

Flamurtari ka vendosur zyrtarisht që t’i bëjë bllokadë FSHF-së. Çfarë do të ndodhë konkretisht të shtunën?
Unë nuk e kuptoj këtë histori tani… Nuk bëhen pjesë e farsës. “Ok”, jam pjesë e organizimit të garës, marrim pjesë në kampionatin shqiptar, pranojmë vendimet e ndëshkimeve dhe çdo gjë nga këto, por në momentin që një projekt i Flamurtarit, “Vlora Sport”, për të cilin kam 9 vjet që flas dhe kur FSHF-ja e ka kontributin zero… T’i lëmë këto anët civile, marrëdhëniet me qytetin, marrëdhëniet me futbollin në Vlorë, që e ka më tepër se armiqësore, të llojit të Kërbaçit në ekstrem. Si thua ti, pse duhet të vijë FSHF-ja në Vlorë?

Nuk do t’i mirëprisni, me pak fjalë?
Nuk ka asnjë kontribut financiar në këtë projekt. Nga ana civile, nuk ka qytetarinë të thotë që unë për Vlorën kam bërë këtë gjë dhe atë gjë. E kupton? Si mund të vish në një stadium që ti e mbyll 6 muaj për dy shishe ujë të hedhura në fushë, për një shkak-pasojë të krijuar nga vetë këta. Më thuaj ti, pse do të vijnë ata, për çfarë? Ah, duan të vijnë që të ketë përplasje të radhës që të vijë tifozëria e Vlorës t’i kontestojë dhe të krijojmë një situatë të pakëndshme. Jo zotërinj, mos hajdeni. Nuk jeni të mirëpritur. Nëse vini, gjatë kohës që ju do të jeni atje, ne do të bojkotojmë. Më e pakta do të dalim jashtë.

Kur thoni më e pakta do të dilni jashtë, keni një plan tjetër proteste?
Ka tifozë që më thonë të reagojmë në grup të gjithë, të reagojmë aty, që ata të mos vijnë. Unë nuk pengoj njeri për të ardhur, por unë do ta bojkotoj. Këtë armë civile kam. Nuk kam armë tjetër. Nuk kam armë që të bëj pjesën e “cubit” dhe “gangsterit”. Unë këtë kam… Them, zotëri, një eveniment që kemi prej kohësh, që e presim dhe jemi të parët, të cilët e kemi hedhur si koncept në Shqipëri, kur flisnim ne për “Vlora Sport”, të tjerët thoshin çfarë janë këto përralla, tani që filloi, pse do të vijnë këta. Unë nuk e kuptoj? Do të vijë të bëjë stadium ai, që në ndeshjen e parë të stadiumit të ri, do ta mbyllë. Përse duhet të vijnë këta, do të vijnë për të na acaruar ne dhe për të na treguar që ne erdhëm, të pamë dhe ta bëmë, apo çfarë?

Ju do të futeni në sallë apo nuk do të merrni pjesë fare në prezantim?
Unë do të jem në sallë dhe do të bojkotoj, jo vetëm atë që do të vijë nga FSHF-ja për të mbajtur fjalën e rastit, por do të bojkotoj edhe jurinë. Gjithnjë nëse në jurinë e “Vlora Sport” marrin pjesë anëtarë të FSHF-së. Kjo është pika e vlimit për shkak të qëndrimit armiqësor që në këto 15 vitet e fundit këta kanë mbajtur ndaj Vlorës dhe Flamurtarit. Nuk kanë kërkuar kurrë falje për atë masakër që kanë bërë ndaj Flamurtarit. Del arbitri i famshëm Jemini dhe thotë “po, unë kam gabuar në penalltinë e Flamurtarit”. Ne na iku titulli në Korçë. Por ai nuk është gabim njerëzor, por i urdhëruar nga drejtuesit e sotëm të federatës. Vjen ky tjetri dhe thotë, unë nuk kam qenë i pari që kam bërë këto gjëra, por ai i dyti. Vijnë na mbyllin fushat. Për dy banderola civile me tituj librash këta na mbyllën stadiumin 5 ndeshje. A e mbani mend?

