EKSKLUZIVE/ Muzaka e thotë “troç”: Tirana ka 30 ditë kohë për të më shlyer, Takaj më korrekt se kurrë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2018 | 22:49

EKSKLUZIVE/ Muzaka e thotë “troç”: Tirana ka 30 ditë kohë për të më shlyer, Takaj më korrekt se kurrë (E PLOTË)

Gjergj Muzaka i bëhet “makth” Tiranës. Historia e borxhit prej 107 milionë lekësh nuk është mbyllur ende, pasi lojtari nuk ka marrë dy këstet e mbetura. Me bardheblutë që nuk kanë respektuar afatet, mesfushori në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport” i kujton ish-klubit që kanë vetëm 30 ditë kohë.

xmuzaka-770x470-696x425.jpg.pagespeed.ic.lQtdFbqkt5

Megjithatë, kjo ishte vetëm një nga temat që preku 34-vjeçari. Me shumë maturi ai u mundua që t’i vendos “kapakun” problemit të rrogave te Skënderbeu, duke theksuar se Takaj këtë sezon ka qenë më korrekt se kurrë. Por nuk kishte si të mos fliste për ecurinë e korçarëve dhe mbi të gjitha për ndeshjen me Kamzën, prej së cilës pret fitoren.

Gjergji, po afron ndeshja e fundit e fazës dhe është koha për bilance. A jeni të kënaqur me lojën dhe rezultatet e marra në 8 javët e para të kampionatit?

Jam pjesërisht i kënaqur. Kemi bërë mirë ndaj rivalëve, duke i mundur që të gjithë, por nga ana tjetër kemi lënë pikë në disa takime, të cilat duhet dhe mund t’i kishim fituar. Dhe këtu i referohem lojës që kemi prodhuar apo rastet që kemi pasur.

Pikët tregojnë se jeni brenda objektivit sezonal, por a besoni se ky ekip mund të jetë i denjë për titullin?

Sigurisht që po. Këtë gjë ne e kemi thënë që në fillim. Dihet që nga Skënderbeu kërkohet gjithmonë maksimumi. Ne do të mundohemi të bëjmë mirë ndeshje pas ndeshjeje dhe do të mundohemi që kalojmë pozitivisht çdo situatë.

E mendonit një nisje të tillë apo ishit skeptikë pas gjithë atyre ndryshimeve që ndodhën në verë?

Jo, skeptikë nuk kemi qenë asnjëherë. Por, mund të them se e dinim që do të ishte më e vështirë se sezonin e kaluar dhe pikërisht prej ndryshimeve të shumta që ndodhën. Por, asnjëherë nuk e kemi venë në diskutim se ky ekip ka cilësi.

Sa ju shërbeu ndalesa e kampionatit, apo a ka ndikuar për keq?

Faktikisht, ishim mirë dhe donim të vazhdonim kështu me të tilla rezultate. Nuk mendoj se do të ndikojë për keq, pasi nga ana tjetër është një mundësi e mirë për t’u çlodhur dhe për të rifituar energji.

I fundit kundërshtar që ju ka mbetur pa matur forcat është Kamza, si e parashikoni këtë ndeshje?

Çdo ndeshje është e vështirë, edhe kjo ndaj Kamzës. Luajmë në shtëpinë tonë, përballë publikut tonë dhe 3 pikët mbeten obligim. Ne duam që të vijojmë të luajmë, ashtu si kemi bërë deri më tani dhe të marrim rezultatet e duhura.

Nuk ishte parë dhe dëgjuar që në Korçë të bojkotohej stërvitja. Kaq e rëndë ishte situata?

Për të qenë i sinqertë, unë u bëra disa vite në Korçë dhe jam totalisht i kënaqur me atë çka më ka ofruar ky klub. Pavarësisht vitit të fundit që kemi bërë ndryshime të shumta, mund të them se korrektësia nga ana e presidentit Takaj nuk ka qenë ndonjëherë kaq e madhe sa është këtë sezon.

Keni folur me presidentin pas asaj që ndodhi. Nëse po, a iu ka dhënë garanci?

Garancinë presidenti na e ka dhënë që në momentin e parë kur filluam sezonin. Nuk kemi më nevojë që të kërkojmë garanci të tjera.

Sa do të reflektojë kjo gjendje te ndeshja kundër Kamzës?

Aspak! Të gjithë jemi të përqendruar për ta kaluar me sukses Kamzën dhe normalisht mendojmë vetëm për ndeshjen dhe asgjë tjetër. Atmosfera në ekip është shumë pozitive.

Me vendimin e KAS-it në pritje dhe me probleme rrogash, a mund ta marrë sërish titullin Skënderbeu?

Me çështjen e KAS-it është klubi që merret.

Çështja e borxhit me Tiranën është ende e hapur, çfarë kësti nuk keni marrë ende?

Siç e dini, kjo çështje ka shkuar në komisionet përkatëse të FSHF-së, pasi nuk janë respektuar afatet e paracaktuara. Unë kisha arritur një akord me Tiranën në fakt, që të më shlyenin të gjitha detyrimet që më kishin. Por, duke qenë se nuk u zbatuan afatet ligjore të vendosura për këstet që më kishin mbetur, erdhi ky vendim nga Disiplina. Tani, u mbeten edhe 30 ditë kohë që të shlyhet i gjithë detyrimi.

LLAZI SARO

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"