EKSKLUZIVE/ Mziu “shuplakë” Qarrit: I dhashë 51% të aksioneve, ja kontibuti im për Kamzën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 20:50

EKSKLUZIVE/ Mziu “shuplakë” Qarrit: I dhashë 51% të aksioneve, ja kontibuti im për Kamzën

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, përmes një interviste për “Panorama Sport”, ka reaguar ashpër ndaj presidentit të skuadrës së futbollit, Naim Qarri, i cili një ditë më parë pohoi se kryebashkiaku po i qëndron larg ekipit, në dallim nga edicioni i shkuar. Por, Mziu ka argumente të tjera, ku sipas tij është presidenti ai që nuk paguan dhe e menaxhon ekipin pa asnjë plan dhe ide.

Mziu - Qarri

Z. Mziu. Presidenti i skuadrës së Kamzës, Naim Qarri, ka pohuar se bashkia po i rri larg skuadrës dhe nuk po e ndihmon sipas marrëveshjes që ka shoqëria aksionere. Si e komentoni këtë reagim?

Nuk e kam lexuar ende dhe nuk jam në dijeni të argumenteve që ngre presidenti i klubit. Por, duke parë titullin, dua të them se Bashkia Kamzë në sezonin e kaluar ka paguar 100% financat e futbollistëve. Edhe këtë sezon, krahas kontributit, po flasim vetëm për 49% që ne kemi përsipër në sh.a, pa llogaritur kontribute të tjera ndihmëse, si lënien të lirë të stadiumit falas. Flasim gjithnjë në kërkim të zbatimit të ligjit aktual të financimit të klubeve dhe funksionimit të sh.a-ve, për të zbatuar dhe për të qenë koherentë me ligjin.

Si kryebashkiak, a i keni kërkuar Qarrit diçka në fillim të sezonit?

I kam kërkuar një platformë të të gjitha shpenzimeve për sezonin 2018-2019, e kjo të jetë e miratuar nga asambleja e klubit dhe të firmosur nga të dy bashkëpronarët, bashkia e Qarri. Kjo lloj platforme duhej të përcaktonte buxhetin që i nevojitej klubit, përpos edhe synimeve për ta përballuar me sukses. Pasi të përcaktohej shuma e përgjithshme e shpenzimeve të nevojshme, atëherë do të përcaktohej edhe përqindja e të dy aksionerëve. 51% e kësaj shume do përballohej nga “Qarri-02” dhe 49% nga ana jonë. Së dyti, nga kjo asamble duhej të bëhej dhe skualifikimi i lojtarëve që nuk kishin kontribute, duke përligjur kontratat e tyre të nënshkruara për t’i larguar, më pas për të menduar ato që do të merreshin gjatë merkatos.

Çfarë ndodhi më pas?

Edhe në këtë kampionat ndodhi çudia, ashtu siç ndodhi edhe vjet në mesin e kampionatit, kur u largua pa konsulencë mbrojtësi kroat Ivan Fushtar. Këtij lojtari i janë mbajtur edhe para në këmbim të prishjes së kontratës, në momentin kur skuadra ishte shumë pranë të pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Ambicia ime edhe atë sezon ka qenë që ekipi i Kamzës të ishte pjesë e Kupave të Europës. Pra, të gjitha këto që unë u thashë më sipër ia kam kërkuar presidentit Qarri në dy takime me të. Pra, përcaktimi i buxhetit në mënyrë të dyanshme dhe përdorimi i këtij buxheti në raport me përqindjet që kemi. Përcaktimi i të ardhurave dhe përcaktimi i shpenzimeve, ku futeshin përcaktimi i lojtarëve që i duheshin gjatë merkatos. Nuk ka ndodhur kështu.

A morët ndonjë draft apo përgjigje nga Qarri?