Keni një mesazh për FSHF-në dhe drejtuesit e saj?
Unë kur humbas, të uroj. Them je më i zoti se unë. Por në këtë lloj hipokrizie, në këtë lloj dyfytyrësie, kjo nuk ka shans fare. Në Vlorë vetëm nga një Zot kam frikë unë, nga askush tjetër. T’i marrin të gjitha masat dhe të pozicionohen secili në llogoret e tij. Unë jam deri në fund, llogore për llogore. Nuk ka më shans tani dhe as kthim pas. Vjen ky tjetri thotë, unë nuk kam qenë ai i pari, i cili i kam bërë këto gjëra, është ai i dyti. A e mbani mend që i kanë hequr 6 pikë Flamurtarit për dy lojtarë. FSHF-ja ka njohur për rrogë bruto atë që duhet të ishte neto. Nuk njihte në Shqipëri sistemin e pagave. Gjithë kjo vazhdimësi, këta pse duhet të jenë aty kur nuk kanë kontribut. Ne nuk duam kontributin e tyre, ndaj pse duhet të jenë ata?

Keni kërkuar që të merren masa për gjyqtarin e ndeshjes Flamurtari-Dinamo. Ka pasur ndonjë reagim?
Ore, mos krijoni iluzion për gjyqtarët! Gjyqtarët janë ata që marrin urdhrat. Dihet në FSHF kush i organizon garat. Është kryetari i FSHF-së, zëvendësi i tij, Shulku, etj. Të gjithë këta bashkë. Unë si Flamurtar i kam akuzuar këta. Unë po pres mbarimin e kampionatit.

Dhe çfarë do të ndodhë pasi të mbarojë kampionati?
Këtë dosje do ta çoj në prokurori.

Për cilën dosje e keni fjalën?
Këtë që unë mendoj, se kjo ndeshje me Dinamon është e trukuar. Ishte në disfavor të futbollit shqiptar dhe Flamurtarit. Jemi në vend të tretë për shkak të disa ndeshjeve të dobëta që ekipi ka bërë, por ndeshja me Dinamon ishte e komanduar nga lart dhe gjyqtari është i urdhëruar. Dihen dy-tri personazhe që caktojnë arbitrat.

FSHF-ja ka ndëshkuar në mënyrë misterioze Jorgjin dhe Bajramin. Keni ndonjë koment?
Ore, unë nuk bëj aludime pse ka ndodhur kjo gjë. Jorgji me kurajë qytetare ka thënë që nuk ka qenë Enea i vërtetë. Ai duhet të shpjegohet tashmë. Ka qenë një gabim njerëzor… Sepse gabimet njerëzore ndodhin çuditërisht shumë. Më e bukura është se këta që bëjnë gabime njerëzore më shumë, këta dekorohen më shumë me stemat. Këta bëhen “qehajajtë” më të mirë. Di që futbolli shqiptar në menaxhimin e tij nga këta që e menaxhojnë në syrin tim është një dështim i vërtetë. Në masën më të madhe është jashtë fushe.

Çfarë prisni nga Flamurtari në ndeshjet e mbetura?
Unë nuk dorëzohem. Ne do të vazhdojmë luftën tonë deri në fund me cilindo dhe me këdo. Në çfarëdolloj kushtesh. Ne nga lufta nuk tërhiqemi. Nuk ka shans fare. Unë nuk tërhiqem kurrë nga asgjë. Ndonjëherë në rrugëtim mund të vendos ndonjë presje në fjali për të parë situatën si është, ndoshta e kam tepruar unë, ndoshta kanë qenë iluzionet e mia, por nuk tërhiqem kurrë nga lufta. Jam klasik në luftimin tim, syrit-sy, dhëmbit-dhëmb dhe çdo gjëje tjetër. Flamurtari do të luajë deri në fund.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"