EKSKLUZIVE/ “Murinjo, me fat që do të luajë në Tiranë”, De Biazi: Finalja, arritje e jashtëzakonshme! Dikush më kontaktoi dhe më tha se… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2022 | 22:02

EKSKLUZIVE/ “Murinjo, me fat që do të luajë në Tiranë”, De Biazi: Finalja, arritje e jashtëzakonshme! Dikush më kontaktoi dhe më tha se… (E PLOTË)

Kërkesa për bileta në finalen e Ligës së Konferencës Roma-Fejnord më 25 maj ka marrë përmasa të frikshme. Jo vetëm për italianët dhe holandezët, por edhe shqiptarët që kanë një lidhje sportive me Shqipërinë janë ndeshur së fundmi me pyetjen: “Si mund të gjejmë një biletë?” Po shqiptari Xhani de Biazi sa telefonata ka marrë për një biletë? “Ka qenë një periudhë e mbushur me shumë kërkesa, por harrojnë që unë nuk jam më te Shqipëria… (qesh). Megjithatë, i gjeta dy bileta për një trajner shumë të famshëm që do të vijë në Tiranë. Emrin nuk jua them”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” ish-trajneri i Shqipërisë që tashmë zotëron edhe pasaportën e vendit tonë. Ai e pohon se Murinjo është me shumë fat që Roma do ta luajë këtë ndeshje në Tiranë.

de biazi hysaj

De Biazi, ç’mendim keni për finalen që do të luhet më 25 maj në Tiranë?

Është shumë pozitive. Mendoj se ka një efekt të jashtëzakonshëm për lëvizjen futbollistike në vendin tuaj, por mbi të gjitha është edhe një “certifikatë” se Shqipëria i ka djegur shumë etapa në sport dhe është në nivelin e vendeve që mund të marrin përsipër edhe një eveniment kaq të rëndësishëm.

Dakord, por finalja e Ligës së Konferencës është…

E vërtetë. Për nga rëndësia është turneu i tretë që organizon UEFA, por gjithsesi mbetet shumë i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar. Pastaj mos harroni, po vijnë dy skuadra realisht të rëndësishme. Roma është një skuadër me nivel të lartë, por edhe Fejnordi ka cilësi dhe histori. Por nuk duhet t’i referohemi vetëm emrit të skuadrave që po vijnë. Duhet të marrim në konsideratë që i është besuar Shqipërisë një finale e tillë dhe kjo tregon besim, por edhe vlerësim për Federatën e Futbollit, shtetin shqiptar dhe investimet e mëdha në futboll që po bëhen aty, ku edhe UEFA është e përfshirë direkt.

Ju a do të jeni në finale?

Jo, për fat të keq jo.

Pse?

Sepse nis grumbullimin me skuadrën kombëtare të Azerbajxhanit më 24 maj. Madje, kisha bërë edhe një llogari gabim me datat edhe isha i bindur deri para dy muajsh se do të vija, por kur pashë axhendën, natyrisht që u mërzita pak.

Sa telefonata keni marrë nga miq romanistë për një biletë?

Kam marrë vërtet disa telefonata. Dikush madje më kërkoi 5 bileta…

Edhe ju çfarë i thatë?

I thashë se ishte e pabesueshme që ma bënte një kërkesë të tillë, kur unë ndërkohë kam vite që jam larguar nga Shqipëria. Aq më tepër që me sa kam parë po bëhet edhe një debat i madh për kapacitetin e stadiumit, që në fakt për të tilla ndeshje mund të jetë vërtetë i vogël.

de biazi

Po ju çfarë mendoni për stadiumin?

Që është i shkëlqyer dhe i mjaftueshëm për ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë, por ndoshta paksa i vogël për një finale si kjo.

Por edhe po të ishte 60 mijë sërish do të kishte pakënaqësi, apo jo?

Po, por të paktën tifozëritë e të dyja skuadrave do të kishin nga 20 mijë bileta… (qesh).

Si përfundim, ia gjetët atij mikut tuaj 5 bileta apo jo?

Të them të drejtën, gjeta vetëm dy. I kam gjetur për një trajner të famshëm italian, por emrin nuk jua them.

Fiton Roma apo Fejnordi?

Unë natyrisht dua të fitojë Roma, por do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. E sigurt është që shqiptarët do të bëjnë tifo për Romën.

A është me fat Murinjo që Roma po e luan këtë finale në Tiranë?

Po, me shumë fat madje. Shqipëria ka një lidhje speciale me Italinë dhe unë e di këtë prej vitesh, sepse e kam përjetuar. Por përveç kësaj aty luan edhe Kumbulla, ndaj jam i bindur se shqiptarët pa dyshim që do të bëjnë tifo për Romën.

de biazi

A keni folur me Kumbullën?

Jo, unë nuk flas me lojtarët e Shqipërisë, aq më pak me këta që janë brez i ri. Shkëmbej ende ndonjë mesazh me Roshin në ditë të caktuara festive, por vetëm kaq. Nuk më duket as etike që unë të kem kontakte me lojtarët e Shqipërisë tani që kam ikur. E kam fjalën për ata që nuk i njoh dhe nuk kam pasur lidhje.

Çfarë mesazhi keni për italianët që do të vizitojnë Tiranën këto ditë?

Që ta shijojnë sa më shumë. Po shkojnë në një vend shumë miqësor, një vend që ka lidhje speciale me Italinë dhe një vend që e dashuron futbollin dhe është i mbushur me shumë bujari dhe padyshim vende të veçanta për t’u vizituar. Duhet ta shijojnë.

Çfarë efekti mund të ketë kjo finale për Shqipërinë e futbollit në të ardhmen?

Shpresoj shumë që gjithçka të shkojë mirë. Së pari, efektet e para dhe të menjëhershme janë ato financiare. Mendoj se do ta ndihmojë Tiranën dhe Shqipërinë një finale si kjo, sidomos pas dy viteve të vështira të pandemisë. Së dyti, do të ndihmojë lëvizjen futbollistike sepse do të kenë nga 26 maji e tutje një eksperiencë të madhe në organizimin e një ndeshjeje tejet të rëndësishme. Është një lloj patente, ma besoni. Dhe e fundit, mijëra fëmijë dhe të rinj shqiptarë do të përjetojnë një atmosferë që do ta mbajnë mend gjatë dhe që do t’i frymëzojë ata për të ardhmen. Do ta duan akoma më shumë futbollin.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"