Presidenti Qarri nuk solli asnjë draft ku të caktohej niveli i shpenzimeve që parashikonim si klub dhe të merrnim masat për t’i realizuar. Kjo do të bëhej në bazë të konvertimit 51 me 49%, që do të thotë 2% më pak t’i afronte bashkia. As këtë nuk e bëri. Së dyti, ajo që ishte më e rëndësishme, u prish struktura e ekipit bazë, që ishte mjaft konkurrues. Së treti, nuk u bë e mundur për afrimin e lojtarëve të tjerë, gjithnjë sipas marrëveshjes së përqindjeve.

Çfarë kontributesh keni aktualisht në klub?

Bashkia gjithnjë ka pasur kontributet e saj për klubin e futbollit duke mbartur shpenzime, si në mirëmbajtjen e impiantit sportiv, duke krijuar gjithë infrastrukturën e nevojshme, duke përmbushur edhe kërkesat e federatës, e ndërkohë jam në pritje të krijimit të dy standardeve. Por, më duket e vështirë, pasi jemi në mesin e lojës. Kjo duhej të arrihej në kohën sapo përfundoi kampionati i kaluar. Gjithnjë kam kërkuar që të ndërtohej një ekip që të ishte elitar, madje kisha ëndërr që Kamza të konkurronte në Kupat e Europës.

Nuk ju kemi parë më në stadium për të parë Kamzën…

Jam i pakënaqur nga rezultatet që ne kemi. E ndiej se mungon shumë prania ime në stadium. Këtë e them jo vetëm si kryebashkiak, por edhe se jam një tifoz i kësaj skuadre. Meqenëse unë nuk e kam fuqinë e përqindjeve, më ka lënë jashtë stadiumit, sepse nuk mundem që në mënyrë të njëanshme të bëj financimin. Së pari, dua të respektoj ligjin. Së dyti, dëshira për të kontribuar edhe më shumë jashtë detyrimeve ligjore edhe personalisht për këtë klub po më pengon.

Sipas presidentit Qarri, në 11 vite, kontributi i bashkisë është vetëm 500 mijë euro, sa e vërtetë është kjo?

Nuk e di sesi i ka bërë llogaritë presidenti, por unë mund të them, në bazë të dokumentacionit, se kontributi nga ana e bashkisë gjatë sezonit të kaluar ka qenë 100%. Vetëm në këtë sezon kemi shpenzuar më shumë se 500 mijë euro. Këtu nuk po llogaritim të tjera kontribute, si lëshimi i stadiumit falas, mirëmbajtje, rikonstruksioni, që është mbuluar drejtpërsëdrejti nga investimet tona si bashki, të cilat arrijnë në shumë rreth 200 milionë lekë për stadiumin. Kemi shpenzuar më shumë se 500 milionë lekë për ekipin, pa llogaritur edhe disa premio të përfituara nga disa kompani apo donatorë, që kanë financuar për ta mbështetur ekipin.

Sa e vërtetë është që bashkia nuk i ka paguar klubit dy rrogat e fundit?

Nuk e di se kur e fillon presidenti pagesën e rrogave. Ne dimë që lojtarëve u japim rroga vetëm 10 muaj kalendarikë. Ne nuk mund të paguajmë muajt që lojtarët janë pushim. Për këto 10 rroga ekziston i gjithë dokumentacioni dhe jam i gatshëm t’ua vë në dispozicion, duke respektuar në maksimum kontratat e lojtarëve. Madje, mund të shtoj se në dallim nga të gjitha klubet e tjera, ne kemi qenë klubi më korrekt në datën e shlyerjes së pagave.

Cili është mesazhi i Mziut për skuadrën e Kamzës?

Uroj që skuadra të mbijetojë në Superiore. Më vjen shumë keq që stadium është bosh. Boshatisja nisi nga mesi i sezonit të kaluar, nga aplikimi i biletave. Unë jam në kundërshtim, pasi stadiumin ne e japim falas në shërbim të skuadrës. Ky është një kontribut nga ana jonë, pasi biletat janë “vrasëse” për këtë komunitet, në gjendje jo të mirë ekonomikisht dhe të papërballueshme për xhepat e tyre.

