EKSKLUZIVE/ Mungesë misterioze, mbrojtësi “tremb” Kukësin. Verilindorët në kërkim të një lojtari të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 9:05

EKSKLUZIVE/ Mungesë misterioze, mbrojtësi “tremb” Kukësin. Verilindorët në kërkim të një lojtari të ri

Trajneri i Kukësit, Skënder Gega, është i izoluar në shtëpi prej gjashtë ditësh për shkak të infektimit me “COVID-19”, ndërsa ekipi po stërvitet nga zv.trajneri Rrahman Hallaçi. Skuadra u la pushim të shtunën, ndërsa dje në orën 15:00, për më shumë se një orë e gjysmë ishte Hallaçi, i cili bashkë me drejtorin Nderim Nexhipi, vijuan programin. Ky i fundit foli me skuadrën dhe kërkoi angazhim maksimal, pasi duhet me patjetër kthesa në kampionat. “Panorama Sport” mëson se e vetmja mungesë në stërvitjen e djeshme ka qenë qendërmbrojtësi boshnjak, Kenan Horiç, i cili sipas klubit ka qenë me leje. Por, nuk përjashtohet fakti që lojtari të ketë arsye shëndetësore, duke parë situatën me Koronavirusin. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në vijim mungesa e shtatlartit, i cili iu bashkua Kukësit në merkaton e verës.
Kenan-horic

MBROJTJA – Kukësi është skuadra që ka ndryshuar më shumë gjatë merkatos së verës ndër ekipet shqiptare, pikërisht me 16 afrime dhe po kaq largime, duke kryer në total 32 lëvizje. Shumica prej këtyre lëvizjeve ishin të detyruara, pasi askush nuk arriti ta ndal dot eksodin e shumë lojtarëve, të cilëve iu kishte skaduar kontratat me Kukësin. Ndër lëvizjet më të sikletshme ishin ato në mbrojtje, ku mbeti vetëm Bruno Lulaj nga futbollistët e sezonit të kaluar. Lulaj luan edhe si mbrojtës i djathtë, por dhe para mbrojtjes. Duke qenë një lojtar polivalent, ishte trajneri Gega që insistoi që ai të rinovonte me Kukësin. Ndërkohë, duke parë katër golat në dy ndeshjet e kampionatit, si dhe një tjetër i pësuar në Kupë ndaj Besës, kanë bërë që kritikat të drejtohen më së shumti nga qendra e mbrojtjes, paçka se përgjegjësi mban e gjithë skuadra. Stafi ka folur konkretisht me të gjithë skuadrën, por veçanërisht me katërshen e mbrojtjes, përfshi edhe portierët, pasi në takimet e deritanishme i gjithë ky repart ka futur “ujë”. Të gjithë lojtarët e repartit difensiv (Horiç, Hetemaj, Lulaj, Bytyçi, Demiri, Kotobelli) luajnë për herë të parë së bashku, teksa tashmë pritet edhe debutimi i mbrojtësit të djathtë, Vitija. Gazeta mëson se drejtuesit e Kukësit janë vënë në lëvizje që tani për një qendërmbrojtës tjetër, për ta afruar në merkaton e janarit.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"