EKSKLUZIVE/ “Ndaj Tiranës mërzita mamin”, rrëfehet Sebino Plaku: Në qershor lë futbollin! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2022 | 21:25

EKSKLUZIVE/ “Ndaj Tiranës mërzita mamin”, rrëfehet Sebino Plaku: Në qershor lë futbollin! (E PLOTË)

Teuta mori një barazim me Tiranën, duke ua shtyrë bardhebluve festën e titullit. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi i durrsakëve, Sebino Plaku, dha opinionin e tij për këtë sfidë dhe ndjesinë e golit. Plaku shprehet se pavarësisht golit, ai ka mërzitur nënë e tij që është me Tiranën. Sulmuesin nuk e gëzon fakti që Teuta ka shtyrë festën e bardhebluve, por që Teuta u soll si kampione ndaj tyre. 

plaku

Plaku ka konfirmuar se do të largohet në fund të sezonit nga Teuta. Sulmuesi nga Tirana tashmë ka mbushur 3 vjet paraqitje te kampionët e Shqipërisë, ku ka fituar një titull kampion, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë. Plaku ka paralajmëruar largimin nga futbolli. Vetë lojtari ka thënë se në fund të këtij sezoni do të tërhiqet.

Rikthim te goli pas shumë kohësh. Cila ishte ndjesia, për më tepër në portën e Tiranës?

Të shënosh është gjithmonë ndjesi e bukur, për mua është jetike. Por kundër Tiranës nuk e përjetoj dot plotë sisht, sepse pas adrenalinës që të jep goli, ndjesia e dytë është se kam mërzitur familjen time, po ashtu mamin që është tifoze e flaktë e Tiranës.

A mund të merrnit diçka më shumë ndaj Tiranës apo barazimi ishte i drejtë?

Mendoj se po të ishim pak më të kthjellët dhe më të qetë, pas golit të barazimit kishim një moment shumë të mirë, që mund ta shfrytëzonim shumë më mirë se ç’bëmë. Por presioni i pikëve mendoj se na bëri të nxitoheshim dhe të ishim jo aq të qartë në veprimet tona.

Tirana u bë nervoze se ishte përgatitur për festë. Fakti që i ndalët ju kënaqi?

Jo aspak s’më kënaq ky fakt, por në profesionin tonë jemi të detyruar të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje dhe për të arritur objektivat e skuadrës që përfaqësojmë. Ne jemi kampionët në fuqi ende dhe u sollëm si të tillë edhe këtë ndeshje.

Çfarë nuk ka shkuar këtë sezon te Teuta, pse sipas jush ekipi doli nga objektivat?

Kjo është një pyetje e vështirë dhe nuk më takon mua ta jap si përgjigje. Por është e vërtetë që doli nga objektivat.

Po shkoni 37 vjeç, edhe sa kohë mendoni se mund të luani futboll?

Meqë më bëre këtë pyetje, po ta jap ekskluzivisht ty. Mendoj se ky është sezoni im i fundit si futbollist. Kam vendosur ta mbyll me futbollin e luajtur.

Luani me Egnatian këtë javë. Mendoni se do t’i mbyllni llogaritë për t’u larguar nga zona e rrezikut “play out”?

Mendoj se kjo është finalja jonë, kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë për ne, pasi kemi një rival direkt.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"