EKSKLUZIVE/ “Na duhet besim dhe vendosmëri”, Mancaku: Teuta vuan ndeshjet e Europës, bën kthesën me korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2021 | 18:10

EKSKLUZIVE/ “Na duhet besim dhe vendosmëri”, Mancaku: Teuta vuan ndeshjet e Europës, bën kthesën me korçarët

Teuta do të luajë më 21 nëntor ndaj Skënderbeut, një ndeshje mjaft e rëndësishme. Fitorja është detyrim për skuadrën e Martinit, edhe pse përpara kësaj ndeshjeje do të luajë kundër Korabit për Kupën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi Bledar Mancaku analizon startin dhe hapur e thotë se pavarësisht dy ndeshjeve të fundit pa fitore, Teuta ka ditur të reagojë dhe të rikthehet te fitoret.

mancaku kote

Çfarë nuk shkoi ndaj Laçit?
Normalisht që diçka ndikon, por duke parë eksperiencën e lojtarëve që ka Teuta, besoj se është një moment që do ta kalojë si çdo herë tjetër kur ka pësuar disfata në kampionat. Gjithmonë pas humbjeve kanë reaguar shumë mirë dhe besoj e shpresoj që ta fitojnë në ndeshjen e radhës.

Pauza vjen në momentin e duhur për blutë?
Do të shërbejë për mirë, pasi u jep kohë lojtarëve të afruar të përshtaten akoma më shumë me grupin, ndërkohë që edhe vetë ekipi do të ketë mundësi të rikuperojë ato gabimet që ka bërë deri tani.

Si e shihni ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut?
Skënderbeu është një skuadër që ka treguar se është kockë e fortë për të gjitha ekipet. Është skuadër agresive, mendoj që Teuta do t’i marrë masat dhe shpresoj të bëhet lojë e bukur e në fund fitojë Teuta.

Keni parë diçka që nuk ka shkuar siç duhet në këto tri javë dhe duhet të korrigjohet?
Gabime ka sa të duash, pasi ekipi është në ritëm e sipër. Rëndësi ka që janë marrë pikët më shumë se një sezon më parë, por edhe ambienti në Durrës të jep mundësi që të punosh në qetësi dhe ky moment do të kaloj.

Kush mendoni se do ta bëjë diferencën në garën për titull këtë kampionat?
E kam thënë edhe herë të tjera, kur ke lojtarë me eksperiencë, çdo gjë është edhe më e lehtë. Ajo që mendoj se na duhet tani, është besimi dhe vendosmëria. Është një moment i rëndësishëm, por edhe lodhja duket qartë tek ekipet që kanë qenë në Europë. Mendoj se kush do ta menaxhojë më mirë, do të fitojë edhe titullin kampion.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"