EKSKLUZIVE/ Mungon prej ditësh, mbrojtësi kërkon “divorcin” me Bylisin. Lojtari pret vendimin e presidentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2020 | 9:00

EKSKLUZIVE/ Mungon prej ditësh, mbrojtësi kërkon “divorcin” me Bylisin. Lojtari pret vendimin e presidentit

Bylisi rrezikon të humbasë Ditmar Bicajn për pjesën e dytë të këtij sezoni. Nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim, por një tjetër histori. Mbrojtësi ka kërkuar “divorcin” nga klubi. Burime të sigurta për “Panorama Sport” zbulojnë se 30-vjeçari i ka kërkuar zyrtarisht largimin presidentit Besnik Kapllanaj.Bicaj

Lojtari ka munguar edhe në seancat e fundit në dhjetor, e megjithatë dyshimet janë shtuar pasi nuk është shfaqur në asnjë prej stërvitjeve të muajit janar. Të njëjtat burime bëjnë me dije se palët nuk kanë gjetur ende një marrëveshje për mbylljen e bashkëpunimit. Qendërmbrojtësi është parë në kryeqytet gjatë këtyre ditëve. Ai po kryen individualisht stërvitje, në pritje të vendimit të numrit një të klubit të ballshiotëve.

I kontaktuar nga gazeta, vetë Ditmar Bicaj nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment dhe as të japë më shumë detaje, por është mjaftuar me kaq: “Sot (dje) kam qenë në Fier për të ndjekur miqësoren Apolonia-Bylisi”. Mes palëve ka pasur pakënaqësi për disa detyrime të prapambetura, por, me sa duket, qendërmbrojtësi e ka ndarë mendjen. Ai dëshiron që t’i japë fund këtu aventurës në Ballsh. Ndoshta është joshur nga ndonjë ofertë e majme, megjithatë në ditët e ardhshme do të ketë më tepër qartësi rreth kësaj çështjeje.

Por, gjasat më të mëdha janë që të largohet nga Bylisi dhe për pjesën tjetër të sezonit të luajë diku gjetkë. Kujtojmë se shtatlarti ka qenë titullar në pjesën dërrmuese të ndeshjeve. Nga 17 javë të zhvilluara, lezhjani ka qenë në fushë në 10 takime. Në 809 minuta në fushë, ai është ndëshkuar edhe me 4 kartonë të verdhë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"