A do të vijojë bashkëpunimi mes bashkisë dhe presidentit?

Bashkëpunimi i bashkisë, klubit nuk i ka munguar as këtë vit, duke ia lënë në përdorim falas stadiumin për ndeshjet. Sqaroj dhe një herë, pa një draft të diskutuar dhe të miratuar nga asambleja e klubit, ku të jenë të shkruara buxheti që ofron njëra palë dhe shpenzimet e nevojshme, nuk mund të ketë shlyerje të 49 përqindëshit nga ana jonë. Pastaj, kontratat gjithnjë janë bërë pa marrëveshjen tonë, ku ne nuk kemi firmosur asnjë prej tyre. Këto janë rregulla të përcaktuara ligjërisht, se kur mblidhet asambleja, llogaridhënia e financave të përdorura, ku shkojnë paratë e hedhura për klubin, a shkojnë në destinacionin e duhur, a respektohen marrëveshjet? Janë shumë gjëra që unë nuk dua të futem teknikisht. Thjesht, ne kemi kërkuar e vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e ligjit dhe detyrimeve që kemi në këtë Shoqëri Aksionere.

Mund të na sqaroni mbi ç’bazë u ndanë aksionet e klubit në fillim?

Për shkak të ultimatumit që vendosi FSHF për kthimin e klubeve në sh.a, u detyruam të veprojmë në kushtet e emergjencës. Ishte një kusht penalizimi nga ana e federatës, u detyruam të krijonim Shoqërinë Aksionere të Kamzës. Në këto kushte, vendosëm që 51% të aksioneve t’i merrte “Qarri 02” dhe 49% t’i kalonin Bashkisë Kamzës. Sqaroj se Qarri s’ka paguar asnjë qindarkë për këto 51% të aksioneve. Ky mund të jetë një rast unik në Shqipëri, që të falen 51% të aksioneve pa asnjë kontribut. Së dyti, në mënyrë koherente bashkia nuk ka vetëm futbollin që jep kontributin e saj, por janë dhe sporte të tjera ku po kontribuohet fuqishëm, si basketbolli e të tjera.

Cilat janë politikat e Bashkisë Kamzë për sportin?

Bashkia po ndjek edhe një politikë, që shumica e sportistëve të dalin nga ky qytet, prandaj po punohet në të gjitha llojet, disiplinat, me ekipet e grupmoshave. Po u jap një shembull, ekipi i meshkujve dhe ai i femrave në basketboll, përbërja e sportistëve është mbi 90% me elementë nga ky qytet e komunitet. Mua si kryebashkiak më intereson të ndodhë masivizimi i sportit. Po kështu, po kërkoj që të ndodhë edhe në futboll, ku janë shumë ekipe zinxhir, në të cilat përgatiten futbollistë të rinj. Pra, edhe futbolli të “pushtohet” nga prodhim i këtij qyteti. Gjithçka që ka lulëzuar në këtë qytet, në të gjitha sportet, nuk ka munguar dora e kontributi i bashkisë.

Po për futbollin çfarë keni kontribuar?

Kemi financuar shumë ndër vite. Po të shohësh vetëm stadiumin e Kamzës, ku janë hedhur shuma të jashtëzakonshme parash, që i kanë kushtuar goxha buxhetit të bashkisë, duke qenë fusha e “luksit” përpos investimeve të tjera sociale. Ne e kemi parë të arsyeshme që të investonim për futbollin, kjo falë edhe komunitetit sportdashës. Së dyti, kemi respektuar maksimumin e mundshëm të përqindjeve dhe kjo përqindje nuk është thjesht sa i jep financimit direkt të klubit. Ajo llogaritet edhe në faktorët ndihmës, që mbulojnë stadiumin në mirëmbajtje, si vaditje, ndriçim, apo thjesht edhe zhvillimin e ndeshjeve pa asnjë lloj tarife. Edhe kjo futet në pjesën e kontributit.

ABDULLA DUSHKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"