EKSKLUZIVE/ “Na dhunuan në dhomat e zhveshjes”, akuzon klubi i Tomorit: Delegati nuk kishte parë asgjë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2021 | 23:30

EKSKLUZIVE/ “Na dhunuan në dhomat e zhveshjes”, akuzon klubi i Tomorit: Delegati nuk kishte parë asgjë (E PLOTË)

Në Berat kanë mbe tur të indinjuar me humbjen që Tomori pësoi në Peqin përballë Egnatias. Nuk e kanë vetëm me gjykimin, por edhe me stafin teknik. Është administratori Ismet Ajazi i cili denoncon presionin që i është ushtruar skuadrës dhe trajnerit Bledar Sinella para ndeshjes dhe për këtë akuzon zv.trajnerin Klodian Dervishi. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, zyrtari i klubit beratas shfryn edhe ndaj Enea Jorgjit për dy penalltitë skandaloze dhe pret reagim të menjëhershëm nga FSHF-ja.

tomori egnatia

Tomori humbi me Egnatian dhe dukshëm reflektoni indinjatë. Çfarë nuk shkoi në Peqin?

Si të mos jemi të indinjuar! Gjykimi i Enea Jorgjit ishte skandaloz. Na nxori dhunshëm nga gara për vendin e parë, me një maskaradë. Hedh poshtë investimin e madh që ka kryer bashkia dhe mundin e skuadrës. Në 30 vite nuk kam parë asnjëherë gjyqtar si Jorgji, që vendos ndeshjen me planifikim apo paramendim. Dha dy penallti në çdo fillim loje me qëllim për ta mbyllur ndeshjen.

Na tregoni më shumë për atë që ngjau para nisjes së ndeshjes…

Personalisht isha në tribunë, kur në brendësi të stadiumit ka hyrë zv.trajneri i Egnatias dhe ka ushtruar presion jo vetëm psikologjik, por flitet që ka dhunuar dhe provokuar drejtuesit e skuadrës sonë. Më konkretisht, Sinellën. Gjithçka është bërë për të ushtruar presion dhe frikësuar. Kjo është jo vetëm e turpshme, por e dënueshme.

Si vepruat ju dhe skuadra në atë moment? Përse nuk vutë në dijeni delegatin dhe organet e rendit?

Unë menjëherë kam bërë relacionin dhe kam vënë në dijeni delegatin Astrit Maçi. Por, më habiti fakti se të gjithë bënin sikur nuk kishin parë gjë. Më pas udhëzuam skuadrën që të ruante qetësinë dhe të luante e qetë futboll. Edhe pse ishin të shokuar me ulërimat dhe goditjet në ambientet e brendshme, treguan karakter dhe e vranë frikën. Të gjithë e kanë identifikuar si zv.trajnerin e Egnatias.

Cili mendoni se ishte shkaku i kësaj sjelljeje të zv.trajnerit të Egnatias dhe gjyqtarit Enea Jorgji?

Këtë nuk mund ta shpjegoj unë, por ata që e gatuan këtë maskaradë. Unë si administrator i Tomorit dua të mbroj skuadrën dhe stafin teknik nga sulmi që iu bë dhe nga dëmi i madh që na shkaktuan me këtë humbje. Ne në Berat i mirëpritëm dhe i mundëm në fushë me lojë e rezultat dhe vetëm për dhunë nuk na ka shkuar kurrë mendja.

Si do të procedoni në vijim, prisni ndëshkime për këtë rast?

Ne presim nga FSHF-ja të marrë masa dhe të ndëshkojë si shkaktarët e presionit që u ushtrua para ndeshjes, por edhe gjyqtarin Enea Jorgji. Për këtë të fundit do t’i kërkojmë zyrtarisht FSHF-së që të mos na gjykojë më. Ne kemi besim se federata do të veprojë me ashpërsi për këtë rast.

Tani që keni dalë nga gara për kreun, si do të vijojë kampionati për ju?

Ne duam t’i shërbejmë kampionatit deri në fund, pavarësisht dëmit që na ka shkaktuar Jorgji. Mund edhe të kishim dalë nga fusha, por kërkuam të luanim futboll të ndershëm. Egnatia-Tomori ishte paravendosur qysh në momentin kur rrogozhinasit morën atë si gjyqtar.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"