EKSKLUZIVE/ “Na shënoi një lojtar shumë i mirë”, Kolela kapet te loja: Vetëm kështu mund ta fitojmë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2023 | 9:40

EKSKLUZIVE/ “Na shënoi një lojtar shumë i mirë”, Kolela kapet te loja: Vetëm kështu mund ta fitojmë titullin

Partizani u ndal dje për të katërtën herë në ka mpionat me një barazim 1-1 ndaj Egnatias në shtëpinë e kuqe. “Demat” po vuajnë shumë për të mbërritur te fitorja, por loja e djeshme, duket se e ka ngrohur disi ambientin , pavarësisht se nuk mundën të përfitojnë nga ndalesa e Tiranës për t’u afruar më shumë me kreun. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” u prononcua trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela. Ai shprehet se skuadra e tij meritonte fitoren, por shton se nëse ekipi vijon të luajë në të njëjtën mënyrë, do të jetë deri në fund në garën për titullin kampion. Ai ka elozhe për sulmuesin e Egnatias, Rafael Duamena, i cili shënoi për rrogozhinasit.

Kolela

Rezultati nuk ishte i duhuri, por a kishte përmirësim në lojë në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Teutës?

Jam i sigurt se kjo është një nga ndeshjet më të mira të këtij viti. Më vjen keq për lojtarët e mi që nuk morëm rezultatin e duhur, sepse kanë bërë një ndeshje shumë të mirë. Mendoj se meritonim të fitonim. Shpresoj që lojtarët të binden që kjo është rruga e duhur. Nëse luajmë gjithnjë kështu, do të jemi në gjendje të luftojmë deri në fund për titullin kampion.

Gjithsesi, është ndeshja e katërt që nuk fitoni. Sa e vështirëson ky fakt situatën në vazhdim?

Siç e kam thënë edhe para ndeshjes, më e rëndësishme është që skuadra të zhvillojë paraqitje të tilla. Ne mund të dalim kampion vetëm duke luajtur kështu.

Rrapaj ishte një nga më të mirët në fushë, por vendosët ta zëvendësonit. Cila ishte arsyeja?

Thjesht ishte pak i lodhur dhe në minutat e fundit preferova të ndryshoj modulin. Ndershmërisht, duhet të them se ndeshja u barazua nga një lojtar me cilësi shumë të mira (Duamena). Duhet ta pranojmë. Në futboll, sigurisht që lojtarët e mirë kanë vlerë dhe mund të vendosin ndeshje. Me sa mbaj mend, ajo ka qenë goditja e vetme e Egnatias në portë. Mendoj se pas kësaj ndeshjeje duhet të bazohemi te paraqitja e mirë dhe të punojmë për t’u përmirësuar akoma më shumë.

Kristian Mba luajti disa minuta. Si ishte paraqitja e tij dhe sa mund ta ndihmojë Partizanin në vazhdim?

Sigurisht që do të japë një ndihmë të konsiderueshme dhe do të hyjë në mekanizmat e skuadrës. Nuk duhet të harrojmë që ai vjen pas fazës përgatitore me Trepçën dhe nuk ka arritur kondicionin e duhur dhe ritmin e ndeshjes. Por pa dyshim që do të na japë një dorë. Dhe për sa i përket paraqitjes, është e vërtetë që Rrapaj ka bërë një paraqitje shumë të mirë, por nuk dua të veçoj as lojtarët e tjerë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"